A mund të kërcejmë bashkë?

Për të mbytur mallin për shtëpinë; për të mos qarë sa herë i kujtohej nëna që ndodhej qindra mijëra kilometra larg;
për të larguar mendjen nga vështirësitë e panumërta të përditshmërisë; shpeshherë mes skamjes e dëshpërimit  dhe në kërkim të një dashurie të re për të larguar brengat e asaj që u la pas;
në fundin e shekullit të XIX në lagjet e varfra të Buenos Aires dëgjohej kjo pyetje.

Ishin emigrantët e ardhur kryesisht nga Europa që kërkonin një partnere për të kërcyer tangon (prekjen), ritëm e melodi të krijuara nga flauti, kitarja dhe piano e më vonë nga një tjetër instrument El bandoneón, i ngjashëm me fizarmonikën.

Ata që e njohin dhe e kërcejnë thonë që tango është një zhaner shumë i fortë, me ndjenja të kundërta me njëra tjetrën, me luftë e paqe brenda. “Një mendim i trishtë i kthyer në kërcim”. Mos ju kujtohet gjë jeta?

Gjuha e tangos është lunfardo, njëlloj slang-u i shpikur në burgjet e Buenos Aires nga të dënuarit për të mos u kuptuar nga rojet kur komunikonin mes tyre.
Teknika është ajo e spostimit të rrokjeve në një fjalë. Shqip: Omë lila, a ke pëka nai kële?

Tango lind në zonat përreth Rio de la Plata, lumi që i jep emrin edhe një prej klubeve më të njohur të botës, River Plate.
Futboll e kërcim, pasion, mall e dashuri në një lumë që lidh Argjentinën me Uruguajin.
O Zot, sa bujar je treguar me ato zona!
Për të parafrazuar Jose Mourinho-n, “kush di vetëm mbi futbollin, nuk di asgjë rreth futbollit”…

Po ti, a do pranosh të kërcesh me mua?

Leave a Reply