Shqiptarët që tronditën Beogradin

Sa herë Flamurtari i Vlorës ka marrë pjesë në kupat e Europës, historitë nuk kanë munguar.
Kur në edicionin 1985-86 të Kupës së Kupave vlonjatët shorti i vendosi përballë HJK Helsinki, Gerd Müller kërkoi të bashkohej me finlandezët 4 vjet pasi ishte shkëputur nga futbolli. Motivi: të takonte edhe njëherë një dashuri të vjetër shqiptare!

Kur në edicionin 1986-87 të Kupës Uefa goglat çiftëzuan kuqezinjtë bregdetarë me Barcelona-n, katalanasit ja dolën të kualifikohen me dy barazime. Dy barazime!

Por për të çuditur dynjanë, vlonjatëve ju desh të prisnin edicionin 1987-88 të Kupës Uefa. Në turin e parë i takon të përballen me Partizan Beogradin.

Ndeshja e parë luhet në Vlorë më 16 shtator 1987 dhe trajneri Leonidha Çuri i beson formacionin këtyre lojtarëve: Arapi, P. Ruci, Çipi (kapiten), Iljadhi, Taho, Kushta, V. Ruci (70′ Daullja), Ferko, Zijai (65′ Memushaj), Bubeqi, Gjondeda.

11 të besuarit e trajnerit arrijnë të realizojnë një kryevepër duke mundur 2-0 kundërshtarët e fortë. Autogolit të Djordjevic në pjesën e parë i shtohet edhe goli i Roland Iljadhit në minutën e 82′ të takimit.

 

Ajo e kthimit luhet më 30 shtator në Stadion Partizana (është ai stadiumi ku zbriti një dron 3 vite më parë) dhe vendasit (që trajner kanë Fahrudin Jusufin) fillimisht realizojnë me penallti, kur Stevanović nuk gabon përballë Arapit e më pas dyfishojnë me një gol me kokë të Fadil Vokrrit (atë që të bën i joti…).

Kur ndeshja po shkonte drejt shtesave, 7 minuta nga përfundimi i takimit, Sokol Kushta shënon një “perlë”, një nga ato gola që në vitet ’90 shtypi botëror do t’i cilësonte si “alla Del Piero”. Beogradi hesht, Flamurtari kalon në turin tjetër.

Aty ku përballë gjejnë gjermanolindorët e Wismut Aue, të cilët likuidohen me një fitore 2-0 në Vlorë e një humbje minimale 1-0 në Aue. Tifozët vlonjatë, pas kualifikimit dolën me shprehjen: “Vismutit i hoqëm vizën e i lamë m….”. Më të qartë se kaq.

Me këtë kualifikim Flamurtari bëhej e para skuadër shqiptare që kalonte dy ture në kupat e Europës, rekord që do barazohej e thyhej nga Kukësi në edicionin 2013-14 të Europa League.

Në turin e tretë sërish përballë Barcelona-s. Këtë herë blaugrana-t janë më të fortë, fitojnë 4-1 në Barcelonë e megjithatë Flamurtari i mbyll me lavdi këto eleminatore historike duke i mundur në Vlorë me rezultatin 1-0 me një tjetër gol të Sokol Kushtës.

Sukseset e Flamurtarit në atë kohë kur vendi vuante për të mira materiale ishin të jashtëzakonshme duke frymëzuar një popull që shpeshherë haste vështirësi në sigurimin e bukës së gojës.

 

Leave a Reply