Vdekja tragjike e mesfushorit Luigi Meroni

Nëse do të kishte një renditje për klubet me të cilët fati është treguar i pamëshirshëm, padyshim që ai i Torino-s do të kryesonte i shkëputur ndjeshëm nga ndjekësit.

Tragjedia e 4 majit të vitit 1949, kur avioni që mbante në bord Il Grande Torino-n përplasej në Superga, kodër në të dalë të qytetit, do të bënte që të shuhej skuadra
më e fortë e botës për kohën e 5 herë rresht kampione e Italisë.

E kur në vitet ’60 tifozët granata më në fund do të kishin sërish një skuadër cilësore e të denjë për historinë e klubit, një tjetër tragjedi, absurde e fatkeqe do të prekte ambientin.

I lindur në Komo, Luigi Meroni pas 2 sezonesh në skuadrën e qytetit të tij kalon te Genoa,
ku shfaq klasin e një mesfushori krahu të aftë në driblime dhe me “vesin” për golin.
Në vitin 1964 vjen thirrja nga Torino, klub në të cilin Gigi konfirmon aftësitë e tij duke u bërë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.

Por përveç klasit në fushë në Torino sjell me vete edhe sjelljen dhe paraqitjet e tij anormale për mentalitetin e epokës. Mjekër, flokë të gjata, automjete e veshje ekstravagante dhe më “skandalozja”, bashkëjetesa me një grua të martuar, italo-gjermanen Cristiana Uderstadt.

Karakteristika këto që e bëjnë lojtarin personazhin më të kritikuar në një Itali ende konservatore e tradicionaliste, të lidhur ngushtë me ndikimin e Kishës Katolike.
Ndonjëherë Meroni “e kërkonte” edhe vetë, si përshembull kur dilte xhiro nëpër qytet me një gjel (jo qen jo, gjel) të lidhur me zinxhir!

Pavarësisht bëmave dhe kritikave,  “vagabondi” apo “cigani” Meroni falë aftësive të tij në fushën e blertë fiton dashurinë pa kushte të tifozëve të Torino-s dhe grumbullimin në kombëtaren italiane, me të cilën merr pjesë në Botërorin Angli 1966.

Në verën e vitit 1967 rivalët e Juventus i bëjnë një ofertë Torino-s për shërbimet e mesfushorit. Tifozët granata dalin në protestë e një grup prej tyre kërcënon ndërprerjen e punës në fabrikën e automjeteve FIAT. Bisedimet ndërpriten, Meroni vazhdon te Torino.

Sot 50 vite më parë, më 15 tetor të vitit 1967, 24 vjeçari Luigi Meroni ndahej tragjikisht nga jeta. Teksa ecte në Corso Re Umberto (rrugë në të cilën banonte), i shoqëruar nga shoku i skuadrës Fabrizio Poletti, Meroni përplaset nga një makinë Fiat 124 Coupé e më pas një Lancia Appia e cila e tërheq zvarrë për pothuaj 50 metra.

I riu humb jetën pak orë më vonë në spital, ndërsa Poletti ja hedh me disa dëmtime të lehta.
Tifozët nuk duan t’a besojnë ndërsa prezantuesi i emisonit Domenica Sportiva, Enzo Tortora, refuzon të bëjë publik lajmin. Ka shumë dhimbje.

Një javë më vonë luhet derbi kundër Juventus. Ndeshja zhvillohet në një atmosferë të pazakontë, mes dëshirës për të larguar dhimbjen dhe trishtimin për humbjen e një kampioni e djali të ri në moshë, te një Torino të “copëtuar” nga fati.

Juventus luan fort por mundet 4-0, rezultat që nuk do të përsëritet më në derbin torinez. Shënon 3 herë Nestor Combin, shoku më i ngushtë i Meronit dhe golin e katërt e realizon i riu Carelli që mbi supe mban numrin 7, atë të Meroni-it (asokohe numrat ndaheshin sipas pozicionit).

Sa për kronikë, ai që ngiste makinën që përplasi Meroni-n atë 15 tetor quhej Attilio Romero, një 19 vjeçar tifoz i Torino-s me posterin e Meroni-t në dhomë.
Romero, në vitin 2000 bëhet president i Torino-s dhe e çon klubin drejt falimentimit pak vite më vonë.

Për t’i vënë kapakun kësaj historie, edhe piloti që ngiste avionin me në bord Il Grande Torino-n në vitin 1949, quhej Gigi Meroni…

Leave a Reply