Luajti futboll e jetoi si rock star. U bë krenaria e një kombi falë përdorimit të topit e ëndrra e shumë vajzave (e realizuar për dy fituese të Miss World) falë ngjyrës së syve.

Jeta e George Best, gjeniut më kryeneç që mund të kenë parë ndonjëherë fushat e lojës së bukur është bërë objekt filmash, librash e këngësh falë mënyrës unike të shprehjes së mendimeve e ndjenjave nga ylli irlandezo verior.

“Në jetë pjesën më të madhe të parave e kam harxhuar për alkool, femra e makina të shpejta. Atë që mbetet e kam prishur…”

“Nëse do të kisha lindur i shëmtuar, nuk do të kishit dëgjuar asnjëherë të flitej për Pele…”

Në ndeshjen e tij të fundit të luajtur me kombëtaren e Irlandës së Veriut, më 13 tetor 1976, me skuadrën kundërshtare, Hollandën, aktivizohej një farë Johan Cruyff. “Padyshim ti je më i miri në botë Johan, por vetëm sepse unë nuk kam më kohë…”

Megjithatë ndeshjen më të hidhur me kombëtaren përsa i përket rezultatit por edhe përjetimit të përvojës në transfertë, George Best e luajti në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Më 24 nëntor 1965 në “Qemal Stafa” kombëtarja e drejtuar nga Loro Boriçi ndalte në një barazim 1-1 Irlandën e Veriut. Golit të avantazhit mik, shënuar në minutën e 58’ nga Willie Irvine, i përgjigjej shkodrani Medin Zhega në minutën e 77’. Një barazim që do t’i digjte Irlandës së Veriut mundësinë për të marrë pjesë në Kupën e Botës Angli 1966.

Fitues i Topit të Artë dhe Kupës së Kampionëve me Manchester United, George Best është një ndër lojtarët më të mëdhenj që nuk ka luajtur ndonjëherë në një Botëror.

Barazimi në Tiranë por edhe ditët e qëndrimit në kryeqytetin tonë, komentohen kështu nga vetë Best në një prej autobiografive të tij:
“Fluturime direkte për në Tiranën e viteve 60’ nuk kishte. Hoteli nuk kishte asgjë të përafërt me karakteristikat që e cilësojnë një ndërtesë me këtë emër. Ushqimi po ashtu. Bari në fushën e stërvitjes ishte krasitur me kosë dhe ishte aq i gjatë sa po të ishin fshehur aty dy pantera, nuk do i kishim dalluar dot. Luanim gjatë gjithë kohës me letra e të vetmen herë që dolëm nga hoteli shkuam në një kinema ku transmetohej një film rus me titra në shqip…”

George Best u nda nga jeta në vitin 2005. Në Belfast, në një ditë me shi, Georgie “the” Best u përcoll për në banesën e fundit nga 25 mijë njerëz.

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakDritat e stadiumit

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU