Dritat e stadiumit

“Shpresojmë t’a luajnë në darkë, me drita. Koreografia del më bukur, mbase vijnë edhe më shumë njerëz prej orarit…”

Një diskutim i tillë ishte dhe është i zakonshëm përpara ndeshjeve të rëndësishme, atyre të forta, shpeshherë derbi.

Vite më parë, në fëmijëri e adoleshencë, ndeshjet në darkë na i trazonin ëndrrat, na dukej sikur hyrja në stadium na fuste në një botë tjetër: çudirash, brohorimash, dashurie, emocioni. Ne dhe skuadra e zemrës. Askush tjetër…

Në kujtesën kolektive (për të mos e tepruar, po e shkurtoj në atë personale) kanë mbetur prozhektorët e mitikut (këtu s’po e teproj fare) “Qemal Stafa”.

Kur niste shiu, për të kuptuar sesa i dendur ishte, çonim sytë drejt tyre dhe në varësi të rezultatit në fushën e lojës o ngrinim volumin e këngës ose shtonim dozën e sharjeve.

Nëse ka një ndeshje të luajtur në darkë, me drita, ku 2.8 milionë shqiptarët e Republikës së Shqipërisë (sipas censusit të vitit 2017) dhe milionat e tjerë të bashkëkombasve anembanë botës do të kishin dashur të ishin në shkallët e “Qemal Stafës”, e tillë është një e luajtur mbrëmjen e 4 shtatorit të vitit 2004.

2004

Në atë verë, 14 vjeç, përfundoja klasën e shtatë te “Kongresi Lushnjes”, dëftesa pati dalë mirë dhe u shmang morali prindëror dhe më gjerë. Me qejf po prisja Europianin e Portugalisë. Sinjali u dha që në ndeshjen e hapjes: 1-2, Greqia mundi vendin organizator. Italia, me të cilën isha tifoz, doli që në grupe, falë edhe “biskotës” 2-2 mes Danimarkës e Suedisë, kurse grekët me 1-0 këtu e 1-0 aty dolën në finale. Prapë me Portugalinë, prapë 1-0 e kupa në Athinë. “Po këta ça po bëjnë, se i kemi edhe në grupe për eleminatoret e botërorit?!”

Vera nga e nxehtë u kthye në përcëlluese. Paraditeve, si shumë adoleshentë që gjejnë një punë vere, nisesha për te tregu elektrik ku ndihmoja në dyqanin e njërit prej xhaxhallarëve të mi. Rrugës, 30 lekë i harxhoja për të blerë “Sportin Shqiptar”. Olsi i dyqanit përbri, tifoz i Tiranës, merrte “Sport Ekspresin” dhe i shkëmbenim gazetat gjatë ditës.

Temë kryesore për gjithë korrikun e gushtin u bë përballja e parë e kombëtares në eleminatoret e botërorit Gjermani 2006: luhej në Tiranë më 4 shtator kundër Greqisë kampione të Europës. Javët që paraprinin ndeshjen, sidomos ajo e fundit u bënë të ethshme. Ethet e gushtit janë të poshtra. Nga Greqia, për “Sportin Shqiptar” shkruante korrespondenti Ramadan Bigza. Shkruante me mjeshtëri e tregonte përjetimin e ndeshjes nga përtej kufirit. Vetëm disa ditë përpara përballjes, në një shkrim hipotetik tregonte një ngjarje imagjinare: sikur Shqipëria kishte mundur Greqinë fituese të Europianit dhe gazetat greke përshkruanin ndodhinë. Material që përveç se desh më “fiku” nga emocionet, më vonë Ramadan Bigzës ju shndërrua në profeci… 

IFA

Në Wikipedia për të thuhet: “Industrieverband Fahrzeugbau (shqip Shoqëria Industriale për Prodhimin e Automjeteve), zakonisht quajtur shkurt IFA, qe një konglomerat dhe një bashkim kompanish për prodhim automjetesh në ish Gjermaninë Lindore.”

Përpara se të vijojmë me IFA-n, më duhet t’ju tregoj se një prej miliona shqiptarëve në kërkim të një bilete për ndeshjen me Greqinë isha edhe unë. Problemet u shfaqën menjëherë, që në shprehje të dëshirës për të qenë në stadium:

  1. Kushton shumë, nuk e blejmë dot.
  2. Je i vogël, s’bëhet fjalë të shkosh me shokët.
  3. E shohim rehat, në shtëpi.

“Kaçurrel” nervi. Gjithë verën me mendje te një ndeshje të cilën nëse kombëtarja e fitonte mund të shndërrohej në përballjen më të bukur të historisë së futbollit tonë, e unë nuk do të mund t’a shikoja dot në stadium?! Në Tiranë?!

Kthehemi te IFA. Duke qenë një mjet i prodhuar në një vend të bllokut lindor, shumë prej tyre u importuan edhe në Shqipëri, për t’u përdorur nga ndërmarrjet publike. Një IFA në vitin 2004 e ngiste Niko, bashkëshorti i tezes time, tifoz i Partizanit, i punësuar si shofer në të atëhershmin KESH (Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare). IFA Nikos, për dijeninë tuaj dhe fatin tim të mirë, në çdo ndeshje që luhej me drita në “Qemal Stafa”, transportonte një gjenerator portativ për ndriçimin e prozhektorëve të stadiumit.

“Po sikur t’i themi Nikos? Mbase më fut në stadium…” Tratativa e verës. Nëse rezultonte e suksseshme, do shikoja Shqipëri-Greqi në stadium. Si njeri. Fatmirësisht Niko me tim atë u morën vesh dhe unë mëngjesin e 4 shtatorit 2004 u zgjova njeriu më i lumtur në botë. Paradite shkova te tregu, si zakonisht me gazetën me vete, kurse pasdite, duke u kthyer për në shtëpi, në Unazë, përballë Ministrisë së Shëndetësisë një varg i gjatë makinash me flamuj kuqezi kishte nisur autokolonën e zhurmshme e festive. Rreth 6 orë përpara ndeshjes.

Pasi u ktheva në shtëpi e u vesha edhe unë kuqezi, me Nikon u takova te “Rruga e Elbasanit”. Normalisht IFA ishte parkuar që paradite në stadium dhe në këmbë më shoqëroi deri te hyrja e tribunës D2. Aty polici hapi rrugë pa u bërë pengesë (isha pa biletë) dhe më në fund hyra në atë vend për të cilin kisha shpenzuar gjithë energjitë, mendimet e ëndrrat e asaj vere. Për rezultatin e ndeshjes nuk po ju flas…

Ndriçimi

Që padyshim Niko u shndërrua në një prej njerëzve më të dashur për mua kjo nuk do shumë “mend e kalem”. Në ditën më të bukur të historisë së futbollit shqiptar, ndihmoi që unë të isha në stadium. Kujtime të atij 4 shtatori do mbeten me mua për sa kohë do jem pjesë e kësaj bote.

Disa kohë pas ndeshjes më vonë Nikon e kapi reforma, e larguan nga KESH-i, i hoqën edhe IFA-n e shumë shpejt nisi të punojë privatisht si shofer taksie. Punëtor i palodhshëm.

Duke qenë i besimit krishter ortodoks, Niko e fitoi shpejt e me dashamirësi nofkën “kaurri”. Familjar i denjë e njeri i respektuar, disa muaj më parë Niko u nda nga jeta si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Ka lënë të shoqen e dy fëmijë (të cilët vite më parë i pati fotografuar bashkë më IFA-n e dashur) dhe kujtohet me respekt e nderim nga të gjithë ata që e njohën.

Niko dikur ndriçonte stadiumin për kënaqësinë e tifozëve; sot uroj me zemër që shembulli i të atit të ndriçojë fëmijët e Nikos në rrugën e tyre të jetës.

Andi KASMI

Leave a Reply