Që prej asaj nate quhet Panenka

20 qershor 1976, stadiumi “Marakana”, Beograd, Jugosllavi. Çekosllovakia dhe Gjermania Perëndimore diskutojnë edicionin e pestë të Kampionatit Europian të futbollit. 120 minuta lojë mbyllen me rezultatin e barabartë 2-2 dhe për të përcaktuar fituesin nevojitet llotaria dramatike e penalltive.

Nga pika e bardhë çekosllovakët nuk gabojnë me Masný, Nehoda, Ondruš dhe Jurkemik. Gjermanët përgjigjen me Bonhof, Flohe dhe Bongartz, por kur radhën e ka Uli Hoeness, topi i goditur prej tij përfundon mbi traun e portës.

Rezultati shkon në 4-3 dhe goditja e radhës është vendimtare për fatet e turneut. Përsipër e merr numri 7, mesfushori Antonin Panenka. Flokë të zeza, mustaqe (që më pas do ngelen në histori si karakteristikë e pandarë e futbollistit) dhe qetësi, të paktën në dukje. Përballë ka një ikonë si Sepp Maier. Vrull i gjatë dhe në çastin kur pritet një goditje e fortë, fantazisti i jep topit një prekje të ëmbël poshtë dhe e përcjell atë në mesin e portës në formën e një parabole. Sepp Maier e Gjermania mposhten, ndërsa Çekosllovakia fiton ndeshjen e trofeun. Antonin Panenka i jep skuadrës së tij (sot e vështirë të thuash kombëtare, pasi vetë mesfushori është nga Republika Çeke ndërsa lavdinë e ndau me bashkëlojtarë nga Sllovakia) Kupën ndërsa historisë së futbollit emrin e gjuajtjes më spektakolare të një penalltie.

Ndër vite forma e goditjes është përsëritur shpeshherë, në kampionate kombëtarë apo edhe turne prestigjiozë si Kupa e Botës e Kampionati Europian. Diku me sukses:

E diku jo:

Antonin Panenka gjithë karrierën e tij në Çeki luajti për klubin Bohemians të Pragës dhe me ndërrimin apo “lehtësimin” e sistemit politik provoi të luante edhe në Austri. Sot kryen funksionin e presidentit të skuadrës së tij të zemrës dhe është i pluridekoruar nga institucionet drejtuese të futbollit botëror. Për publikun shqiptar në moshë të re, emri i tij erdhi në vëmendje në korrikun e shkuar. Arsyeja: Alban Hoxha…

Leave a Reply