Angli 1966, kur Korea e Veriut me një top çuditi botën

Viti futbollistik 1966 mbahet mend për zhvillimin e Kampionatit të VIII Botëror në tokën që lojën e bukur e shpiku dhe më pas e përhapi nëpër glob, atë angleze. Në ishull ai edicion kujtohet e nderohet me nostalgji për vetë faktin se është viti i të vetmit botëror të fituar nga kombëtarja e “Tre Luanëve”; në Gjermani kujtohet me më pak dëshirë për golin e tretë të anglezëve në finale: gjuajta e Geoff Hurst nuk e kaloi vijën fatale por goli u konsiderua i vlefshëm nga gjyqtarët e takimit. “Nuk mund të ankohemi, ne kemi humbur luftën”, shpreheshin gjermanët në përfundimin e finales. Lufta të cilës i referoheshin ishte e Dyta Botërore, e përfunduar 20 vite më parë. Ishin kohë të tjera.

Kupa e Botës Angli 1966 mbetet në histori edhe si e para e transmetuar e gjitha në televizion dhe e mbuluar gjerësisht nga ana mediatike. Megjithatë ky shkrim nuk ka për qëllim tregimin e anekdotave e kurioziteteve nga ai edicion por kujtimin e njërës prej skuadrave që në tokën e Mbretëreshës çuditi jo vetëm kundërshtarët, por mbarë botën e futbollit: Korea e Veriut.

Për Korenë e Veriut dihet shumë pak. Shtet që tërheq vëmendjen nëpër kronika sa herë në agjensitë prestigjoze të informacionit publikohet ndonjë lajm që vjen “era portal”: “Xhaxhai i Kim Jong-Un, kundërshtar politik i udhëheqësit koreanoverior është shpallur fajtor për tradhëti kombëtare dhe si dënim trupi i tij është shqyer nga qentë e diktatorit”; për t’u zbuluar më pas që pas publikimit të lajmit xhaxhai është shfaqur në ndonjë kongres të partisë dhe nuk duket aq i kafshuar… Gjithashtu për Korenë e Veriut dëgjojmë edhe sa herë testojnë ndonjë raketë bërthamore apo “ngacmohen” në distancë me udhëheqësit perëndimorë (amerikanë).

Në vitet ’60, shteti aziatik ishte në ndërtim e sipër. Lufta me Korenë e Jugut (1950-1953) kishte lënë pasoja të mëdha në njerëz, infrastrukturë e rrjedhimisht mirëqënie sociale. Luftë që pa të përfshirë drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën. Secila prej fuqive mbështeti e furnizoi me armë njërën prej dy Koreve duke i shtuar benzinë zjarrit dhe masakruar popullsinë civile si nga njëra anë ashtu edhe tjetra e kufirit. Pas përfundimit të saj gadishulli korean u nda më dysh: Veriu komunist i mbështetur nga Kina maoiste dhe Bashkimi Sovjetik ndërsa Jugu kapitalist me sytë nga Amerika. Lufta mes dy Koreve në teori nuk ka përfunduar akoma, duke qenë se mes dy shteteve nuk është firmosur asnjëherë një traktat paqe, por vetëm një armëpushim, nga i cili Korea e Veriut është tërhequr vitet e fundit.

Që nga ajo kohë pak dihet për shtetin totalitar, ku kulti i personit të Udhëheqësit të Madh shpeshherë bëhet grotesk, të paktën nga informacionet e vërteta që depërtojnë e mbërrijnë deri te ne. Një izolim që ngjan me atë të Shqipërisë socialiste, por ndryshe nga vendi ynë pushteti në Korenë e Veriut, pas vdekjes së Kim Il-sung në vitin 1994, kaloi në duart e të birit Kim Jong-il. Pas ndarjes nga jeta edhe të këtij të fundit në vitin 2011, udhëheqës suprem i vendit bëhet Kim Jong-Un, protagonist në media vitet e fundit dhe i përshkruar si kërcënim për paqen në botë.

Për t’u kthyer te futbolli, nuk do shumë mend për të kuptuar që si çdo sport apo veprimtari që mund të ndikojë në propagandë është i varur direkt nga shteti. Kualifikueset për botërorin e vitit 1966 i jepnin të drejtë pjesëmarrjeje vetëm një kombëtareje nga Afrika, Azia dhe Australia. Si pasojë gara u bojkotua nga të gjitha shtetet përbërëse të konfederatave të mësipërme me përjashtim të vetëm dy vendeve: Koresë së Veriut dhe Australisë. Problemi tjetër ishte se Australia kishte kontribuar si pjesë e OKB në luftën e dy Koreve dhe dy shtetet nuk e njihnin njëri-tjetrin. Si pasojë u vendos që dy ndeshjet që do përcaktonin pjesëmarrësin në botërorin e Anglisë do të luheshin në fushë neutrale, në Kamboxha. Për surprizën e të gjithëve, Korea e Veriut e mundi një herë 3-1 e një herë 6-1 Australinë dhe fitoi të drejtën për të marrë pjesë në Kupën e Botës. Por problemet nuk kishin të sosur: as Anglia nuk e njihte shtetin e Koresë së Veriut e u deshën biseda e marrëveshje të gjata diplomatike për të pranuar hyrjen e aziatikëve në Britani.

Shorti i caktoi koreanoveriorët në të njëjtin grup me Bashkimin Sovjetik, Kilin e Italinë. Kombëtarja aziatike u vendos në qytetin e Middlesbrough, në një hotel pranë aeroportit dhe menjëherë fitoi simpatinë e banorëve vendas. Për ta aziatikët shtatshkurtër e të edukuar u bënë skuadra e dytë e zemrës. Madje shumë familje vendase përgatitnin ushqime për lojtarët në formë mikpritjeje por edhe pasi shikonin stërvitjet e stërmundimshme të Koresë së Veriut: arma e tyre më e fortë e që i ndihmoi të habisnin këdo qe përgatitja e paparë fizike.

Ndeshja e parë shkoi sipas parashikimeve, 3-0 për Bashkimin Sovjetik. Loja e fortë dhe e ashpër e sovjetikëve i çoroditi aziatikët “e vegjël” por i shërbeu si përvojë për ndeshjet e ardhshme. Në ndeshjen e dytë koreanoveriorët shfaqën futbollin e tyre të shpejtë e konstant, por pa arritur të konkretizojnë. Kilenët kalojnë në avantazh dhe me këtë rezultat botërori i Koresë së Veriut mund të konsiderohej i mbyllur: por pak minuta nga përfundimi barazojnë me një gol të shënuar nga Pak Sung Jin. Gjithçka rihapej dhe ndeshja e radhës me Italinë përcaktonte se cila prej dy skuadrave do kalonte në çerekfinale.

Në letër nuk duhet të kishte histori. Nga njëra anë Façhetti, Rivera, Mazzola e Bulgarelli, në tjetrën disa të panjohur. Por 19 korriku i vitit 1966 do të jeptë një tjetër verdikt. Italia dominoi pa mundur të konkretizojë, ndërsa Korea e Veriut me një kundërsulm të shpejtë në përfundimin e pjesës së parë shtangu të kaltërit me golin e shënuar nga Pak Doo Ik. Gol epik për aziatikët që mundin Italinë (e mbetur me 10 lojtarë pas dëmtimit të Bulgarelli-t në pjesën e parë, atëherë nuk ekzistonte rregulli i zëvendësimeve) dhe e shikojnë veten në çerekfinale.

Përpara se të vijojmë me tregimin e historisë së Koresë së Veriut në Angli 1966 duhet thënë se në vendin e tyre, rezultati i ndeshjes u mësua nëpërmjet radios në orët e para të mëngjesit duke shkaktuar një gëzim e lumturi të imagjinueshme. Por ajo që lehtësoi vetë lojtarët, ishte fakti se kishin përmbushur porosinë e udhëheqësit Kim Il-sung, i cili përpara se t’i përcillte i kishte porositur të ktheheshin nga Anglia me “të paktën një fitore”. Se ç’mund të ndodhte në të kundërt, këtë nuk e dimë, por fitorja me Italinë shmangu çdo lloj skenari të mundshëm.

Çerekfinalja i vë përballë Portugalisë së Eusebio-s. Ndeshja luhet në Liverpool, në Goodison Park dhe shumë njerëz nga Middlesbrough spostohen atje për të bërë tifo për Korenë e Veriut. Pas 20 minutave lojë tabela e rezultatit shënon 3-0 për aziatikët. Po. 3-0 për aziatikët. Kur shumë menduan se përralla ishte ende larg fundit mendoi Eusebio të përshpejtonte epilogun: 4 gola nga Topi i Artë i vitit 1965 dhe fitore e Portugalisë 5-3.

Mes përshëndetjeve të publikut vendas, përcjelljes nga kryebashkiaku i Middlesbrough dhe banorëve që gjat qëndrimit në Angli i trajtun aziatikët misteriozë si të ishin bijtë e tyre, kombëtarja e Koresë së Veriut mori rrugën e kthimit për në atdhe. Natyrisht pritja ishte triumfuese dhe secili prej lojtarëve u nderua për paraqitjen në Kupën e Botës dhe ngritjen e flamurit kombëtar në sytë e perëndimorëve.

Më vonë u tha se futbollistët u dënuan nga regjimi totalitar pas kthimit nga Anglia pasi kishin festuar me alkool dhe femra fitoren ndaj Italisë, lajm që asnjëherë nuk u verifikua e që mendohet të jetë fryt i propagandës e stereotipeve. Në Itali që nga viti 1966 çdo disfatë në futboll cilësohet si një “Kore e re” e për shumë vite u besua se Italinë nga botërori e përjashtoi goli i një dentisti. Në të vërtetë Pak Doo Ik para se të bëhej futbollist kishte punuar në fabrikën e letrave e pas largimit nga futbolli si mësues i edukimit fizik.

Një dokumentar i vitit 2002, me titull “The Game of Their Lives”, shkruar nga Daniel Gordon, tregon me detaje botërorin “e çmendur” të Koresë së Veriut, ku flasin edhe vetë protagonistët. Një film historik, për faktin se qe e e para trupë perëndimore që u lejua të filmonte në Korenë e Veriut pas një kërkese të shqyrtuar disa vite me radhë. Shikim të këndshëm:

Leave a Reply