Historia e veçantë e kësaj jave vjen nga Sllovakia, ku futbolli bën realitet ëndrrën e një të riu që deri diku nuk besonte më në realizimin e saj. 23 vjeçari Ján Krivák, 18 muaj më parë ngiste një kamion, ndërsa në janarin e kaluar debutonte me kombëtaren e vendit të tij në një miqësore përballë Suedisë.

Krivák nisi të luajë futboll në fëmijërinë e tij dhe deri në vitin 2015, kur ju bashkua Ferschnitz, skuadër në ligën e gjashtë austriake, të pakta ishin premisat për një grumbullim të tijin nga skuadra kombëtare. Madje për “ca parà më tepër”, qendërmbrojtësi, bashkë me një shok të tijin nisën të punonin si shoferë kamioni.

“Shpërndaja pjesë këmbimi për makina në afërsi të qytetit të Linz”, tregon Krivák për revistën angleze FourFourTwo. Megjithatë, përpos punës si shofer i riu sllovak ndiqte ëndrrën e tij për lojën e bukur, duke u kthyer në kampionatin vendas ku firmos për skuadrën e ligës së parë, Podbrezova.

Forma e mirë e shfaqur i shpërblehet më një ftesë nga Sllovakia, për ndeshjen miqësore me Suedinë. Sfidë në të cilën aktivizohet në pjesën e dytë. “Do më pëlqente shumë të luaja në ligat profesioniste të një vendi tjetër.” Me këtë ritëm ndoshta dhe ja del, pasi për Ján Krivák vargjet “jam shofer, shofer kamioni, nga më shkojnë rrotat, s’më shkon timoni” nuk vlejnë…

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU