.

Pas 6 vitesh mungesë, Partizani rikthehej në Kupat e Europës. Sezonin e fundit skuadra e kishte përfunduar në vendin e tretë, nën drejtimin e trajnerëve Shpëtim Duro e më pas italianit Tiziano Gori. Stoli i skuadrës në verë i besohej njohjes së vjetër, Neptun Bajko. Prova e parë për trajnerin e riemëruar është turi i parë i Kupës Uefa, edicioni 2002-03. Shorti nuk është aspak bujar me të kuqtë, pasi i vë përballë izraelitët e Hapoel Tel Aviv, të cilët çuditën Europën vetëm një sezon më parë, duke arritur në çerekfinale të të njëjtit kompeticion. Rrugës eleminuan klube të kalibrit si Chelsea, Lokomotiv Moska e Parma, duke u ndalur në rrugëtimin e tyre historik vetëm nga Milan.

Bajko ka në dispozicion një grup të mirë lojtarësh dhe Partizani e merr me optimiziëm kur mëson se ndeshja e parë luhet transfertë, por në fushë neutrale, si pasojë e rrezikshmërisë në Izrael. Hapoel caktohet si pritës në Sofie të Bullgarisë.

Luhet më 15 gusht 2002 dhe Bajko hedh në fushë këta lojtarë: Blendi Nallbani, Ardit Beqiri, Marcelo Brachini, Përparim Daiu, Ardian Behari, Paulin Dhëmbi, Sasa Delain, Geraldo Do Karmo Junior (Zheraldinjo), Prince Ijiebor Ativie, Abilio Neves Dos Reis, Alexander Viana Antonio (Karioka).

Pak fusha neutrale e pak nënvlerësimi i izraelitëve, Partizani e sheh veten të barabartë me kundërshtarin gjatë lojës. Në stadium janë të pranishëm edhe dhjetëra tifozë të Partizanit (ndoshta transferta e parë europiane e një tifozerie shqiptare!), të cilët kanë udhëtuar në Sofie për të mbështetur skuadrën.

Pjesa e parë përfundon 0-0, ndërsa e dyta nis menjëherë me gol, kur Josef Abukasis lëshon një predhë nga më shumë se 25 metra dhe shtang portierin Nallbani. Izraelitët kalojnë në avantazh, por Partizani nuk dorëzohet. Fundi i ndeshjes bëhet dramatik kur Karioka rrëzohet në zonë dhe gjyqtari akordon penallti për të kuqtë. Nga pika e bardhë godet Abilio, i cili çuditërisht nuk merr vrull dhe e dërgon topin mbi traun e portës. Dëshpërimi është i madh por edhe vetëdija e një “humbjeje dinjitoze”, term i përdorur shpesh në futbollin tonë, qëndron.

Të parin që e zë euforia, është presidenti Albert Xhani, i cili në një komunikim telefonik me mediat nxiton të deklarojë: “Partizani im këtë sezon arrin në çerekfinale të Kupës Uefa…”

Nga ëndrra zgjohet 15 ditë më vonë, kur më 30 gusht Partizani pret në ndeshjen e kthimit Hapoel-in në “Qemal Stafa”. Pavarësisht reshjeve të shiut, tifozët paraqiten të numërt në stadium, por kësaj radhe ka pak histori. Izraelitët shënojnë të parët, Partizani barazon me anë të Brachini-t, por në fundin e ndeshjes miqtë mbyllin praktikën duke fiksuar rezultatin final në 1-4.

Ishte bukur për aq sa zgjati.

 

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU