Të pyesësh Kastriot Tushën në derën e Teatrit të Operas “ju vetë a jeni artist?” është njëlloj si në hyrje të një stadiumi të rastisësh përballë Maradona-s e t’i thuash “ju vetë keni luajtur ndonjëherë me top?”. Më e pakta që mund të marrësh (po të ra shansi të jesh afër yllit argjentinas) është një “shpëlarje” me terminologji jo fort intelektuale.

Megjithatë përtej krahasimeve të largëta në distancë e realitete, shumë vajza e gra zanatin apo rolin e tyre në shoqëri e në ambiente pune e kryejnë në mënyrë të përkryer. Një model suksesi, këmbëngulje dhe arritjeje është ai i 28-vjeçares nga Hong Kong, Chan Yuen-ting, e para trajnere femër kampione në një ligë të parë profesioniste nën drejtimin e një skuadre meshkujsh: Eastern Sports Club, ekipi kampion i Hong Kong Premier League.

Me një diplomë gjeografie në xhep, Chan Yuen-ting ju përkushtua e gjitha futbollit kur nisi të studiojë për shkenca sportive dhe menaxhim shëndeti, ndërkohë që pjesën tjetër të kohës luante futboll me skuadrën lokale të Sha Tin.

Pasioni dhe serioziteti i vajzës ranë në sy edhe te drejtusit e skuadrave të meshkujve: një prej tyre, Pegasus FC, e afroi si analiste ndeshjesh e më pas i besoi rolin e zv.trajneres. Kulmi në karrierën e saponisur si trajnere për Yuen-ting, qe oferta që i bëri Eastern Sports Club për t’u bërë trajnere e parë, pas largimit për në Kinë të teknikut të mëparshëm.

Sezoni i parë në drejtim, 2015-16, kurorëzohet me titullin kampion dhe skuadra shpërblehet me kualifikimin në Champions League-n aziatike. 22 shkurti i kaluar pa për herë të parë në një turne kontinental një trajnere femër nën drejtimin e një skuadre meshkujsh: përballë Chan Yuen-ting, në pankinën e skuadrës kundërshtare ulej Luiz Felipe Scolari…

Duhet të shtoj diçka tjetër?!

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU