“Futbolli ishte preteksti, mjeti për të njohur më mirë pjesën tjetër të botës…” Në parathënien e librit Guida alla Coppa del Mondo per i tifosi dotati di cervello, shkrimtari amerikan Matt Weiland shpjegonte motivimin e shkrimit të atij vëllimi.

Unë kam lindur në Tiranë në vitin 1990. Një nga gëzimet më të mëdha të fëmijërisë time ishte loja e futbollit, të cilën e luaja pambarimisht me bashkëmoshatarët e mi në rrugicat e lagjes. Ndër ëndrrat e mia fëminore, bashkë me heronjtë e filmave vizatimorë kalonin edhe futbollistët më të mëdhenj të kohës. Me kalimin e viteve përmirësoja aftësitë e mia në lexim duke u ushtruar me gazetat dhe revistat sportive që sillte në shtëpi im atë kur kthehej nga puna. Kontakti im i parë me Italinë dhe futbollin e këtij vendi u bë i mundur nëpërmjet albumit të figurinave Calciatori Panini, një edicion të të cilit – atë të botërorit USA ’94 – e zotëronte një shok i fëmijërisë i cili ishte katër vjet më i madh se unë në moshë. Të parin album të gjithin për vete arrita ta siguroj në moshën 8-vjeçare, menjëherë pas përfundimit të klasës së parë: ishte edicioni i botërorit të Francës. Unë tashmë kisha mësuar të lexoja dhe idhujve të mi të fëmijërisë mund t’i bashkangjisja edhe portretin e tyre aty ku ndodhej emri, mbiemri, vendlindja dhe gjatësia e tyre. Përpos këtyre të dhënave, poshtë fotografisë së secilit futbollist shënoheshin edhe emrat e skuadrave me të cilat kishin luajtur gjatë karrierës së tyre. Imagjinata ime prej fëmijë më “fluturonte” sa nga një qytet në tjetrin, e sa nga një shtet në tjetrin: kontakti im i parë jo vetëm me Italinë, por me të gjithë botën (ose të paktën me vendet pjesëmarrëse në botërorin e Francës) nuk erdhi falë librave të gjeografisë (lëndë që më pëlqente, por meritën më të madhe për njohuritë e mia mbi hartën e botës e situatën politike në pjesë të ndryshme të globit e ka futbolli), por pikërisht nga albumi Calciatori Panini.

Qyteti im, Tirana, mikpret derbin më të madh të Shqipërisë, Partizani-Tirana. Për një fëmijë kryeqytetas që ushqehet me bukë e futboll, të bëhet tifoz me njërën prej dy skuadrave është një hap që ndërmerret natyrshëm që në moshë të vogël: o je i kuq me Partizanin o je bardheblu me Tiranën. Ose nëse je rast i veçantë, bëhesh me Dinamon (si im vëlla), skuadër po aq e famshme dhe po aq e titulluar e kryeqytetit, por me një numër pashpjegueshmërisht shumë më të vogël tifozësh krahasuar me dy të parat.

Por çfarë është në të vërtetë një ndeshje derbi?

Në shumë vende termi derbi lokal, ose vetëm derbi nënkupton një ndeshje sportive (kryesisht futbolli) mes dy rivalëve që vijnë nga i njëjti qytet. Ky term nganjëherë përdoret edhe për të përshkruar rivalitetet e mëdha në rang rajonal e deri kombëtar, siç është rasti i përballjes Juventus – Inter, që njihet si il derby d’Italia, edhe pse të dyja skuadrat nuk i përkasin të njëjtit qytet. Termi derbi mund t’a ketë origjinën nga një ndeshje futbolli (i ngjashëm me il calcio fiorentino) që luhet cdo vit mes dy skuadrave të qytetit anglez të Ashbourne, që ndodhet në zonën e Derbyshire.

Unë pata fatin të bëhem tifoz me Partizanin në një lagje ku mbi 80% e fëmijëve të tjerë ishin tifozë të Tiranës. E çfarë fati: në ato vite trofetë i fitonte vetëm Tirana e në grupin ku bëja pjesë isha më i vogli në moshë, më i rëndi në peshë, më pak i talentuari në futbollin e luajtur dhe tifoz i një skuadre që nuk fitonte shpesh. Nuk është situata më e këndshme për një fëmijë që akoma nuk ka mbushur moshën 10 vjeçare. E megjithatë me kuriozitetin tim të madh dhe me dëshirën për të zvogëluar distancën me shokët e tjerë, fillova të përshtatem. Mungesës së talentit e kileve të tepërta nuk kisha ç’ti bëja, e për të vazhduar të luaja edhe unë futboll me të tjerët gjeta rrugën më të përshtatshme në ato kushte: u futa në portë. Klasike. Pak e nga pak, duke qenë se askush tjetër nuk preferonte të bënte portierin, pas më të talentuarit isha i dyti që zgjidhesha në momentin kur formoheshin dy skuadrat. Përsa i përket Partizanit që nuk fitonte, fillova të dokumentohem. Nëpërmjet gazetave, revistave e tregimeve nga më të mëdhenjtë arrita të mësoj se skuadra ime e zemrës kishte bërë ndër vite historinë e futbollit shqiptar dhe me fanellën e kuqe ishin aktivizuar lojtarët më të mirë ndonjëherë që kishte parë jo vetëm derbi, por e gjithë Shqipëria. Në këtë mënyrë mund t’u përgjigjesha ngacmimeve të shpeshta të shokëve.

Me kalimin e viteve pasioni im për futbollin dhe për historitë që rrethojnë këtë sport shtohet e kulmi për çdo tifoz përkon me ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, derbin. Pak e nga pak, duke i kuptuar gjërat më mirë, duke frekuentuar stadiumin më shpesh e duke u rrethuar nga atmosfera magjike që një përballje e tillë prodhon u bëra derby addict.

Në vitet e fundit kam patur fatin të udhëtoj nëpër Europë në ndjekje të ndeshjeve derbi, duke u vënë në kërkim të historive, kurioziteteve, detajeve, rivalitetit, ironisë e humorit që një ndeshje derbi dhuron. Dhe jo vetëm përsa i përket aspektit futbollistik. Një rivalitet në derbi shkon përtej fushës së blertë e në lojë hyjnë origjina, shtresa sociale, besimi fetar, arsimimi.

Për arsye gjeografike e nisa nga Milano, qyteti në të cilin jetoja e studioja, ku pashë ndoshta derbin më prestigjoz që kam ndjekur nga afër. Mes shopping-ut dhe aperitiveve pashë në stadium Milan-Inter, dy klube që i kanë dhuruar qytetit 10 Champions League në total.

Më pas vizitova kryeqytetin e Estonisë, Tallinn. Atje derbi ishte i një tjetër dimensioni: vetëm 1720 njerëz në stadium në një ndeshje që vendoste fatin e titullit kampion. Shijova më tepër birrën lokale dhe miqësinë e tifozëve vendas sesa rivalitetin e tyre nëpër tribuna.

Disa muaj më vonë u nisa për në Xhenova. Poshtë farit (la lanterna), simbol i qytetit dhe gjithashtu i derbit, me një fokaçe në dorë, qeshë i pranishëm në derbin më romantik që kam patur mundësinë të shikoj në stadium: nga njëra anë klubi më antik në Itali, në tjetrin sunduesit e rinj të qytetit.

Pas Xhenovës kalova në Torino, aty ku historia merr një rrjedhë tragjike. Il Grande Torino dhe legjenda e trashëguar brez pas brezi; vizita në liceun Massimo D’Azeglio, ku një grup studentësh krijuan Juventus-in dhe të tjera kuriozitete nga il derby della Mole, më i vjetri në Itali.

Zhvendosem nga Italia për të kaluar në Zvicër, konkretisht në Zyrih, ku tifozët nëpër tribuna me atmosferën e krijuar sfidonin edhe futbollin e luajtur. Në stadiumin modern të qytetin derbin e luanin edhe 5 shqiptarë.

I fundit por jo nga rëndësia, është derbi i Tiranës, ku rikthehem edhe njëherë për të ripërjetuar emocionet e fëmijërisë. Ndeshja që më injektoi pasionin për përballjet derbi, ironia mes miqve, ndasitë familjare, kryeqyteti që ndahet në dy pjesë e për 90 minuta stadium shndërrohet në institucionin më të rëndësishëm në qytet. Me pak fjalë: ndeshja e jetës…

Këto ishin 6 udhëtimet që ndërmorra për të ndjekur nga afër këto përballje të vecanta për të kuptuar më mirë sesi njerëzit e përjetojnë një derbi. Tregimeve të mia nga këto 6 eksperienca u bashkangjiten edhe shumë histori të tjera me të cilat jam njohur gjatë eksperiencës time si tifoz e si lexues: tregime të cilat mundohem t’i shtjelloj në këtë tezë diplome (i gjithë shkrimi është përdorur si hyrje në tezën time të diplomës në Universitetin e Milano-s).

Gjithmonë me pretekstin e futbollit, ashtu si Matt Weiland, edhe unë përdora lojën e veçanërisht derbit për të njohur më mirë botën. E jo vetëm nga aspekti sportiv, sepse siç ka thënë trajneri i famshëm e fitues Jose Mourinho: “Kush di vetëm mbi futbollin nuk di asgjë rreth futbollit…”

Andi KASMI

 

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU