Sot kalendarët futbollistikë planifikohen në korrik për një sezon që përfundon qershorin tjetër, me festa kombëtare, pushime për eleminatoret e kompeticione brenda dhe jashtë vendit që alternohen e kombinohen me saktësine më të madhe duke respektuar parimet e rastësisë dhe duke i lënë mundësinë tifozëve të shijojnë lojën e bukur me një shpeshti të kënaqshme. Mirëpo kjo panoramë nuk ka qenë gjithnjë e tillë.

Në fillimin e vitit 1945, bota kishte halle të tjera përpara se t`i përkushtohej futbollit. Gjermania dhe Hitleri tashmë po prapësoheshin drejt kolapsit të pashmangshëm, por refuzimi i tyre për t`u dorëzuar pa luftë po shkaktonte shkatërrim dhe mjerim sa të madh, aq të panevojshëm. Për t`i shtuar më tepër “dhimbje koke” aleatëve, “drurin” nazistëve po ua jepte anëtari më i dyshimtë i perëndimit: Bashkimi Sovjetik. Anglezët, të parët që mbajtën qëndrim ndaj politikave të Gjermanisë, e panë veten të paaftë për t’a neutralizuar armikun të vetëm. Megjithatë, më 7 maj nazistët kapitullojnë dhe siç thote Shekspiri: “gjithçka është e mirë kur përfundon mirë”. Lufta e Dytë Botërore do të mbaronte më 2 shtator me dorëzimin e Japonisë, por kjo ishte një çështje mes tyre dhe Amerikës. Europa në këtë periudhë ishte e qetë dhe tani njerëzia vriste mendjen se si do t`i ktheheshin normalitetit.

Në frymën e kësaj të fundit, filluan turet futbollistike. Kujtojmë se gjatë Luftës së Dytë Botërore, FIFA e kishte ndërprerë Kupën e Botës dhe UEFA do të themelohej 9 vite më vonë. Turnetë mungonin, por dëshira ishte. Dhe ku ka deshirë, gjendet mënyra. Kështu, më nëntor 1945, në Angli zbarkon Dinamo e Moskës. Ishte një tur i shumëpritur, i cili kishte 2 muaj që shtyhej. Arsyeja? Dinamovitët kishin dërguar te autoritetet angleze 14 kërkesa, ndërmjet të cilave: ata do të ushqeheshin vetëm në ambasadën sovjetike në Londër, do të kishin të paktën një ndeshje të arbitruar prej një gjyqtari sovjetik dhe do të luanin se s`bën kundër Arsenalit, që ishte superfuqia futbollistike e kohës.

Për të kuptuar përmasat e kësaj ngjarjeje, duhet të kuptojmë panoramën futbollistike të atyre viteve: Anglia ishte ende qendër rëndese në arenën ndërkombëtare. Fakti qe ishin shpikësit e vetë lojës i bënte të ndiheshin të sigurte në fushën e blertë. Kujtojmë se përpara Luftës së Parë Botërore, Anglia kishte themeluar nje Kombetare të Dytë – “Amatorët” – që përbëhej nga lojtarë të cilët nuk ia dilnin të zinin vend në Kombëtaren e Parë. Megjithëse të quajtur amatorë, ai ekip është përgjegjës për humbjet më të thella të një sërë përfaqësuesesh të respektuara të kontinentit (mundën 9-0 Gjermanine, 15-0 Francën).

Megjithëse të regjistruara 3 dekada më parë, të tilla rezultate u jepnin anglezëve një aureolë pamposhtmërie dhe frike. Ndaj mund të kuptohet kurioziteti dhe interesi që stimuloi vendimi i Dinamos për të mos u ndeshur me Kombëtaret në shenjë respekti, por duke këmbëngulur të ndesheshin me Arsenalin e madh që kishte gjunjëzuar Vjenën dhe të tjera ekipe të mëdha të kohës. Për të cituar nga trajneri moskovit Yakushin: “Të shkojmë në Londër e të mos ndeshemi me topçinjtë do të ishte si të shkonim në Kairo e të mos shihnim piramidat.” Por opinioni publik ishte i bindur se këto piramida ishin shumë të larta për vizitorët nga Moska.

Përtej kërkesave gati-gati në stil ultimatumi, dinamovitët u dukën goxha të turpshëm kur zbritën në aeroport. Të gjithë ishin veshur njëlloj, me pallto blu dhe valixhe të zeza. Ishin të kursyer me fjalët përpara gazetarëve, madje dhe përkthyesi sikur i filtronte deklaratat. Të pritur pa ceremoni, flamuj apo lule, delegacioni u drejtua menjëherë për te akomodimi i tyre. Mediat përfituan nga rasti për t`i pagëzuar “Të Heshturit”. Por ata do të flisnin në fushë.

Pasi ndërruan disa vende fjetjeje për shkak të kushteve të papërshtatshme, madje pati familje londineze që ofruan t`i strehonin futbollistët në shtëpitë e tyre, më në fund Dinamo u akomodua në Imperial Hotel në Russell Square. Për t`u stërvitur, sovjetiket përdorën një kompleks garash për qen, por çuditërisht me cilësi bari dhe dhomash zhveshjeje më të lartë se shumë stadiume të kohës. Në këtë atmosferë padurimi mbërriti dhe ndeshja e parë: ajo kundër Chelsea në Stamford Bridge-in e mbushur me 85 000 spektatorë.

Ende pa nisur takimi, dinamovitët i habitën vendasit në dy aspekte. Së pari, ata dolën në fushë 15 minuta para ndeshjes për stretching, praktikë kjo që nuk njihej në Angli. Së dyti, ata i dhuruan buqeta lulesh çdo lojtari të ekipit kundërshtar, një rregull standard në Rusi por larg klimës kompetitive britanike. Duartrokitjet dhe brohorimat inkurajuese të turmës i vunë në siklet zyrtarët e federatës angleze për mikpritjen e tyre që linte për të dëshiruar. Përpara turit, turma hamendësonte se niveli i Dinamos ishte ai një ekipi të kategorisë së 3-të në Angli. Kjo bindje u duk se po konfirmohej kur Chelsea mori avantazhin 2-0, ndonëse golat ishin aksidentalë dhe nuk reflektonin balancat në fushë. Çudia më e madhe për turmën ishte fakti që në asnjë rast rrjetën nuk e tundi Tommy Lawton, ndër futbollistët anglezë më të mëdhenj të kohës, i cili megjithatë mbeti një rrezik konstant per rusët dhe me siguri do të kishte regjistruar gola pa fund atë ndeshje sikur përballë të mos kishte kapitenin qendërmbrojtës Vitali Semichastniy dhe portierin Alexei Khomich, i mbiquajtur “Tigri”. Khomich më vonë do të stërviste te moshat e Dinamos një djalosh të ri me emrin Lev Yashin. Ndërkohë i blerë nga Everton një javë përpara ndeshjes për shumën atëherë astronomike prej £14 000, Laëton udhëhiqte në fushë londinezët të cilët si rrallë herë ishin veshur me nuance të kuqe.

Para përfundimit të pjesës së pare, Dinamo humbi një penallti. Minuta e 70` dhe ende Chelsea kryesonte 2-0. Por pikërisht në fund moskovitet gjetën frymëzim. Lojtari i krahut të djathtë Kartsev shënoi dhe 7 minuta më pas asistoi Archangeliskiy-n. 2-2! Tërbohet turma! Komentatorët rusë nuk dinë ç`epitet të thonë më parë! Dinamo është e lavdishme… deri sa Lawton gjen rrugën e rrjetës me një goditje potente me kokë. Por në frymën e fundit, Bobrov shënon nga një pozicion dukshëm jashtë loje. Për fatin e tij të mirë, gjyqtari nuk është i vëmendshëm dhe gjithçka mbyllet 3-3. Megjithatë, duke patur parasysh atë që u pa përgjatë 90 minutave, padrejtësi në këtë rast do të quhej sikur Dinamo të dilte e mposhtur atë ditë. Turma shpërthen në fushë e ekzaltuar duke i marrë mbi supe lojtarët e Dinamos e duke i hedhur drejt qiellit si heronj. Stili i lojës dhe thjeshtësia ruse i kishte dehur ata. Sovjetikët ndërronin pozicione gjatë gjithë lojës, kishin ritëm, sprint dhe ishte e pamundur t`ua ndiqje fillin e aksionit. “Dinamo është ekipi më i mirë kundër të cilit kam luajtur”, do të rrëfente qendërmbrojtësi i Chelsea-t John Harris.

Performanca heroike e Dinamos do të trumbetohej lart e poshtë Europës. Të nesërmen e takimit, Jules Rimet, presidenti historik i FIFA-s i njohur për themelimin e Kupës së Botës, do të hartonte personalisht ftesën ndaj BRSS për t`iu bashkuar organizmit botëror të futbollit. I tillë ishte impakti i Dinamos. Kur i erdhi rradha të ndesheshin përsëri, përballë do të kishin Cardiffin e Uellsit. Cardiff ishte një ekip i kategorisë së tretë, pra i konsideruar si i barabartë me Dinamon deri përpara takimit me Chelsean. Për ta kuptuar edhe një herë se sa e kishin nënvleresuar anglezët mysafirin nga Moska, mjafton të themi rezultatin e kësaj ndeshjeje mes “të barabartësh”: 10-1 për Dinamon. “Ata janë një makineri, jo ekip normal”,- do të shprehej trajneri i uellsianëve Spiers. Daily Sketch do të shkruante: “Nuk dihet nëse ky klub nga Lindja do të mundet ndonjëherë nga ndonjë skuadër qoftë angleze, skoceze, uellsiane apo irlandeze.” Gjithsesi, simpatia për rusët vetëm sa rritej. Rradha e spektatorëve për ndeshjen me Cardiff kishte nisur që në 4 të mëngjesit. Përpara fillimit të 90 minutëshit, ishin vendasit kësaj rradhe që u bënë dhurata miqve, teksa secili dinamovit mori një llambë minatori si suvenir i një vendi që jetonte me industrinë e minierave.

Nga ana teknike, moskovitët luanin në një stil të ngjashëm me tiki-takën, por sigurisht më pak të rafinuar e me më shumë fokus te vertikaliteti dhe shpejtësia – një stil i njohur si passovotchka. Për ta ekzekutuar siç duhet, nevojitej përgatitje e lartë fizike dhe mendore për të punuar në skuadër e për të bërë pressing në lojën trup-me-trup. Mentaliteti ishte ofensiv dhe saktësia e pasimeve ishte një karakteristikë që binte dukshëm në sy. Mirëpo merita e vërtetë e tyre qëndronte në lëvizjen pa top. Trajneri revolucionar Boris Arkadiev, i cili kishte bërë mrekullira me modestet e Metalurgut të Moskës në fillimet e karrierës së tij, kishte nisur të aplikonte te Dinamo një formacion inovativ 4-2-4. 5-6 lojtarët e avancuar shkëmbenin pozicione gjatë gjithë kohës duke i cmendur mbrojtjet kundërshtare. Me përkedheli, ai e quante këtë taktike: “çrregullim i Organizuar”. Mbrojtësi i Chelsea-t Albert Tennant do të thoshte: “Ata nuk pushonin një minutë. Ne nuk e mbanim dot ritmin e Dinamos.” 25-30 vjet më vonë, kjo taktikë do të bëhej e pavdekshme nga Johan Cruyff dhe Ajax-i i madh që fitonte Kupen e Kampionëve 3 herë rresht, për të vijuar me Holandën që rrëmbeu zemrat e sport-dashësve në Botërorin e 1974, për t`i thyer ato ne finale. Fatkeqësisht, pak veta e dinë se rrënjët e asaj shfaqeje artistike tulipane në fushën e blertë, i famshmi futboll total, gjenden te turi më pak i njohur që Dinamo e Moskës kreu në nëntorin e 1945.

Më në fund erdhi rradha e ndeshjes së shumëpritur: përballja me Arsenalin. Për Arkadievin, kjo përballje ishte si një ndeshje mes përbindvshit të Frankenshtajnit dhe krijuesit të tij. E gjithë filozofia e përshkruar më lart nuk ishte gjë tjetër veçse “frymë ruse në shpikjen angleze” sic thoshte vetë trajneri rus duke iu referuar skemës bazë: modulit W-M, produkt i mendjes së hollë të Herbert Chapman-it që drejtoi Arsenalin për 9 vjet deri sa vdiq në 1934. Thonë se furtuna e fortë e bën macen dhe miun të flenë bashkë. Me siguri Dinamo duhet t`i jetë dukur e stuhishme londinezëve, përderisa u vendos që ndeshja të luhej në White Hart Lane, shtëpia e Tottenham – rivalëve të urryer të Arsenalit. Po mesa duket, për agoninë e të gjithëve, Zoti kishte vendosur ta shtynte përsëri këtë përballje. Një mjegull e trashë përfshiu Londrën Veriore atë ditë dhe në stadium nuk mund të shihej dot se c`ndodhte në anën tjetër të fushës. Mirëpo arbitri rus Nikolay Latyshev i detyroi lojtarët të dilnin në bar. 30 sekonda kaluan nga fishkëllima e tij dhe Dinamo e pa veten në epërsi. Shumë pak veta e panë golin, por të gjithë dëshmuan më pas një përmbysje spektakolare nga ana e topcinjve. Fraksioni i pare i lojes u mbyll 3-2 për Arsenalin. Në këtë moment mjegulla u rëndua dhe dukej e sigurt se ndeshja do te nderpritej, por për habinë e të gjithëve takimi vazhdoi. Gjithsesi, pjesa e dytë i përngjau më tepër një teatri japonez hijesh dhe u kthye shpejt në një farsë. Dinamo shënoi 2 herë të tjera nga pozicione të parregullta dhe, me raste, të dyja ekipet futën lojtarë ekstra në fushë, megjithëse Dinamo luajti me 12 lojtarë për gati 20 minuta.

Në fund Arsenali u mposht, por kontestimet arritën majën. Kapiteni Cliff Bastin u shpreh se arbitri ishte i gatshëm të quante çdo gol të Dinamos, edhe sikur të ecnin me top në duar. Trajneri Allison akuzoi rusët se i kishin thënë gjyqtarit ta anullonte lojën nëse Arsenali do të mbetej në avantazh. Rusët nga ana tjetër u shprehën se edhe ata kishin dashur ndërprerjen e lojës në pushimin mes pjesëve, por iu tha se ishin vënë baste, ndaj loja duhej vazhduar. Dukshëm të ofenduar, Dinamo u bë gati për t`u kthyer në Rusi, por patën kohë edhe për një ndeshje të fundit ndaj skocezëve të Rangers. Përballë 92 000 të pranishmëve në Ibrox, një rekord më vete ky, një ndeshje e ashpër u zhvillua dhe në fund palët u ndanë në barazim 2-2.

Kur delegacioni u kthye në Moskë, atyre iu rezervua një pritje prej heronjsh. Krahas euforisë ende të freskët prej mposhtjes së Gjermanisë naziste vetëm pak muaj më parë, propaganda sovietike tani kishte një tjetër ushqim të gatshëm për të konsumuar: pamposhtmërine ndaj rivalëve ideologjike të perëndimit. Ndërkohë në Angli, ata më të polarizuarit kishin mbetur me një shije të hidhur nga e gjithë kjo histori. George Orwell do ta bënte këtë ndjenjë subjekt të esesë së tij “Shpirti Sportiv” ku vinte në lojë parimet e fair-playt duke vënë në dukje se konkurrenca fizike e kombinuar me nacionalizëm nxirrte në pah vetëm anët më negative të njeriut. Megjithvse përgjate 90 minutave një pjesë e kësaj deklarate mund të konsiderohet e vërtetë (të dalë një tifoz i zellshëm dhe ta kundershtojë po ia mbajti), e vërteta është se motivacioni i turit anglez të Dinamos ishte dhe mbeti “një shenjë e vullnetit të mirë” mes dy vendeve që kishin ndihmuar njëri-tjetrin në lufte pavarësisht diferencave ideologjike. Për ta mbyllur me fjalët e Sir Stanley Matthews, një prej figurave më të mëdhaja të sportit në historinë e Anglisë: “Shumë kohë ka kaluar që kur udhët tona u kryqëzuan me lojtarët Rusë në atë nëntor të pas luftës. Që atëherë, në zemrat e cdokujt, fjalët Dinamo e Moskës shkojnë krah për krah me konceptin e futbollit me klas.”

Henri BALLA

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU