picmonkey-collage1-620x400Kjo është historia e Ljubiša Broćić: serb, trajner futbolli, qytetar i botës. I lindur në Guça më 3 tetor 1911, Broćić, ish-futbollist dhe profesor i edukimit fizik vjen në Tiranë në vitin 1946 në kuadër të marrëdhënieve të mira të udhëheqësve të Partisë Komuniste të Shqipërisë me homologët e tyre jugosllavë. As më shumë e as më pak, në shtator të atij viti 35 vjeçari i atëhershëm emërohet trajner i kombëtares shqiptare të futbollit. E deri në ditën e sotme, i vetmi me të cilin Shqipëria ka fituar një trofe ndërkombëtar: Kupën e Ballkanit në vitin 1946.

ERDHI, PA, FITOI Ndeshja e parë e Ljubiša Broćić si trajner i Shqipërisë është edhe e para e luajtur ndonjëherë nga kombëtarja kuqezi. Në Shkodër, më 22 shtator 1946, vendasit fitojnë pastër 5-0 në një miqësore ndaj Malit të Zi. E në tetor të atij viti në stadiumin e sapoinauguruar “Qemal Stafa” të Tiranës luhen ndeshjet e Kupës së Ballkanit, edicion në të cilin marrin pjesë Shqipëria, Jugosllavia, Rumania dhe Bullgaria. Kombëtarja shqiptare e drejtuar nga Broćić mundet 2-3 nga Jusgosllavia në ndeshjen e parë (7 tetor) por arrin të fitojë takimet e mbetura: 3-1 ndaj Bullgarisë (9 tetor) dhe 1-0 ndaj Rumanisë (13 tetor). Në renditjen finale Shqipëria renditet e para me 4 pikë, po aq sa edhe Jugosllavia, por arrin të fitojë trofeun falë golavarazhit më të mirë.

JUVENTUS Me prishjen e marrëdhënieve shqiptaro-jusgosllave merr fund edhe aventura e Broćić në krye të stolit kuqezi. Kthehet në Jugosllavi ku drejton disa skuadra të kampionatit vendas deri në vitin 1953, kur si pjesë e delegacionit të kombëtares jugosllave gjatë një udhëtimi në Brazil pikaset duke u përshëndetur me disa emigrantë çetnikë (kroatë). Autoritetet që shoqëronin kombëtaren jugosllave nuk i lejuan kthimin në tokën mëmë e për trajnerin nis “odisea” e tij ndërkombëtare: Egjipt, Liban e më pas një sezon në Hollandë si trajner i PSV Eindhoven më 1957. Në të njëjtin vit në Torino, në zyrat e klubit të Juventus mbërrin një letër ku pak a shumë shkruhej: “Quhem Ljubiša Broćić, flas disa gjuhë të huaja, jam i diplomuar për edukim fizik në Beograd, kam luajtur me Crvena Zvezda e kam fituar Kupën e Ballkanit me Shqipërinë si trajner. Kam trajnuar në Egjipt, Liban e Hollandë. Mendoj se kam përvojën e mjaftueshme për të drejtuar Juventus…” Klubi bardhezi i beson stolin dhe me Broćić në krye vjen edhe kampionati numër 10, ai i yllit të parë në fanellë në fund të sezonit 1957-58.

BARCELONA Trajneri serb largohet nga Juventus një vit më vonë, pas një humbje në Kupën e Kampioneve (7-0 ndaj Wiener Sportklub) dhe mosmarrëveshjeve me yllin e skuadrës, argjentinasin Omar Sivori. Rikthehet te PSV në Hollandë e më 1960 kalon në Spanjë, duke marrë drejtimin e Barcelona-s. Qëndron aty vetëm 6 muaj duke arritur të eleminojë nga Kupa e Kampioneve Real Madrid, fitues 5 herë rresht i 5 edicioneve të para. Skuadra e tij e fundit europiane është Tenerife në Spanjë e më pas eksploron botën duke mësuar futboll në Kuvait, Zelandën e Re, Australi e Bahrein.

Mjeshtri serb ndahet nga jeta më 16 gusht 1995 në Melburn të Australisë, mijëra kilometra larg tokës mëmë, i kujtuar me dashamirësi kudo ku punoi dhe ende rekordmen si trajner i të vetmit trofe ndërkombëtar të fituar nga Shqipëria në vitin e largët 1946.

Andi KASMI

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU