13001156_1703671743225435_592315226760890146_n-620x400Sot në futbollin botëror “refren” është mrekullia sportive e Leicester që me rezultatet në kampionatin anglez është bërë skuadra e dytë e çdo tifozi të lojës së bukur anembanë globit. Puna, këmbëngulja, forca e dëshirës, vendosmëria që po tregojnë në këtë sezon lojtarët e drejtuar nga italiani Claudio Ranieri në një turne me skuadra shumë më të pasura e më mirë të pajisura se Leicester, shërbejnë si model dhe shpresë jo vetëm në futboll por në sfera të ndryshme të jetës: sakrificat e mëdha herët a vonë do të marrin shpërblimin e merituar.

E në kampionatin shqiptar të futbollit që nisi në një mijëvjeçar e përfundoi në tjetrin (1999-2000) qe Tomori i Beratit skuadra që luajti një rol prej protagonisteje duke u shndërruar në një “Leicester” të topkëmbës tonë. Nën drejtimin e trajnerit Kristaq Mile, i veçantë për modelin e tij të flokëve (që zgjateshin deri mbi bel), beratasit bënë një sezon të paharrueshëm duke përfunduar kampionatin në vendin e parë në kuotën e 52 pikëve, po aq sa edhe Tirana. Tomori i atij sezoni financohej nga Ardian Çobo ndërsa baza e skuadrës përbëhej nga lojtarët beratas si Madrit Muxhaj, Arjan Zëre, Eduard Aliaj, Gentian Lako, Klodian Dino, Edmond Gjata, Klodian Arbëri, Elton Fani, Renaldo Tabaku e Afrim Çala dhe të ardhurit nga qytete të tjera si Luan Asllani, Afrim Deliu, Besnik Hasa, Shkëlzen Rustami e Saimir Maloku. Një grup modest lojtarësh e pa yje të mirëpaguar në mesin e tyre por që arriti të zhvillojë një kampionat të jashtëzakonshëm me 15 fitore, 7 barazime dhe 4 humbje.

Por pavarësisht kësaj sipërmarrje të paparë sportive, në fundin e sezonit Tomori i Beratit nuk shpallet kampion i Shqipërisë: rregullorja që parashikonte fitoren e kampionatit nga ekipi që grumbullonte më shumë pikë në ndeshjet direkte (një barazim dhe një fitore për Tomorin në përballjet me Tiranën) do të modifikohej nga FSHF pak përpara përfundimit të turneut. Titulli do të vendosej në ndeshjen direkte, të luajtur në fushën neutrale të Elbasanit. 1-1 rezultati gjate 90’ lojë dhe llotaria e penalltive do të jetë fatlume për bardheblutë: Gabon Besnik Hasa përballë Nallbanit dhe shënon Nevil Dede 11 metërshin e fitores së ndeshjes dhe gjithë kampionatit për Tiranën.

Klodian Arbëri, “Jamie Vardy” nga Berati

Heroi i sezonit 1999-2000 për Tomorin mund të konsiderohet padyshim sulmuesi Klodian Arbëri që në atë kampionat do të realizojë plot 18 gola. Forma e treguar dhe golat e shumtë i mundësuan Arbërit (atëherë në moshën 20 vjeçare) kalimin te Maribor në Slloveni një vit më vonë. Por karriera e sulmuesit nuk qe e shkëlqyer siç premtonte në fillim: për Arbërin sezoni i Tomorit nënkampion qe më i miri në absolut për të. “Përralla” përfundoi atë ditë në stadiumin e Elbasanit.

 Andi KASMI

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU