Tiranasi që luajti në një Europian përpara Shqipërisë

fus_el_salzburg_gercaliu_body_g-2286417Kur më 8 qershor 2008 Austria (vend organizator bashkë me Zvicrën) niste Europianin e saj kundër Kroacisë në Ernst-Happel-Stadion, familja Metani në Tiranë qëndronte e gjitha e mbërthyer përpara televizorit. Në fushë,  në krahun e majtë të mesfushës së rreshtuar nga trajneri Josef Hickersberger, luante pinjolli i tyre, Ronald Gërçaliu.

FILLIMET I lindur në Tiranë më 12 shkurt 1986, Ronald Metani në moshën 12 vjeçare niset në drejtim të Austrisë, aty ku prej vitesh jetonte tezja e tij bashkë me familjen në qytetin e Leibnitz. Ronaldi për arsye dokumentash birësohet nga familja që e mikpret dhe merr mbiemrin Gërçaliu. Hapat e parë në futboll i kishte hedhur në Tiranë në fushën e zezë te qyteti Studenti ndërsa sapo arrin në Austri aktivizohet me grupmoshat e Sturm Graz. Duke djegur etapat, Metani-tashmë-Gërçaliu merr pasaportën austriake në vitin 2001 dhe nis të stërvitet e të aktivizohet në takimet miqësore me skuadrën e parë të Sturm-it. Debutimi në ekipin e të rriturve vjen në moshën 17-vjeçare ndërsa nga sezoni 2004-05 bëhet pjesë e formacionit në klubin ku u rrit si futbollist. Njëkohësisht me promovimet e njëpasnjëshme te Sturm, Gërçaliu grumbullohet rregullisht edhe nga kombëtaret e moshave të Austrisë. Madje me atë U-17 arrin të shpallet i treti në Europianin e asaj grupmoshe të zhvilluar në vitin 2003 në Portugali.

EURO 2008 Ëndrra e debutimit me kombëtaren e madhe kurorëzohet më 17 gusht 2005, kur tiranasi luan 90 minuta në miqësoren Austri-Skoci duke shpërblyer besimin e dhënë nga trajneri Johann Krankl. E ku ndodh kjo? Në Graz, në “shtëpinë” e tij. Gërçaliu bëhet pjesë fikse e kombëtares austriake në fushatën e miqësoreve që paraprijnë Europianin e vitit 2008. Austria si vend organizator e kishte siguruar automatikisht pjesëmarrjen dhe Josef Hickersberger, trajneri i ri i kombëtares, tiranasin e shikonte si një prej lojtarëve me të cilët do të përballonte kompeticionin. Madje i beson një fanellë titullari në ndeshjen hapëse, atë me Kroacinë. “Luhej në shtëpi, publiku ishte euforik dhe rrethoheshim nga një entuziazëm i madh. Austria nuk merrte pjesë prej vitesh në një turne madhor. Në rolin që më aktivizoi trajneri, nuk isha provuar asnjëherë më parë. Surprizë për mua të luaja në krahun e majtë të mesfushës në një kohë që përballë kisha kroatët me emër si Srna e Ćorluka”, tregon Gërçaliu për aSport. Përvoja e mbrojtësit në atë ndeshje por edhe në Europian përfundon në minutën e 69’, kur zëvendësohet nga Ümit Korkmaz.

KLUBET Përveç ekipit ku u rrit, Sturm Graz, mëngjarashi nga Tirana në Austri është aktivizuar edhe me skuadrat e Red Bull Salzburg e Austria Wien. Me të parët është shpallur kampion në sezonin 2009-09 ndërsa me të dytët fitues i kupës në atë 2008-09. “Për nga organizimi Red Bull Salzburg krahasohet me Bayern. Kur bëhesh pjesë e atij klubi nuk të mbetet tjetër veçse të stërvitesh e të luash futboll. Gjatë qëndrimit tim aty jam trajnuar nga Kurt Jara, Giovanni Trapattoni e Co Adriaanse. Ndërsa nga koha kur luaja me Austria Wien, mbaj mend ndeshjet derbi me Rapid”, kujton mbrojtësi me pasaportë austriake. Stacioni tjetër në karrierë është Wiener Neustadt, aty ku gjen si përgatitës atletik Dritan Bahollin, një emër të njohur të futbollit shqiptar në vitet ’90. Deri në momentin fatkeq të dëmtimit që i kushton vendin në kombëtare: “Në sezonin 2010-11 kaloj në Gjermani te Ingolstadt ku një dëmtim në gju më largon 14 muaj nga fusha e blertë. Nuk është pak të mos prekësh top për një kohë aq të gjatë. Më pas luajta në Poloni me ŁKS Łódź vitin e Euro 2012 dhe nga aty kthehem në Gjermani te Erzgebirge Aue ku në klub gjej një figurë si Skerdilajd Curri. Veç aktivitetit sportiv, Curri drejtonte edhe një restorant e shpesh ndalesha aty pas stërvitjes për t’u ushqyer.”

SHQIPËRIA Pas një gjysëm sezoni në Rumani me Universitatea Cluj, Gërçaliu rikthehet në Austri ku luan për Rheindorf Altach. Është momenti për të kurorëzuar një tjetër ëndërr, atë të aktivizimit në kampionatin shqiptar. “Të paktën njëherë në karrierë kisha dëshirë të luaja në Shqipëri. Vetëm me Tiranën, për respekt edhe të familjes time”, shprehet mbrojtësi. Dëshirën e realizon në fillimin e sezonit 2015-16 kur prezantohet si bardheblu, fanellë të cilën e vesh në 24 takime. Përsa i përket temës “Shqipëria”, 30 vjeçari tregon se vite më parë është kontaktuar nga presidenti i FSHF-së, Duka: “Atëherë isha 17 vjeç dhe Duka më kontaktoi e më ofroi të luaja për Shqipërinë, por Austria nuk e lejon mbajtjen e dy pasaportave ndaj ra menjëherë si opsion.” Kur kulmi i karrierës kalon, futbollistët fillojnë e mendojnë se çdo të bëjnë kur “të rriten”. Përjashtim nuk bën as Gërçaliu: “Përvoja në Shqipëri nuk më ka lënë një shije të mirë. Ka shumë mangësi në organizim dhe mungon korrektësia. Po mendoj kthimin në Austri, dua të luaj pranë familjes, atje kam dy djemtë e mi të vegjël. Në të ardhmen dua të punoj me moshat dhe kam dëshirë të ndihmoj talente nga Shqipëria të kalojnë në Austri. Mundësitë që m’u dhanë mua vite më parë, dua t’i jepen edhe më të rinjve. Falë njohjeve që kam, besoj se diçka mund të bëj.”

Kur më 8 qershor 2008 Austria (vend organizator bashkë me Zvicrën) niste Europianin e saj kundër Kroacisë në Ernst-Happel-Stadion, familja Metani në Tiranë qëndronte e gjitha e mbërthyer përpara televizorit. Vitin e fundit familja Metani pati mundësinë që 22 vjeçarin e atëhershëm t’a shikonte nga afër në stadium e jo më nëpërmjet ekranit. Arritje edhe kjo. Edhe pse tani quhet Gërçaliu, Ronaldi nuk e ka harruar origjinën e rrënjët e tij, luajti njëherë për Tiranën e po përgatitet për jetën si i “rritur”. Për kënaqësinë e tij dhe krenarinë e familjes.

Andi KASMI

Leave a Reply