Tifozi skocez: si e pashë Partizanin në Gllasgou në vitin 1979

13568939_1064139660368705_8895514565725903324_o-620x400Në vitin 1979 Partizani u bë skuadra e parë shqiptare e aftë të mundë në fushën e lojës një klub fitues të Champions League. Më 19 shtator, të kuqtë fitonin 1-0 ndaj skocezëve të Celtic me golin e realizuar nga Agim Murati në minutën e 35’.  Luhej për turin e parë eleminator të Champions dhe kampionët e atëhershëm të Shqipërisë bënin surprizën e madhe duke shënuar një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e tyre 70 vjeçare.

Ndeshja e kthimit luhet në Celtic Park të Gllasgout më 3 tetor të të njëjtit vit dhe kampionëve të Skocisë i duhet medoemos fitorja dhe e arrijnë atë me lehtësi. Mundin të kuqtë me rezultatin 4-1 dhe kalojnë në turin tjetër. Pak histori në fushën e blertë, por shumë të tilla jashtë saj.

Histori të cilat na i tregon në një bisedë, 13 vjeçari i atëhershëm Stephen Murray, tifoz i hershëm i plurikampionëve skocezë dhe sot punonjës i Crown Office and Procurator Fiscal Service (sh.red. Prokuroria e Përgjitshme e Skocisë) e i apasionuar pas arkivës së klubit të zemrës. Murray tregon atë që mban mend nga ai 13 tetor i largët, kur sytë e një adoleshenti shikonin me kureshtje lojtarët e veshur me të kuqe që vinin nga një “botë” tjetër: Blloku Lindor…

– Sa vjeç ishit në vitin 1979 Stephen?

– Kur shorti vuri përballë Celtic me Partizanin në vitin 1979, unë isha në moshën 13 vjeçare.

– Çfarë mbani mend nga ndeshja? Ishte kurioz fakti se skuadra juaj e zemrës luante ndaj një kundërshtari që vinte nga Blloku Lindor e që për më tepër ju kishte mundur në ndeshjen e parë?

– Interesi mbi takimin ishte i madh. Shumë pak dihej mbi futbollin shqiptar edhe pse Kilmarnock kishte mundur 17 Nëntorin në vitin 1965. Celtic bëri një apel për këdo që fliste gjuhën shqipe të kontaktonte klubin në mënyrë që të kryente rolin e përkthyesit. Ajo punë u bë më së miri nga Sammy Ozen, shqiptar i vendosur prej kohësh në Fort Williams të Skocisë. Përsa i përket faktit që Partizani vinte nga një vend komunist, kjo nuk përbënte risi për publikun vendas. Celtic kishte luajtur më përpara me Sachsenring Zwickau të Gjermanisë Lindore dhe Wisla Krakow të Polonisë në vitin 1976.

– Si dukeshin lojtarët e Partizanit në sytë e një 13 vjeçari?

– Futbollistët e Partizanit mbanin veshur kostume të markës Adidas dhe dukeshin ezmerë, por shumica e europianëve kanë lëkurë më të errët se ne skocezët (qesh). Ajo që kujtoj mirë është ndrojtja që kishin karshi zhurmës së publikut. Atë ditë në Celtic Park ndodheshin 51.000 njerëz dhe stadiumi buçiste nga thirrjet e tyre. Kujtoj që ndeshja është luajtur në një epokë ku nëpër stadiume ishin të limituar sektorët e vendeve ulur dhe entuziazmi ishte më i madh.

– Po loja në fushë? A qe Partizani mjaftueshëm i fortë për të përballuar Celtic?

– Partizani e nisi mirë dhe shënoi në minutat e parë të ndeshjes kur mbrojtësi i Celtic Alan Sneddon realizoi një autogol spektakolar në portën e tij. Pas këtij episodi u tërhoq i gjithi në mbrojtje deri në fundin e pjesës së parë, por pa rezultat. Lojtari i krahut, Davie Provan, bëri një paraqitje të shkëlqyer. Ai krijoi aksionet e katër golave të Celtic. Skuadra madje humbi edhe një penallti, të cilën e gaboi George McCluskey, duke gjuajtur mbi traversë. Mbrojtja e Partizanit “fuste ujë” nga krahët dhe të katër golat erdhën nga goditjet e këndit (sh.red. gazetat skoceze të nesërmen tregonin se “portieri Musta gaboi në çdo këndore). Lojtarëve të kuq ju desh një kohë e gjatë për të dalë në fushën e lojës në fillim të pjesës së dytë. Asnjëherë nuk u mor vesh pse. Në pjesën e dytë të lojës Partizani u mbrojt më mirë dhe pati mundësinë më të mirë për shënim, kur një gjuajtje e Muratit u prit nga portieri i Celtic Peter Latchford.

– Cili nga lojtarët e Partizanit ju bëri më shumë përshtypje?

– Nuk më vijnë ndërmend emra të veçantë, por sipas asaj që u tha nga lojtarët e Celtic, ata kishin mbetur të impresionuar nga Agim Murati në ndeshjen e parë.

– Si u sollën tifozët e Celtic gjatë ndeshjes?

– Në fundin e ndeshjes tifozët vendas përshëndetën me duartrokitje futbollistët e Partizanit, pasi u sollën në mënyrë sportive gjatë gjithë lojës. Më duhet të shtoj edhe diçka: kur luhej ndeshja, binte shumë shi, faktor që mendoj se nuk e ndihmoi skuadrën mike.

Intervistoi: Andi KASMI

Leave a Reply