“Kapllani, Kapllani, erdhi erdhi Curri!” Në fillimet e viteve 2000 sa herë që luhej një Partizani-Teuta në kryeqytet dhe portën e durrsakëve e mbronte Xhevahir Kapllani, nga sektori i tifozëve të kuq niste kori i mësipërm. Për veshët e një sapo-adoleshenti në fillimet e tij në stadium, fraza, edhe pse ritmikisht e këndshme, ishte e panjohur: Partizani nuk kishte një Curri në fushë, kujt i referoheshin tifozët?
Kori e ka zanafillën në javën e fundit të sezonit 1995-1996. Teuta kryeson kampionatin me 54 pikë, e dyta renditet Tirana me dy pikë më pak dhe me disfavorin e golavarazhit (50-21 durrsakët, 47-21 bardheblutë). Në javën mbyllëse të turneut, durrsakët mbrojnë titullin në Tiranë kundër Partizanit, e po në kryeqytet Tirana pret patosarakët e Albpetrolit.
Gjatë gjithë javës që paraprin ndeshjet, kryeqyteti vlon nga zhurmat, bisedat, marrëveshjet, mosmarrëveshjet, ujditë, nderet, qyfyret e dallaveret. Në Durrës janë më të qetë. “Partizani është jashtë objektivave, pse duhet të luajë fort, për t’i bërë nder rivalëve të përhershëm të Tiranës? Plus kemi edhe avantazhin e diferencës së golave. Fitojmë ne”, mendojnë mes një shëtitje te Vollga e një akullore në bregdet: sezoni i plazhit sapo ka nisur.
Partizani-Teuta luhet në “Selman Stërmasi” ndërsa Tirana-Albpetrol në kompleksin sportiv “Skënder Halili”. Bardheblutë për t’u shpallur kampionë duhet të fitojnë me shumë gola diferencë e të shpresojnë në një ndalesë të durrsakëve në ndeshjen që luhet në orar paralel. Tirana mbyll shpejt e shpejt praktikën e saj ndaj Albepetrolit. 5-1 dhe pak histori në fushë. Shënojnë Prenga, Dede, Fortuzi (dy herë) dhe Malko. Patosarakët e kanë të sigurtë qëndrimin në kategorinë e më të mirëve dhe në vizitën e tyre në Tiranë nuk është se bëjnë atë rezistencën efikase që përdoret për situata të jashtëzakonshme.
Tifozët e Tiranës thërrasin “Partizani, Partizani”
Në ndeshjen tjetër po bëhet nami. Mijëra durrsakë kanë mbërritur në “Selman Stërmasi” me shpresën për të festuar fitoren e titullit. Përballja është e ashpër dhe ndërpritet disa herë. Ka tension në fushë – Partizani luan fort – por edhe në tribuna. Tifozët e Teutës në radio (atëherë kështu informoheshin futbolldashësit) mësojnë rezultatin e Tiranës. Nëse këtu përfundon 0-0 renditja përfundimtare e kampionatit lexon: 1. Tirana 55 pikë (golavarazhi 52-22) / 2. Teuta 55 pikë (50-21).
Në stadium, të sigurt për fitoren e skuadrës së tyre, shikohet të mbërrijnë me makina edhe tifozë të Tiranës. Ironi e fatit: fillojnë të bëjnë tifozllëk për… Partizanin. Bindshëm! Ndërsa durrsakët të acaruar nisin të gjuajnë me gurë. Po u ikën kampionati nga duart.
Skerdilajd Curri, kavajas, 21 vjeç, 166 cm i gjatë luan sezonin e tij të parë me Partizanin dhe askush nuk e mendonte se atë ditë do të shndërrohej në personazhin kryesor të dramës-titull. Minutat e fundit të lojës shikojnë një Teutë të hedhur e gjitha përpara në kërkim të golit të shumëdëshiruar. Në shtesë shtyhet përpara edhe portieri Xhevahir Kapllani. Këtu ndodh “gjëma”: në një sulm të durrsakëve, Curri merr topin në zonën e rreptësisë së Partizanit dhe niset i vetëm në drejtim të sulmit. I lodhur, nuk e kalon vijën e mesit të fushës, por me forcë e lëshon topin drejt portës së boshatisur durrsake. Goli është spektakolar (por i rëndësishëm vetëm për statistikë) për Partizanin, vendimtar për Tiranën dhe fatal për Teutën. Tirana shpallet kampione e Shqipërisë për të 16-n herë.
Hipotezat e tifozëve
Në vitin 1996 Shqipëria endej në një periudhë tranzicioni, tifozët nuk ishin të organizuar si sot dhe rivaliteti Partizani-Tirana jetonte (mesa duket) një lloj “armëpushimi”. President i Tiranës në atë kohë ishte Metush Seferi, që tregtonte në Shqipëri elektroshtëpiake. Sipas tifozëve të Partizanit, lojtarëve të kuq u janë ofruar përveç shumave parash edhe frigoriferë e lavatriçe (për kohën, me vlerë shumë herë më të lartë se tani) për të ndalur Teutën. “Përndryshe nuk «thyenin këmbët» ndaj Durrësit. Tirana atë sezon na kaloi edhe për numrin e titujve të fituar. Ata 16 e ne 15”, thonë ende sot tifozët e kuq e më pas e shkelin gazin: “E nuk duam ta përmendin si nder tifozët e Tiranës. Blenë disa prej lojtarëve.”
Për durrsakët maji i vitit 1996 nuk kujtohet me dëshirë. I besoj! “Çfarë na kujtove. Ajo ditë ka qenë e zezë. Mbi dy orë përpara mbushëm ish-stadiumin «Dinamo». Mijëra durrsakë nëpër shkallë. Nuk e mohoj që edhe gjyqtari na favorizoi, por Partizani gjeti motive shtesë në atë ndeshje.” Një tjetër arsye që shtrojnë tifozët është edhe caktimi i stadiumeve. Ai “Selman Stërmasi”, ashtu si sot edhe atëherë administrohej nga klubi i Tiranës, ju la Partizanit, ndërsa vetë bardheblutë zgjodhën të luanin në kompleksin sportiv “Skënder Halili”. Një bujari e paimagjinueshme në ditët e sotme.
Sot Kapllani nuk luan më futboll e askush nuk ja këndon korin e Currit. Ky i fundit pas një karriere të kaluar në Gjermani si futbollist, tani drejton një restorant me emrin “Rrush” dhe kërkon të ndërmarrë atë të trajnerit.
Andi KASMI