13692516_1160978753944737_2876919616050698792_nShkëndija e Tetovës për herë të parë në historinë e saj ka arritur të kalojë një tur në Europë. Duke mundur në dy takime polakët e Cracovia-s, tetovarët kanë bërë të lumtur tifozët e tyre, qytetin por edhe të gjithë banorët e trevave shqiptare në Maqedoni. Pjesë e dy ndeshjeve historike ishte edhe mbrojtësi nga Kërçova, Ardian Cuculi. Në një bisedë me aSport, 29 vjeçari flet për rëndësinë e madhe të kualifikimit për në turin tjetër të Europa League, vlerën jo vetëm sportive të klubit që përfaqëson dhe objektivat e tetovarëve në vazhdim. Pa harruar t’i urojë fat edhe ish-skuadrës së tij, Partizanit, në prag të dy përballjeve në Champions League me hungarezët e Ferencvaros, Cuculi e mbyll me një mesazh për dy tifozeritë dy muaj përpara ndeshjes Shqipëri-Maqedoni.

–  Përshëndetje Ardian dhe urime për kalimin në turin tjetër të Europa League. Ky kualifikim i jep shtysë Shkëndijes për të vijuar më tej, apo objektivi u arrit?

– Faleminderit. Për ne ishte hera e parë që kalonim një tur në kompeticionet europiane. Arritëm dy fitore të mëdha duke treguar vlerat tona. Shkëndija është më shumë se një skuadër futbolli. Përfaqësojmë fanellën, qytetin, shqiptarët. Treguam se dimë të luftojmë edhe me skuadra të rangut të lartë dhe sigurisht nuk do ndalemi këtu. Me cilësitë që treguam si në ndeshjen e parë ashtu edhe në Poloni, na është shtuar besimi se mund të bëjmë më mirë edhe ndaj kundërshtarit të radhës, Neftçi Baku.

– Thatë se Shkëndija është më tepër se një skuadër futbolli. Ky kualifikim merr edhe vlera tjera, duke parë mbështetësit e shumtë që ka ekipi në Maqedoni…

–  Shkëndija e Tetovës është simbol i shqiptarëve të Maqedonisë. Nuk luajmë vetëm për veten, duke qenë se jemi një kombëtare e vogël. Shpresoj që rruga jonë në Europë të jetë e gjatë për të bërë të lumtur të gjithë këta njerëz që përfaqësojmë.

– Me formën e mirë të shfaqur në Europë, a do synojë Shkëndija titullin në sezonin e ardhshëm?

– Sigurisht. Ne edhe në kampionatin e kaluar ishim të ndërtuar për të arritur objektivin madhor, titullin kampion. Shumë rrethana, që nga fusha asnjanëse e ndeshjeve brenda (sh.red. stadiumi i Tetovës po rikonstruktohet) apo dëmtimi i kapitenit Ferhan Hasani ndikuan në rezultatin përfundimtar. Megjithatë Shkëndija ka ruajtur grupin e sezonit të kaluar dhe nëse vazhdojmë me këto ritme, besoj se jemi në rrugë të mbarë.

– Partizani, skuadra me të cilën jeni aktivizuar në Shqipëri, luan në Champions League me Ferencvaros. Një koment për shortin e të kuqve?

– Partizanit i uroj gjërat më të mira. Kthehet të luajë aty ku i takon falë punës së mirë të presidentit e drejtuesve. Gjej rastin të përshëndes edhe tifozët e shumtë dhe i them se në futboll jo gjithmonë fiton më i miri, apo i favorizuari “në letër”. Shpresat janë për t’u kualifikuar edhe pse kundërshtari është i fortë.

–  Në shtator, Shqipëria e Maqedonia luajnë mes tyre një ndeshje të vlefshme për eleminatoret e Rusi 2018. Ju keni luajtur në kampionatin shqiptar, por numëroni edhe 6 ndeshje me Maqedoninë. Cila skuadër është favorite?

– Shqipëria vjen pas një Europiani të shkëlqyer ndërsa Maqedonia aktualisht po përballet me një ndërrim brezash. Futbolli është i paparashikueshëm por e rëndësishme është që ndeshja të luhet e qetë dhe të mos ketë incidente me përmbajtje nacionaliste, si nga njëra palë ashtu edhe tjetra.

Intervistoi: Andi KASMI

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU