Dueli Lazio-Roma, derbi i kryeqytetit të Italisë, është një sfidë që më tepër se trofetë vlen për nderin e tifozerive përkatëse. Një përballje që shpesh herë e tejkalon kufirin e sportivitetit dhe arrin në ekstreme jo fort të këndshme. Në një ndeshje të tillë, më 16 maj 1943 u vunë për herë të parë dhe të vetme në Romë përballë njëri-tjetrit dy futbollistë shqiptarë: Naim Kryeziu e Loro Boriçi. Në takimin e vlefshëm për çerekfinalet e Kupës së Italisë fituese doli Roma e Kryeziut me rezultatin 2-1 falë edhe një goli të realizuar nga sulmuesi shqiptar. Një histori e dy lojtarëve të veçantë: njëri hapat e parë i hedh te Tirana në kryeqytet e më pas largohet drejt Italisë për të mos u kthyer më; tjetri që në Tiranë kthehet për të bërë Partizanin e madh.
Naim Kryeziu, shqiptari i vetëm fitues i kampionatit italian
Loro Boriçi, trajneri i të vetmit trofe ndërkombëtar fituar nga një klub shqiptar
Shkodrani Loro Boriçi në vitin 1941 transferohet në Romë, duke ju bashkangjitur të vëllait, Markut, i cili jetonte në kryeqytetin e Italisë. Loro nisi studimet e larta për drejtësi në Universitetin La Sapienza si dhe vijoi të ushqejë pasionin e tij për futbollin: në pak kohë ish-sulmuesi i Vllaznisë afrohet te bardhekaltërit e Lacios. Klubit roman i nevojitej një tjetër sulmues për të plotësuar repartin e avancuar, në të cilin yll i padiskutueshëm ishte legjenda e futbollit italian, Silvio Piola. Lorenzo (në Romë thërritej me emrin e tij të pagëzimit) aktivizohet për 3 sezone me Lazio-n, duke hasur vështirësi në gjetjen e hapësirave në formacionin bazë. Në bilancin e tij roman, Loro Boriçi numëron vetën 18 ndeshje e 3 gola të realizuar. Shtypi i kohës për sulmuesin shkodran: “Me shumë mundësi Lacio do të prezantojë përpara publikut edhe afrimin më të ri: sulmuesin shqiptar Boriçi, një element që në stërvitje ka treguar se zotëron të dhëna të cilësisë së parë. Bëhet fjalë për një sulmues shumë të shpejtë e gjithashtu të fortë, që me siguri do t’i shërbejë shumë skuadrës romane.” Pas luftës Boriçi rikthehet në Shqipëri, fillimisht te dashuria e tij e parë futbollistike, Vllaznia, e më pas zhvendoset në Tiranë për të bërë Partizanin e madh. Si trajner i të kuqve, fiton Kupën e Ballkanit për klube më 1970.