13445278_153121355104789_6444372826857773693_nNuk do të harrohet kurrë. Qe hera e parë e Shqipërisë së vogël në një turne shumë të madh.
Nuk do të harrohet kurrë. Qe hera e parë që shqiptarët patën mundësinë të krenohen e të bëjnë tifozllëk për kombëtaren e tyre në një kompeticion madhor.
Nuk do të harrohet kurrë. Qe hera ime e parë si si gazetar e korrespondent nga Shqipëria për një media të huaj, kanalin anglez Copa90. Imagjinoni vetë emocionet e ndjenjat e mia e të familjes sime. Realizohej ëndrra e fëmijërisë.
Kontakti me Copa90 erdhi në momentin që u hodh shorti dhe Shqipëria ra në të njëjtin grup me Francën, Rumaninë e Zvicrën, ku u njoftova për projektin The Fans Daily, pasqyrimin e atmosferës tifozerike nga secili prej 24 vendeve pjesëmarrëse në Euro 2016.
Lidhja ime me kanalin anglez nisi në korrikun e vitit 2015, kur me videon e mëposhtme kandidova për një vend pune në projektin In Search Of. Nuk fitova (ofrohej një vend pune për kontinent), por zhgënjimi i fillimit i la vendin kënaqësisë, krenarisë dhe këmbënguljes për të bërë mirë në momentin që u caktova për të paqyruar atmosferën nga Shqipëria gjatë Europianit francez.
 

 

Bashkë me Selmon bëra disa video prezantuese nga Tirana 10 ditë përpara nisjes së turneut dhe për episodin e parë të The Fans Daily, me titull  “24 Reasons Euro 2016 Will Be Unmissable” – 24 arsyet pse Euro 2016 nuk duhet humbur – u  zgjodh një e tillë e realizuar në pistën e mitikut ende të pashembur “Qemal Stafa”.

Episodi i dytë u publikua më 11 qershor, ku shfaqem duke folur mbi rëndësinë dhe pritshmëritë e ndeshjes debutuese, asaj ndaj Zvicrës. Në gjuhën shqipe them edhe togfjalëshin “Jemi gati”, me të cilën ishte hapur Panorama Sport një ditë më parë.

Përfundimi nuk qe pozitiv, u mundëm nga Zvicra, por në videon e radhës, atë të publikuar më 12 qershor nuk mungoi kënga e thirrjet nga Tirana. “O sa mirë me qenë shqiptar” përtej rezultatit.

Video e publikuar pas ndeshjes me Francën qe edhe më e “vakëta” në përmbajtje përsa i përket Shqipërisë. Humbja 2-0 bëri që edhe hapësira në dispozicion të ishte e pakët. Mëkat, pasi flakadanët nuk munguan.
“Sonte, pasioni i shqiptarëve për kombëtaren e tyre do të arrijë një tjetër nivel.” Me këto fjalë nis kontributi im ditën e ndeshjes me Rumaninë. Shqipëria fitoi, unë mbajta një flakadan në dorë dhe këndova “Xhamadanin” me një grup çunash që po festonin aty. Video e publikuar nga Copa90 për herë të parë mbante një titull me emrin Shqipëri në krye: “Albania’s First Ëin Sparks Epic Scenes” – Fitorja e parë e Shqipërisë shkakton skena epike. Faleminderit Sadiku.
Fatkeqësisht, Europiani ynë përfundoi aty. Me përfundimin e të gjithë kompeticionit Copa 90 publikoi një video përmbledhëse me titull “24 Reasons Euro 2016 Has Been Epic” – 24 arsye pse Euro 2016 qe epike. Aty sigurisht është edhe atmosfera nga Tirana.
 
Çasti më bukur duhej ende të vinte. Me një material të publikuar 3 ditë më parë, Copa90 kishtë bërë një renditje të 10 momenteve më të mira tifozerike gjatë Euro 2016. Në pod, renditur e treta, ishte Shqipëria. Ishim ne pas golit të Sadikut. Ishte Tirana pas fitores me Rumaninë. Më mirë se duartrokitja vikinge e islandezëve, më mirë se kori i famshëm “Will Grigg’s on fire”.  Renditja nuk tregon asgjë, pasi s’është absolute, po kush nuk u zgjodh njëherë i treti në garë me botën dhe nuk u ndje i lumtur mes vetes e vetvetes?!
 
Falenderime:
 
Geri Kapxhiu. Mbështetje e jashtëzakonshme teknike dhe morale. Pesimist i pashoq, profesionist akoma më i madh.
Ergi Kasmi. Për disa prej filmimeve në ndeshjen me Rumaninë dhe kujdesin për mbarëvajtjen e punës në atë mbrëmje.
Keidi Kasmi. Kushëriri ynë i vogël që na solli mbarësi ditën e fitores së parë historike të kombëtares në një Europian. Ishte aty me ne gjithë natën. Pavarësisht moshës së tij të vogël, nuk u ankua asnjëherë se u lodh apo se i hahej bukë. Dashuria për futbollin i dha shumë energji. Tifoz i fituar.
Andi KASMI

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU