13102794_10154116534582769_8743989314073700552_nNesër më 1 maj Leicester City mund të shpallet kampion i Anglisë. Leicester?! Nëse dikush fjalinë e mësipërme do e shkruante në prag të 1 majit të kaluar bota do t’a merrte për të marrë, por klubi i vogël që deri dje ndiqej vetëm brenda kufijve të qytetit të tij sot është shumë pranë (3 pikë) realizimit të sipërmarrjes historike. Leicester-i i vogël mund të fitojë një kampionat përballë gjigandëve të majmë ekonomikisht: arritje që nuk i urohet vetëm nga tifozët e tij por nga çdo ndjekës futbolli (hiq ata të Tottenham) në zonat ku ka ndodhur proçesi i elektrifikimit.
Fenomeni “Leicester” tani shërben si shembull shpresëdhënës për njerëz të thjeshtë, profesionistë, të papunë, hallexhi e ambiciozë në fusha të ndryshme të jetës. Sakrifica dhe forca e dëshirës një ditë shpërblehen dhe suksesi mund të bëhet i ëmbël mjaltë pavarësisht pritjes së gjatë (pritje që shpeshherë të bën të braktisësh qëllimin përfundimtar).
Një “Leicester” vetjak e jeton ai studenti që pavarësisht përfundimit të shkollës me rezultate të larta tani i shërben komunitetit nga pozicione pak të denjë për përgatitjen e tij intelektuale: vendin e mirë ja ka zënë ai shoku i klasës që e kishte babin të kapur apo kishte të dashur vajzën e deputetit/prokurorit/shefit/të fortit të radhës
Një “Leicester” vetjak e jeton ai kryefamiljari që nuk di nga t’ja mbajë sepse s’po ushqen dot fëmijët e tij. Humbi vendin e punës në dëm të Mozës/Jarit/Cenit/Gimit që ishin të devotshëm në fushatë elektorale.
Një “Leicester” vetjak e jeton ai profesionisti që pavarësisht viteve punë është i detyruar të dëgjojë “gazrat” e vazhdueshme të kolegëve të tij më të ri në moshë e që ndodhen aty rastësisht: janë të përkëdhelurit e shefit dhe s’kishin me se ta kalonin kohën ndryshe.
Një “Leicester” dikush diku e jeton përditë, në përmasa më të vogla por po aq të rëndësishme. Lum ai nga këta të mësipërmit që shikon ndonjë ndeshje futboll, të paktën tani ka një shpresë më shumë. Faleminderit Leicester, ti i vërteti në Angli!
 
Dashi Xhika, heroi i papritur
 
Stadiumi “Zeqir Ymeri”, Kukësi 0-0 Partizani. Minuta 45’ pjesës 13119019_1185889121499635_8093244403872420658_nsë parë. Shkakton penallti e del me të kuqe portieri titullar Alban Hoxha. “Dasho bëhu gati”, i thonë Dashamir Xhikës, portierit të dytë. Ende pa lidhur mirë këpucët e pa thërritur shenjtorët personalë për fat, Xhika hyn në fushë, pret penalltinë, mban Partizanin në lojë në Kukës dhe në luftë për titull në kampionat. Skuadra fiton e në pjesën e dytë Dashi bën edhe 2 pritje të tjera vendimtare.
“Të lindësh gati”, i thonë kësaj, por në rastin tonë është deri diku e vërtetë. Kush e njeh ambientin e Partizanit prej vitesh ka dëgjuar fjalinë “ai portieri vogël sa çun i mirë, ka për t’u bo gjithë ai lojtar”, por ngjarjet nuk rodhën kështu. Fillimisht Xhika qe portier i dytë i Orges Shehit, më pas Partizani “udhëtoi” nëpër kategori të ndryshme e “portieri ri – çun i mirë” nisi udhëtimin e tij vetjak duke u bërë personazh në Lezhë e Pukë. Me një specialitet: pritjen e penalltive.
Në Lezhë, një ditë presidenti i Besëlidhjes e pezulloi. Xhika kishte pësuar dy gola, një nga goditja e dënimit e një me 11 metërsh. Mendon: “Ok, ndoshta s’reagova mirë te faulli, mbase vendosa murin keq.” Jo, presidenti e pezulloi se nuk priti penalltinë. Por ndërroi mendje shpejt, ç’të bënte pa të në portë…
Xhika rikthehet te Partizani vitin e kaluar dhe gjen një Alban Hoxha në superformë. Stërvitet me seriozitet, pret çastin e tij që vjen dhe bën krenarë nëpër tribuna ata njerëzit që e mbajnë mend që të vogël: “Ho më a ju pata thonë, ai çuni vogël do bohet njish, s’ha gol ka penalltia ai…”, tha dikush në Kukës.
Pas ndeshjes Dashi deklaron: “Jo i pari e i dyti, por edhe portieri i 5 apo i 6, unë prapë do jap më të mirën time për ekipin dhe do e mbyll karrierën te Partizani!” Në jetë jo vetëm duhet të presësh momentin e duhur, por të tregohesh gati kur të vjen…

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU