CgT5PTJUkAADrC7Dje skuadra e Parma-s siguroi matematikisht ngjitjen nga Serie D (liga e katërt për nga rëndësia në futbollin italian) në Lega Pro, kur duhen edhe 3 javë nga përfundimi i kampionatit. Me 25 fitore, 10 barazime dhe asnjë humbje klubi i famshëm italian, pas falimentimit financiar në vitin e shkuar të shoqëruar me 1001 probleme e mashtrime, nis të ngjisë një e nga një shkallët drejt të kaluarës së lavdishme.

Në stadiumin “Ennio Tardini” arritjen e skuadrës e festuan plot 13.528 tifozë (rekord për kategorinë), 10.000 prej të cilëve të abonuar. Në gëzimin masiv morën pjesë edhe mbështetës të klubit verdheblu nga Hollanda, Kroacia, Polonia dhe Kenia. Përveç arritjes në fushën e blertë, Parma tani është një rast model edhe nga ana e organizimit. Për të bërë të mundur sistemimin e skuadrës dhe nisjen nga e para, në fillim të sezonit 400 tifozë të thjeshtë grumbulluan shumën prej 300 mijë eurosh ndërsa 250 mijë të tjera u vunë në dispozicion nga 7 biznesmenë lokalë, mes tyre edhe Guido Barilla i markës së njohur të makaronave me të njëjtin emër.

President i klubit që prej një viti është emëruar Nevio Scala, trajneri i Parma-s së famshme që fitonte në Itali e në Europë (një Kupa Uefa e një Kupë Kupash nën drejtimin e tij në vitet ’90) ndërsa trajner Luigi Apolloni, mbrojtës në fushën e blertë kur trajner ishte pikërisht Scala. Në organigramën e klubit figurojnë edhe emrat e ish-lojtarëve Minotti, Pizzi e Melli që kanë kontribuar për të ringritur klubin e tyre të zemrës. Kapiten i skuadrës Alessandro Lucarelli, i vetmi i mbetur nga sezoni i kaluar kur Parma luante në Serie A që me pak fjalë sintetizon arritjen aktuale: “Pas shumë mashtrimeve e poshtërsive vitin e kaluar, ky sezon në Serie D më bëri të zbuloj sërish vlerat e lojës së bukur. Shumë pasion e zero biznes. Jam 39 vjeçar por aq i lumtur sa që jam gati të luaj edhe një tjetër kampionat me skuadrën time.” Për t’i hequr kapelen…

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU