PicMonkey CollageMe ngjitjen e Rangers në Premier League-n skoceze, futbolli lokal por edhe dëshira e tifozëve në mbarë botën do të plotësohet me rikthimin e të shumëpriturit “Old Firm”, derbit të Gllasgout: Celtic-Rangers.

 

“Old Firm” (ndërmarrja e vjetër) është shumë më tepër sesa një ndeshje futbolli: ndasitë fetare në këtë përballje janë tepër të theksuara. Klubi i Celtic, themeluar në vitin 1887 nga at Walfrid, përfaqëson komunitetin katolik me prejardhje irlandeze (prej nga edhe ngjyrat sociale bardhë dhe jeshile si flamuri i Irlandës) dhe dallon për bindjet e tij indipendentiste. Ai i Rangers, krijuar më 1872, është klubi i protestantëve dhe mbështetësve të bashkimit me Anglinë. Edhe pse të vendosur në zonën e pasur të qytetit, tifozët e Rangers vuajtën falimentimin e skuadrës së tyre në 2012, ndodhi që e detyroi klubin të zbriste në ligën e katërt skoceze, prej nga siguruan rikthimin në kategorinë e më të mirëve vetëm ditën e djeshme.

Rangers Në skuadrën e komunitetit protestant të Gllasgout deri në vitin 1989 – i pari qe Mo Johnston – ishte i ndaluar afrimi i lojtarëve të besimit katolik (kur flitet për ekstremizëm duhet patur parasysh edhe Europa). Kapiteni i parë katolik i bluve të Gllasgout bëhet italiani Lorenzo Amoruso në sezonin 1998-99. Suksesi më i madh europian i Rangers është fitorja e Kupës së Kupave në vitin 1972 duke mundur në finale Dinamon e Moskës, ndërsa në Skoci është shpallur 54 herë kampion.

Celtic Themeluar nga një prift katolik, klubi u ofronte mundësinë të luanin futboll e të integroheshin bijve të emigrantëve irlandezë në lagjet më të varfra të Gllasgout. Pavarësisht lidhjes me kauzën nacionaliste irlandeze, Celtic asnjëherë nuk ka qenë kundër afrimit të prostestantëve në skuadër, madje trajneri i triumfit në Champions League më 1967 (2-1 në finale ndaj Inter), Jock Stein, kishte prejardhje protestante. Celtic është shpallur 46 herë kampion i Skocisë. Me bardhejeshilët e Gllasgou ka luajtur për 4 sezone edhe shqiptari Rudi Vata, kohë gjatë së cilës fiton Kupën e Skocisë në vitin 1995. Vata do të ketë nderin të shënojë edhe në një Celtic-Rangers më 7 maj 1995.

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU