Derbi i kuq i Anglisë

12835025_10208760375908970_26317979_nI lindur në universitetet dhe shkollat publike në jug të Anglisë, futbolli bëhet për herë të parë fenomen i masave në zonat industriale të veriut. Në hapësirën urbane të Merseyside (qarku i qytetit të Liverpool), në Manchester, në Yorkshire dhe në pjesën verilindore të vendit konsiderohet si një besim fetar më vete.
Manchester United dhe Liverpool janë dy klubet që kanë fituar më shumë herë kampionatin anglez, por rivaliteti mes tyre përfundon në fushën e lojës: jashtë saj kanë shumë pika të përbashkëta, duke nisur nga ngjyra e kuqe e fanellës që shpreh identitetin politik e social të qyteteve që përfaqësojnë.

Liverpool

“Njerëzit mendojnë që futbolli është një çështje për jetë a vdekje. Gabohen. Është shumë më tepër se kaq.”
Bill Shankly, trajner i Liverpool në vitet 1959-1974

Në vitet ’70 dhe ’80 klubi më i suksesshëm në historinë e futbollit anglez, The Reds, ka njohur një vazhdimësi të paprecedent, duke fituar 7 tituj kampionë dhe 4 Champions League nga viti 1976 e deri më 1984. Veçanërisht në periudhën kur drejtohej nga trajneri Bob Paisley. Në vitet ’90 ylli i ri i kampionatit kombëtar bëhet Manchester United e megjithatë Liverpool ruan famën e tij në Europë duke fituar një Kupë UEFA e një tjetër Champions League.

Manchester United

Me stadiumin më të madh të futbollit në Angli e me numrin më të gjerë të tifozëve në planet (sipas sondazheve kalon 5% të popullsisë totale të botës) United ka qenë klubi më i rëndësishëm anglez i 25 viteve të fundit. Merita më e madhe i shkon natyrisht skocezit Alex Ferguson, trajneri më i suksesshëm në futbollin britanik. Manchester United lind në vitin 1878 me emrin Newton Heath, si skuadër e punëtorëve të hekurudhës në Lancashire a Yorkshire dhe merr emrin aktual vetëm në vititn 1920, kur klubi rrezikon falimentimin.

EUROPA LEAGUE Sot dy skuadrat më fituese në historinë e futbollit anglez (62 trofe United e 59 Liverpool) përballen për herë të parë në një sfidë ndërkombëtare, në Europa League. E nëse përplasjet spanjolle karakterizohen nga ndasitë politike, Liverpool-United është një rivalitet vetëm sportiv. Jashtë fushe luftojnë për të njëjtën kauzë (të paktën një pjesë e madhe e të dy tifozerive) siç tregon gazetari italian Paolo Avanti në revistën SportWeek:

Valëvitet një flamur, midis shumë të tjerëve në Kop, tribuna e tifozëve të Liverpool: është i kuq, ka një yll të verdhë lart majtas dhe në të janë edhe profilet e 5 protagonistëve që ngjasojnë më ikonografitë tipike të komunizmit. Në vend të Leninit, Stalinit, Maos janë portretet e 5 trajnerëve të mëdhenj që kanë shkruar historinë e Reds-ave: Bill Shankly, Bob Paisley, Joe Fagan, Kenny Dalglish e Rafa Benitez. Nuk jemi në Sheshin e Kuq të Moskës në kohën e Brezhnievit por në Anfield, në kampionatin më të pasur të botës e në ndjekje të një skuadre që ka një pronar amerikan.
Nuk ka asgjë për t’u çuditur, pavarësisht kontrastit. Ashtu si Manchester United edhe Liverpool është i kuq jo vetëm nga ngjyra e fanellës. Dy skuadrat më fituese të Anglisë (20 herë kampion United, 18 Liverpool) përfaqësojnë dy qytete të mëdha punëtore të Anglisë dhe dy bastione të së majtës. Të kuqe fanellat, i kuq pasioni dhe e kuqe, të paktën për një pjesë të tifozerisë, bindja politike.
Ky fenomen është më i fortë në Liverpool sesa në Manchester (qytet më i pasur dhe djep i liberalizmit anglez). Lidhja mes skuadrës dhe njerëzve në ndjekje të saj, është një karakteristikë e futbollit në Angli, ku loja u përhap gjerësisht nga klasa punëtore. Momenti më domethënës shënohet në vitet ’60, kur në krye të Reds ishte Bill Shankly, trajneri që e bëri të madh Liverpool-in. Shankly, skocez e bir minatorësh ishte socialist deri në palcë, “Ajo që bëjmë të shtunën në fushë i jep një kuptim jetës së punëtorëve. Sepse futbolli është sporti i tyre”, shprehej Shankly. Një tjetër frazë emblematike e trajnerit skocez: “Në një skuadër futbolli ka një Trini të Shenjtë: lojtarët, trajneri e tifozët. Drejtuesit nuk bëjnë pjesë në të. Ata janë aty vetëm për të firmosur çeqe.”
“Lumturoi njerëzit” është epitafi në statujën që i është dedikuar pranë hyrjes në tribunën Kop, në Anfield. I bëri të lumtur duke ndërtuar një skuadër fituese por edhe duke u shqetësuar dhe interesuar për tifozët, shumë prej të cilëve u siguronte bileta, i ndihmonte e i përfshinte.
Përtej ideve politike, prapa prestigjit të futbollit anglez fshihet veçantia e një populli që jo rastësisht kundërshton ashpër futbollin-biznes të ditëve të sotme. Edhe në Old Trafford, lufta ndaj pronarëve amerikanë, komercializimit të lojës dhe çmimit të lartë të biletave vazhdon akoma. Luftë ndoshta e humbur që në nisje ndaj kundërshtarëve ideatorë e zbatues të futbollit modern, por që të paktën kërkon të rikujtojë atë pjesë të shëndoshë të futbollit që qe. Futbollin e flamujve të kuq.

Leave a Reply