Mbrëmjen e 7 majit 1986 Helmuth Duckadam u bë heroi kombëtar i Rumanisë. Nga emri mund të ngjajë me një gjeneral apo politikan gjerman, por personazhi ynë me profesion ka qenë portier dhe mbrëmjen në fjalë mbronte katërkëndëshin e Steaua Bukuresht në finalen e Champions League përballë Barcelonës. Pas përfundimit të 120 minutave lojë me rezultatin e barabartë 0-0, trofeu më prestigjoz në Europë do t’i shkonte skuadrës që do të gabonte më pak nga pika e bardhë e penalltisë. Këtu historia merr trajtën e një legjende dhe protagonist bëhet portieri me mustaqe: Helmuth Duckadam.
POLITIKA Asokohe Europa politikisht ndahej në dy blloqe ndërsa Rumania zyrtarisht ishte Republikë Popullore Socialiste e drejtohej nga Nicolae Ceaușescu. Jo vetëm jeta sociale por edhe futbolli ndryshonte nga ai i sotmi. Surpriza të tilla, ku veç superfuqive të zakonshmë finalet e kompeticioneve më të rëndësishëm mund të diskutoheshin edhe nga klube modestë e skuadra të ardhura nga shtete të vogla, ishin të shpeshta. Në vitet ’80 Champions League është fituar ndër të tjera edhe nga Aston Villa, Hamburg, Porto e PSV.
STEAUA Takimi final i edicionit të vitit 1985-86 luhej në stadiumin “Ramón Sánchez Pizjuán” të Seviljes, në Spanjë dhe nga pikëpamja logjistike Barcelona luante në shtëpi. Por futbolli edhe njëherë tregon se është i paparashikueshëm dhe na bind se në të nuk ka vend për llogari. Në stadium prezencës së rreth 60 mijë tifozëve spanjollë i përgjigjej (sa për të thënë) një grup prej 1 mijë tifozësh rumunë në mbështetje të Steauas. Në rumanisht Ylli i Bukureshtit, klubi i ushtrisë i formuar në vitin 1947, në vitet ’80 njeh kulmin e tij nën drejtimin e trajnerit me origjinë hungareze Emre Jenei dhe kontributit në fushë të lojtarëve Majearu, Iovan, Belodedic, Balint, Bumbescu, László Bölöni, Victor Piturca dhe yllit Marius Lacatus me pseudonimin “bisha”.
HEROI I SEVILJES Favoritët e Barcelonës në finale u përballën me “magjinë” e portierit Helmuth Duckadam, i cili i veshur me bluzën e tij jeshile i pret të gjitha penalltitë e goditura nga lojtarët e klubit katalanas. Plot 4 të tilla (rekord absolut në një finale Champions) dhe “kupa me veshë” merr rrugën e gjatë për në Rumani. Ndërkohë që shumëkush imagjinonte një karrierë të ndritur në të ardhmen e portierit vetëm 27-vjeçar, fati atij i rezervon një tjetër përfundim. Finalja e Seviljes ishte për Duckadam ndeshja e fundit ndërkombëtare.
Misteri i portierit, probleme shëndetësore apo largim i detyruar nga futbolli?!