Culè, pseudonimi i veçantë i tifozëve të Barcelonës

imagesNjë nga skuadrat më popullore në Spanjë e nga fundi i viteve ’90 e deri në ditët e sotme një ndër klubet më prestigjoze në botë, Barcelona nuk përfaqëson vetëm futbollin lokal por të gjithë krenarinë katalanase e cila pasqyrohet edhe në moton e klubit blaugrana, “Mes que un club”.
Një ndër veçoritë e mbështestësve të Barcelonës është edhe pseudonimi i tyre krejtësisht i rrallë, culè, që në gjuhën shqipe përkthehet në prapanicë, të ndenjura ose fundshpinë. Kjo nofkë e ka origjinën në vitet e para të shekullit të kaluar e më saktësisht duhet të kthehemi në vitin 1909, kur skuadra ndeshjet i luante në fushën e stadiumit të vogël në rrugën Carrer de la Indústria. Ky impiant është i pari i përdorur nga Barcelona deri në vitin 1922, kur klubi ndërron “shtëpi” duke kaluar fillimisht në stadiumin Les Corts e për t’u zhvendosur më pas përfundimisht në Camp Nou në vitin 1957.
Stadiumi i parë, ai i rrugës Carrer de la Indústria, kishte një kapacitet prej vetëm 6000 vendesh dhe gjatë ndeshjeve të rëndësishme shumë prej tifozëve që nuk gjenin hapësirë të lirë uleshin mbi muret rrethues për të ndjekur takimin. Këta tifozë që uleshin mbi mure, në një farë mënyre “ekspozonin” prapanicën e tyre nga pjesa e rrugës jashtë stadiumit e që prej asaj kohe lindi edhe pseudonimi “culè” i cili mbërrin deri në ditët e sotme dhe pranohet me krenari nga tifozët e Barçës.

 

Leave a Reply