Jo vetëm karnavale e vajza të bukura, në Rio de Janeiro ka edhe futboll cilësor

08062013-campo-de-futebol-em-favela-do-rio-de-janeiro-1394827249596_956x500Rio de Janeiro është qyteti i dytë më i madh i Brazilit pas São Paulo-s dhe në mbarë botën është i famshëm për karnavalet e përvitshme, plazhet e bukura të Copacabana-s e Ipanema-s dhe statujën gjigante të Jezusit.
Por në këtë shkrim do të flasim për një tjetër krenari të qytetit, 4 skuadrat e futbollit: Fluminense, Flamengo, Botafogo e Vasco da Gama. Gjithmonë nëse do keni durimin të lexoni deri në fund e të mos tundoheni nga karnavalet e Rio-s e të klikoni në Google për të soditur një tjetër kryevepër të qytetit: vajzat.
Fluminense, krijuar nga shtresa e lartë e popullsisë më 1902, është klubi më i vjetër i futbollit në Rio de Janeiro. Në vitin 1911 një grup lojtarësh të pakënaqur largohen nga aty për t’ju bashkangjitur Flamengo-s, që deri atëherë ekzistonte vetëm si skuadër kanotazhi, e krijojnë edhe seksionin e futbollit.
Klubi i Botafogo-s lindi më 1904 si ide e një nxënësi 14 vjeçar të quajtur Flávio Ramos, i cili gjatë orës së algjebrës i shkruan një shoku të klasës: “Itamar ka një skuadër futbolli që luan në rrugën Martin Ferreira. Ta krijojmë edhe ne një, si thua?” Idea u pa nga profesori i algjebrës, i cili i shtyu nxënësit të konkretizonin planin e tyre. Vasco da Gama, edhe ky klub i lindur fillimisht në sportin e kanotazhit, është skuadra e emigrantëve të hershëm portugezë të qytetit.
images-1
Flamengo shumë shpejt arriti të bëhej klubi më popullor në Rio. Ekzistojnë disa teori që mundohen të shpjegojnë faktin por pak prej tyre janë bindëse. Disa thonë që popullariteti u fitua në kohën kur skuadra stërvitej në parqet publike dhe ishte më e lehtë për njerëzit të ndiqnin lojtarët nga afër. Disa të tjerë ja atribuojnë këtë dukuri viteve ’30 e ’40, kur në klub u afruan lojtarët më në zë të kohës, Domingos de Guia, Leônidas e Zizinho. Të tre me prejardhje afrikane, yjet brazilianë ndihmuan klubin të fitojë disa trofe të rëndësishëm dhe një numër të madh tifozësh nëpër favelas. Në Brazil, nëse thërret dikë me nofkën “Flamenguista”, është njëlloj si t’a konsiderosh banor të lagjeve më të varfëra. Sigurisht që ka edhe tifozë të Flamengo-s që vijnë nga shtresa e mesme, por numri më i madh i tyre gjendet pikërisht në pjesën më të vuajtur të shoqërisë.
Në të kundërt nga Flamengo, tifozët e Fluminense vijnë pothuajse të gjithë nga aristokracia e qytetit. E megjithatë ka disa nga ata që edhe pse jetojnë në mjerim, e konsiderojnë veten më lart se rivalët e Flamengo-s vetëm e vetëm se kanë zgjedhur të bëjnë tifo për Fluminense-n. Në vitet ’50 e ’60 Botafogo fitoi reputacionin e klubit që mbështetej nga intelektualët e supersticiozët, ndërsa Vasco përveç komunitetit portugez, gjen mbështetje të madhe edhe te banorët me prejardhje afrikane të qytetit, duke qenë klubi i parë që afroi lojtarët me ngjyrë. Vasco da Gama gjithashtu është i vetmi klub me një stadium të tijin, São Januário, ndërsa tre skuadrat e tjera ndeshjet e tyre i zhvillojnë në mitikun Maracanã.

 

Leave a Reply