Dalkurd, klubi i kombit pa shtet

12717738_10153490674763247_345495180264492876_nKurdistani (në gjuhën persiane “Vendi i kurdëve”) është një rrafshnaltë që shtrihet në Lindjen e Mesme, konkretisht në territoret aktuale të këtyre shteteve: Turqi, Iran, Irak, Siri dhe Armeni. Popullsia kurde që banon në këtë hapësirë është një komb pa një shtet të tijin të pavarur e si rrjedhojë rreth 30-35 milionë kurdë të shpërndarë nëpër botë nuk kanë një skuadër të tyren kombëtare. E tillë nuk mund të konsiderohet ajo e Kurdistanit iraken, përfaqësuese e kurdëve e panjohur zyrtarisht nga FIFA e që e ka të pamundur të garojë në turnetë zyrtarë. Por një klub për të cilin mund të bëjnë tifozllëk, një klub cilësor, kurdët duket se do ta kenë shumë shpejt. Në Börlange, Suedi, 200 kilometra larg Stokholmit, ekziston një skuadër që në emër e në ngjyrat e simboleve kërkon të përfaqësojë pikërisht këtë komb pa shtet. Quhet Dalkurd FF, krijuar 11 vite më parë e me një histori që duket sikur është e huazuar nga një roman. Histori të cilën e tregon në numrin e sotëm të La Gazzetta dello Sport, Giuliano Adaglio.

5 kategori në 12 vite, ja si skuadra i shpëtoi tragjedisë

Krijuar në shtator të vitit 2004 si projekt social për të afruar me sportin të rinjtë emigrantë të zonës, Dalkurd fiton të gjithë kampionatet në të cilët merr pjesë nga 2005 e deri më 2009, duke u ngjitur nga kategoria e shtatë në të tretën e pas një periudhe qetësie, vitin e kaluar vjen edhe kalimi në Superettan, kategoria e dytë e futbollit suedez. Një mrekulli sportive për një skuadër që po për mrekulli i shpëtoi një tragjedie: më 24 mars 2015, të gjithë lojtarët bashkë me stafin teknik (Dalkurd ishte zhvendosur në Spanjë për fazën përgatitore) ndodheshin në aeroportin e Barcelonës, prej nga një fluturim i kompanisë Germanwings me destinacionin Düsseldorf, nuk mbërriti kurrë atje, por u përplas në Alpet franceze (tragjedi në të cilën humbën jetën 150 persona) pas çmendurisë së pilotit të dytë, Andreas Lubitz. Vetëm në momentet e fundit para nisjes, drejtuesit e klubit ndërruan mendje duke gjetur një tjetër mënyrë udhëtimi. Tani që Dalkurd është shumë pranë ngjitjes në kategorinë e më të mirëve, dy vëllezër kanë vendosur të rrisin synimet e tyre. “Në harkun kohor të 5 viteve duam të arrijmë në Champions League”, fjalë të Sarkat Junad, miliarder aktiv në sektorin e telekomunikacionit që bashkë me të vëllanë, Kawa, prej pak kohësh ka marrë 49% të aksioneve të klubit, maksimumi i lejuar nga rregullat suedeze që parashikojnë që klubet sportive duhet të qëndrojnë me një mazhorancë popullore.

Klubi më popullor i Suedisë në… Facebook

“Kurdët janë tifozë me Real Madrid ose Barcelonën, por ne dëshirojmë që të paktën 70% e popullit tonë të konsiderojë Dalkurd si skuadrën e tyrë të parë.” Një projekt ambicioz që vëllezërit biznesmenë kërkojnë t’a realizojnë jo nëpërmjet shpenzimeve faraonike, por falë një programimi cilësor që bazohet te të rinjtë. “Falë klubit duam të vendosim një urë lidhëse mes Suedisë e Kurdistanit: qëllimi ynë është krijimi i dy shkollave futbolli, një në Börlange e tjetra në Kurdistan.” Champions League për momentin duket një objektiv i largët, por baza në të cilën po punohet, të paktën nga pikëpamja e komunikimit nëpër rrjetet sociale është e fortë. Nëse në stadiumin e vjetër Domnarvsvallen, me vështirësi arrin në 500 numri i spektatorëve, faqja zyrtare në Facebook e Dalkurd numëron afërsisht 1.283.000 pëlqime. Për të bërë një krahasim, tre klubet e mëdha të Suedisë (Göteborg, Malmö e Aik) të marra së bashku arrijnë të kalojnë numrin 500.000.

Leave a Reply