Uruguaj 1930, kuriozitete nga botërori i parë

viva-uruguay-1Për vendin organizator të edicionit të parë, FIFA nuk pati mundësi zgjedhjeje: vetëm shteti i Uruguaj ishte në gjendje të përballonte shpenzimet e turneut falë lulëzimit të tregtisë së mishit në atë kohë. Qeveria vendase festoi në të njëjtin vit dy ngjarje të mëdha, 100 vjetorin e krijimit të shtetit dhe Kupën e parë të Botës. Të dyja festat të celebruara në impiantin madhëshor Estadio Centenario, ndërtuar enkas për atë vit special.

FTESAT Federata uruguajane ftoi të gjitha skuadrat përfaqësuese të kohës, por shumë prej tyre refuzuan për shkak të udhëtimit të gjatë. Gjermanët hoqën dorë, të njëjtën gjë bënë edhe skandinavët e britanikët. Francezi Jules Rimet (për 33 vjet me radhë president i FIFA-s) i bindi bashkëkombasit e tij të merrnin pjesë, ndërsa Rumania vendosi të jetë pjesë e botërorit falë princit Karol dhe bashkëshortes së tij: i pari mundësoi anijen për udhëtimin e skuadrës ndërsa e shoqja mori premtimin e një kompanie nafte që do të punësontë të gjithë futbollistët pas përfundimit të turneut. Në botërorin e parë të historisë morën pjesë 13 skuadra.

MONTEVIDEO Rast unik në historinë e botërorëve, të gjitha ndeshjet u luajtën në të njëjtin qytet: Montevideo. Tre qenë stadiumet e kryeqytetit që u përdorën: 10 ndeshje u luajtën në të riun Centenario, 2 në Estadio Pocitos e 6 të tjera në Estadio Parque Central. Punimet për përmirësimin e strukturave vijuan edhe gjatë zhvillimit të turneut.

FINALJA Thuhet se 15.000 argjentinas kaluan kufirin dhe mbërritën në Montevideo për finalen; transfertë e paparë për kohën. 1/5 e meshkujve të rritur në Uruguaj gjithashtu ishin në shkallët e Estadio Centenario dhe vuajtën kur në fundin e pjesës së parë kombëtarja vendase mundej me rezultatin 1-2. Por në përfundim të takimit situata ishte përmbysur dhe Uruguaj fitonte 4-2 ndaj Argjentinës duket bërë të vetin botërorin e parë në historisë e futbollit.

E VEÇANTË Përpara fillimit të finales, të dyja kombëtaret patën pretendimet e tyre se me cilin top duhet të luhej ndeshja. U vendos që pjesa e parë të luhej me topin e zgjedhur nga Argjentina dhe e dyta me topin e preferuar nga Uruguaj. Të dyja skuadrat fituan pjesët në të cilat luanin me topin e “vet”.  

Leave a Reply