Ishte një derbi ndeshja e parë e zyrtare e futbollit

imagesPasditen e 26 dhjetorit të vitit 1860, nën reshjet e dëborës, u shënua goli i parë zyrtar në historinë e një ndeshje futbolli. Autor i tij qe Nathaniel Creswick, një 29 vjeçar nga Sheffield, avokat i ardhshëm dhe i biri i një argjendari. Ndeshja luhej në Sandygate Road dhe midis tyre përballeshin vendasit e Hallam dhe miqtë e Sheffield, skuadra të të njëjtit qytet, duke qenë kështu edhe derbi i parë zyrtar në histori. Takim i përfunduar me rezultatin 0-2, falë golave të Creswick dhe një autori tjetër, emri i të cilit nuk ka mbërritur deri në ditët tona, pasi gazetari i Sheffield Daily Telegraph, në shkrimin e tij nuk tregon të dhënat e lojtarëve por mjaftohet me një “Do më vinte keq të tregoja emrat e zotërinjve që luajtën, pasi secili prej tyre u soll në mënyrë tepër korrekte”.
Madje edhe emri i Nathaniel Creswick është transmetuar gojarsht deri në ditët e sotme. Por ajo pasdite dhjetori e vitit 1860, kujtohet si e para herë kur u luajt një ndeshje e afërt me futbollin e sotëm dhe spektatorët e pranishëm u zbavitën pavarësisht motit të ftohtë. Ishin fillimet e atij që do të bëhej sporti më i përhapur në botë. E nismëtarë do të ishin Nathaniel Creswick dhe miku i tij William Prest, me origjinë nga York.
 
RREGULLORJA Creswick e Prest ishin që të dy lojtarë cricket-i dhe gjetën një mënyrë për të mbajtur trupin në formë gjatë muajve të ftohtë të dimrit. Në vend që të harxhonin kohën nëpër ambiente të mbyllura e me tym duhani duke luajtur shah e bridge, vendosën të krijonin Sheffield Football Club më 24 tetor 1857: është klubi më i vjetër i futbollit në botë. Në universitetet angleze futbolli luhej që më përpara, por pa rregulla, ose më saktë cdo universitet kishte rregullat e veta. Creswick, i cili ishte emëruar llogaritar e sekretar i Sheffield, bashkë me Prest, i zgjedhur zëvendës president e anëtarët e tjerë të kryesisë vendosin të krijojnë një lloj manuali për lojën e futbollit. Lindin kështu më 28 tetor 1858 të ashtuquajturat “Sheffield Rules”, Rregullat e Sheffield, që në vitet në vijim u zgjeruan deri për të ardhur te numri 17 (po aq sa sot). Dy nga pikat kryesore ishin: topi nuk mund të preket me dorë dhe kundërshtari nuk duhet të ndalet më stërkëmbësh. Sipas Rregullave të Sheffield ndëshkoheshin me faulla ndërhyrjet e parregullta ndaj kundërshtarëve dhe në to ekzistonin goditjet e këndit dhe rivëniet anësore.
 
Ai derbi i parë i 26 dhjetorit të vitit 1860 u luajt pikërisht sipas rregullores së Sheffield. Ditë pas dite, loja e futbollit mori një zhvillim të ndjeshëm. Luhej kudo gjendej një park i lirë a një fushë e pa zënë e luhej nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Skuadrat formoheshin sipas një skeme të çuditshme: në njërën luanin ata që mbiemri i fillonte me gërmat nga A te L e në tjetrën ata të cilëve i fillonte nga M te Z. për t’ju rikthyer ndeshjes e njëkohësisht derbit të parë zyrtar, dëshmitë e kohës tregojnë për një Hallam, i veshur me uniformë blu, që hedh në fushën e lojës 14 lojtarë e një Sheffield, veshur me të kuqe, që zbret në fushë me 13 të tillë. Por pavarësisht inferioriteti numerik, të “kuqtë” fitojnë 2-0. Gjithsesi, problemi i futbollit në fillimet e tij ishte një rregullore e njëjtë për të gjithë e kur më 26 tetor 1863 krijohej Football Association në Freemason’s Tavern të Londrës, për bazë merren Rregullat e Sheffield në krijimin e një rregulloreje të përbashkët. Ndërkohë Creswick e Prest, përveç drejtimit të Sheffield Football Club, ndërmarrin respektivisht profesionin e avokatit dhe atë të shitësit të verës. Profesionizmi do të vinte disa dekada më vonë…

 

 

Leave a Reply