Lev Yashin, portieri i vetëm fitues i Topit të Artë

Lev-Yashin-ballon-dorDje u shpall fituesi i Topit të Artë për vitin 2015. Një cmim që në shumicën e rasteve është fituar nga lojtarë që luajnë nga mesfusha e sipër. Ndihmon shumë realizimi i golave. Mbrëmë nuk e përgënjeshtroi këtë rregull as Leo Messi.
E megjithatë dikur, në fillimet e tij, trofeun e ideuar nga revista franceze France Football e ka fituar edhe një portier. I vetmi në histori, rusi Lev Yashin, në vitin 1963. Portierit sovjetik, i cili mbrojti portën e Dinamos së Moskës në 326 takime midis viteve 1950-1970, siti russianfootballnews.com i dedikon një shkrim në të cilin përshkon gjithë karrierën e tij, si me Dinamon ashtu edhe me përfaqësuesen e Bashkimit Sovjetik.
I lindur në Moskë më 22 tetor 1929, Yashin nisi të luajë si portier në skuadrën e fabrikës së armëve, në të cilën punonte në moshë fare të re. Aty ku edhe u zbulua nga klubi i Dinamos së Moskës. Fillimet e tij në portën e Dinamos nuk ishin nga më të thjeshtat. Në ndeshjen e tij të parë, një miqësore, pëson gol nga portieri kundërshtar. Nga porta në portë. Kaq mjafton për të humbur vendin në skuadër dhe për të kryer një lëvizje të cuditshme për ne, por jo për një të ri moskovit. Lev Yashin kalon si portier te skuadra e Dinamos së Moskës në hokej mbi akull, një ndër sportet më popullore në Rusi. Në këtë sport në vitin 1953 fiton Kupën Sovjetike dhe në përfundim të sezonit rithirret në skuadrën e futbollit, pasi dy rivalët e tij në portë, largohen nga klubi.
Kësaj radhe, Yashin shfrytëzon mundësinë që i jepet dhe me të në portë Dinamo e Moskës fiton që në sezonin e parë kampionatin dhe kupën. Forma e mirë e shfaqur, bën që portieri i ri të fitojë një vend titullari në kombëtaren e Bashkimit Sovjetik. Vend që do jetë i tiji për 10 vitet në vazhdim.
Me skuadrën kombëtare arriti të fitojë medaljen e artë në futboll në Olimpiadën Melburn ’56 dhe Kampionatin Europian në vitin 1960. Lev Yashin gjithashtu mori pjesë në katër Kupa Bote. Rezultati më i mirë: vendi i katërt në Angli ’66.
Në vitin 1963, sezon në të cilin fitoi kampionatin e fundit me Dinamon e Moskës, portierit rus ju dha cmimi i Topit të Artë, si lojtari më i mirë në Europë, duke u bërë kështu i pari dhe i vetmi portier të cilit i akordohet ky trofe.
Në portë Yashin paraqitej gjithomnë i veshur me uniformë të zezë, duke fituar kështu epitetet si “merimanga” apo “pantera” e zezë. Sipas specialistëve ngriti në një tjetër dimension rolin e portierit, duke qenë i pari portier që përpiqej të niste aksionin nga vetja e të organizonte repartin e mbrojtjes.
Mjeshtër në pritjen e penalltive (priti rreth 150 të tilla), Lev Yashin nuk pësoi gol në plot 270 ndeshje gjatë karrierës së tij. U largua nga futbolli i luajtur në vitin 1970 e në ndeshjen e tij të lamtumirës morën pjesë plot 100.000 njerëz në Lenin Stadium, Moskë.
I dekoruar me “Urdhërin e Leninit”, titulli më i lartë në Bashkimin Sovjetik, Lev Yashin, duhanpirës kronik (“Përpara ndeshjes një cigare për të qetësuar nervat dhe një gllënjkë vodka për të forcuar muskujt”) u nda nga jeta në vitin 1990 pas një sëmundje të pashërueshme. Në vitin 2000, FIFA e cilësoi si portierin e shekullit XX.

Leave a Reply