12540025_10208509193709994_1825683799_nEdhe sot paradite dola të blej albumin e figurave “Calciatori Panini” të sezonit 2015-2016.
Edhe sot si atëherë, kur në majin e vitit 1998, për herë të parë kisha një album të gjithin për vete: më saktë atë të botërorit Francë ’98.
Përfundoja klasën e parë në shkollën “Kongresi i Lushnjes”, festa e abetares kishte kaluar, tani mësuese Frida na mësonte “Leximin shkollor” dhe unë me pasionin për futbollin përveç librit të leximit, lexoja me ëndje edhe gazetën “Sporti Shqiptar”.
Dëshira për dije mbi sportin tim më të dashur, më bënte kurioz mbi të gjitha gazetat e revistat që trajtonin futboll, por njëra në veçanti më turbullonte mendimet prej kohësh: albumi Calciatori Panini.
Marini i Kiços, një shok i imi i viteve të para të fëmijërisë, kishte një edicion të botërorit USA ’94. Katër vjet më i madh se unë në moshë, ai kishte shansin që sa herë t’i tekej, të shfletonte albumin me fotot e Romario-s, Baggio-s, Baresi-t e Stoichkov. Unë këtë mundësi nuk e kisha (akoma) dhe pas ndeshjeve me një portë te rrugica, ku bëja portierin dhë përvishja mëngët si Gianluca Pagliuca, i kërkoja Marinit të më tregonte edhe njëherë atë “albumin me futbollista”. E shfletoja dhe e rishfletoja dhe në mendje fantazoja për një album komplet timin, të cilin mund ta lexoja pas detyrave të shtëpisë.
Klasës së parë po i afrohej fundi, atë verë në Francë luhej botërori e në lagje me çunat nuk diskutohej tjetër. Mua mendja më rrinte te “Panini”, por kushtonte 200 lek (të reja), shifër që atëherë (isha vetëm 8 vjeç) më dukej sa kartoni i Orelesit sot. Megjithatë vendosa të provoj fatin: “Do ia kërkoj babit nesër para se të iki në shkollë…”
Çuditërisht atë ditë babi më shoqëroi në shkollë, zakonisht shkoja vetë, ndodhej shumë afër shtëpisë. “T’i them a mos t’i them, po sikur të bëhet me nerva?”. “Po pse të bëhet me nerva, s’po i kërkoj lekë për të luajtur me xhitona.”. “Mbase pranon. Edhe ai është tifoz futbolli”. Me këto dilema në kokë e luajta “xholin” tim te shkallët e katit të parë të shkollës: “O ba do m’japësh 2 milek?”. Më pa me habi dhe pa thënë asnjë fjalë, nxorri një kartmonedhë ngjyrë portokalli nga xhepi dhe ma zgjati. “Ik tani se ra zilja”, më tha. O këmbanat e topat le të gjëmonin tani. Unë sapo kisha kapur premion e parë në jetë. Me padurim prisja përfundimin e mësimit që të shkoja te Gashi, emri i pronarit të kioskës ngjyrë jeshile në rrugën “Qazim Vathi”, përballë shkollës dhe në mes tregut të sajuar të fruta perimeve. Te Gashi (edhe sot e kësaj dite nuk e di a është emër burri apo gruaje; legjendat thonin që është burrë po sa herë kam shkuar te ai dyqan, shërbente një grua), shiten akoma artikuj kinkalerie dhe lodra për fëmijë. Sot nuk është më kioskë, urbanizimi ka prekur edhe Gashin e tani dyqani mbështetet mbi mure betoni. Megjithatë fakti qëndron që aty investova lekët e para të jetës tim. Për një kauzë madhore: futbollin…
Me revistën në dorë, i lumtur si askush, i drejtohesha shtëpisë me betejën e radhës: si t’i thoja mamit që kam prishur një “dynja lekë” për të blerë “albumin me futbollista”. Problem që shtyhej për më vonë, atë ditë ishte turn i dytë në punë e kthehej pasdite. E unë kisha kohë të shfletoja e të zbuloja një botë të re për mua. Në revistë ndodhej ai portieri tullac i Francës, numri 10 i Juves që mund të shënonte nga çdo pozicion, portieri Rumanisë që emrin e kishte si mbiemri i sulmuesit të Partizanit, portieri i Paraguajit që bënte gola me ence. Ishte edhe Pagliuca. Ishin të gjithë, e tani unë mund t’i shikoja sa herë të ma kishte qejfi.
Në darkë e fsheha albumin poshtë bluzës dhe u shtriva për të fjetur. Mami që sipas meje akoma s’dinte gjë vjen të më mbulojë me çarçaf dhe e kupton që kam diçka nën bluzë. Nuk më thotë asgjë, më buzëqesh e më uron “natën e mirë”. Mesa duket ka funksinuar diplomacia e babit-sponsor.
Unë përpiqem të fle me mendjen akoma te portieri tullac i Francës (Barthez), numri 10 i Juves që mund të shënonte nga çdo pozicion (Del Piero), portieri Rumanisë (Bogdan Stelea) që emrin e kishte si mbiemri i sulmuesit të Partizanit (Erjon Bogdani) e portieri i Paraguajit që bënte gola me ence (Chilavert).
Kanë kaluar 18 vjet po unë s’qenkam rritur aq shumë.
Andi KASMI
 

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU