12004895_861868963910043_3247291921463734308_nShpeshherë ndodh të na thonë që mendja na punon vetëm për futbollin. Ne që “hamë e pimë” këtë sport gjithë ditën veshin na e vrasin jo rrallë fraza të tipit “Na hongre me kët Partizonin tat” apo “Dako ti vetëm ke Tirona e ke menjen”. Më në veri thuhet “Mjaft me Vllazninë mar po shif për nai punë” ndërsa poshtë Shkumbinit dëgjon nënën ti thotë të birit “Lëre Apoloninë o mavri po shiko të gjesh ndonjë nuse e të mbledhësh mendjen…”.

Kanë të drejtë, por falë futbollit, ne që humbisnim orët e gjeografisë apo të historisë duke menduar encet e Bylykbashit e sprintet e Devi Mukës, i kemi rekuperuar këto njohuri pikërisht falë lojës. Cili jashtë rrethit të futbolldashësve e di ku janë Karpatet? Sfidoj këdo nga ata që nuk ka parë asnjë ndeshje futbolli në jetën e tij të më tregojë me saktësi se cilët janë luzitanët (jo banorët e fshatit në Kavajë), galicianët, partenopeët? Vetëm studentët e fakultetit të gjeografisë. Edhe ata sepse e kanë zgjedhur si degë pasi aq pikë kanë kapur në maturë…

Kur skuadra rumune e Cluj u kualifikua në grupet e Champions të gjithë ne u bëmë ekspertë të jetës dhe bëmave të kontit Dracula: vjen nga i njëjti qytet me klubin në fjalë. Kur Agolli dhe skuadra e tij Qarabag u përballën me Inter në Europa League e gjithë Italia u njoh me konfliktin azero-armen për territorin e Nagorno-Karabakh. Falë popullaritetit të stilit tiqui-taca tashmë Katalonja kërkon pavarësinë nga Spanja. E sa e sa histori të tjera nga këto kanë bërë kuriozë shumë futbolldashës, të cilët dashuria për lojën i ka pasuruar edhe me njohuri të jetës së përgjithshme.

Prandaj në lini ta shijojmë qetësisht pasionin tonë (që qetësi kurrë nuk na dhuron, mjafton dëmtimi i një mesfushori apo një lajm jo optimist merkatoje për të na e prishur terezinë) dhe na ndihmoni të propozojmë futbollin si lëndë në shkolla. Nuk do mbesë më askush për vjeshtë…

 

Andi KASMI

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU