Historia e Pro Vercelli-t, skuadra e provincës 7 herë kampione e Italisë

italian_football_champion_1908Pro Vercelli, një klub provincial, është shpallur plot 7 herë kampion i Italisë. Po aq kampionate të fituara sa Roma, Lazio e Napoli marrë sëbashku. Kjo skuadër e një qyteti të vogël (Vercelli ndodhet midis Milanos e Torinos) përbëhej nga lojtarë të cilët jo vetëm ishin të gjithë italianë, por edhe me origjinë nga Vercelli.
Nga viti 1908 e deri më 1913 e më pas prej vitit 1921 deri më 1923, Pro Vercelli ishte një formacion i pathyeshëm. Në harkun e parë kohor, atë 1908-1913, arriti të fitojë 5 nga 6 kampionatet e luajtur, ndërsa dy të tjerët i fitoi në sezonet 1921-1923.
Pro Vercelli qe i pari klub futbolli modern në Itali, brenda e jashtë fushe. Goditjet e lira dhe ato nga këndi provoheshin gjatë javës në stërvitje. Skuadra praktikonte një lojë që nuk bazohej vetëm në topat e gjatë dhe që dominonte në cdo aspekt kundërshtarin. Një tjetër karakteristikë e skuadrës ishte mosha e saj mesatare: në kampionatin parë të fituar (1908) arrinte në vetëm 20 vjec. Pro Vercelli jepte më të mirën e saj në 20 minutat e fundit të lojës, duke treguar përgatitjen e lartë atletike që përvetësohej në stërvitjet javore.
Një tjetër gjetje e klubit provincial (në letër por jo në vepra) qe besimi dhe investimi te lojtarët e rinj në moshë. Projekt që rezultoi mëse i suksesshëm, duke parë fitoret e shumta gjatë atyre viteve në futbollin italian. Në fushë lojtarët zbrisnin duke veshur një fanellë të bardhe e Pro Vercelli qe i pari klub i ndjekur me besnikëri nga tifozët, të cilët idhujve të tyre i vunë edhe pseudonimin “Luanët”.
Në nder të arritjeve të tyre sportive, në maj të vitit 1913, kombëtarja e Italisë në ndeshjen e saj të parë do të përdorte një bluzë me ngjyrë të bardhë e në formacionin e saj 9 nga 11 titullarë vinin pikërisht nga radhët e Pro Vercelli-t. Falë fitoreve në kampionate, pak përpara fillimit të luftës së I botërore, Pro Vercelli u ftua për një turne në Amerikën Latine.
Pasi fitoi edhe dy kampionate të tjera në vitet ’20, filloi rënia dhe zbehja e shkëlqimit të skuadrës më të fortë të fillim shekullit në Itali. Si klub i një qyteti të vogël, Pro Vercelli, nuk mund të mbante më lojtarët më të mirë të saj, duke qenë se futbolli po bëhej profesionist e skuadra më të fuqishme ekonomikisht e me mbështetje politike e kishin të lehtë t’i joshnin. Një rast i tillë është edhe ai i legjendës Silvio Piola, i cili debutoi te Pro Vercelli, e pas 51 golave të shënuar për skuadrën e tij të parë, kaloi te Lazio, klubi i preferuar i hierarkive fashiste. Në 21 sezone të luajtura në Serinë A, Silvio Piola realizoi plot 290 gola.
Sezoni i fundit për Pro Vercelli-n në Serie A qe ai 1934-1935 e që prej asaj kohe një prej klubeve më të lavdishëm në Itali nuk është ngjitur më në kategorinë e më të mirëve.

INCIDENTI Në kampionatin e vitit 1910, Inter e Pro Vercelli e përfundojnë sezonin me pikë të barabarta. Finalja-titull duhet të luhej në Vercelli për golavarazhin më të mirë të skuadrës vendase, por ditën e ndeshjes shumë prej lojtarë ishin të impenjuar në një turne ushtarak. Klubi kërkoi ndryshimin e datës, kërkesë që u refuzua si nga federata ashtu edhe Inter. Në shenjë proteste Pro Vercelli zbret në fushë me skuadrën e të rinjve dhe mundet nga Inter me rezultatin 10-3. Ja pse fitoi vetëm 5 nga 6 kampionatet e luajtur në harkun kohor 1908-1913.

Leave a Reply