10686893_712175645546043_1820335695948425545_nShumë prej djemve dhe vajzave që frekuentojnë stadiumet në Shqipëri i ka rënë rasti të dëgjojnë shprehje “folklorike” nga më spektakolaret. Disa prej tyre madje, influencohen aq shumë nga këto “perla” spontane sa nisin e i përdorin edhe në dialogjet e jetës së përditshme: në shkollë, punë e palestër. Sa herë ju ka rastisur t’i thoni vëllait apo shokut të ngushtë “Ik, ik, ik” pasi e keni “degjeneruar” në një sfidë në Play Station? Thirrje e cila origjinën e ka nga një tribunë tifozësh.
Futbolli dhe pasioni që e rrethon, depërton shumë kollaj në jetën sociale dhe fjalori që përdoret në të fare thjesht në kulturën popullore. Ja disa prej thirrjeve e shprehjeve “klasike” që na vijnë nga tribunat tona:

Çohu tribuna – E vjetër po aq sa tifozeria ose të paktën që prej kohës kur stadiumet tona janë pajisur me tribuna. Zakonisht nis e përdoret kur skuadra është në avantazh dhe pjesa “përkarshi”, për ta shtuar akoma më tepër dozën e kënaqësisë, kërkon edhe mbështetjen e tifozëve të ulur në tribunë, të cilët janë kryesisht familjarë ose njerëz më të përmbajtur në të bërit tifozllëk.

Iku iku treni – Romantike, por tashmë e dalë jashtë mode. Sistemi hekurudhor shqiptar thuajse nuk ekziston, ndaj është e pavend t’u thërrasësh kundërshtarëve (të cilët lënë stadiumin para kohe, duke qenë se skuadra e tyre po mundet) “iku iku treni”. Do të të përgjigjen “Kemi ardhur me autobus”.

A ke nai gazetë më? – Pyetje e cila dëgjohet shpesh përpara fillimit të ndeshjes. Nuk është etja për informacion, por dëshira për të mos bërë “zhul” pantallonat ose tutat që i shtyn tifozët t’ja bëjnë këtë pyetje njëri-tjetrit. Mjafton një faqe gazetë për t’u mbrojtur nga pluhuri, dy nëse kërkon edhe të mbështetesh në stola.

S’ta lejnë pa tapë – Masat e rrepta të sigurisë zbatohen vetëm te shishet e vogla të ujit. Më mirë të kishe pirë përpara se të vije në stadium. Te dera e stadiumit s’të lejojnë të kalosh pa e hequr tapën dhe ti kur kthehesh për në stolin tënd i thua të tjerëve në shenjë solidariteti: “S’ta lejnë pa tapë”…

Është e lonme – Ose “është e lënë”. Term që i rezervohet kryesisht atyre takimeve kur skuadra mundet. Sikur s’ndodh ndonjëherë. Përdoret më tepër për të gënjyer veten edhe pse hera-herës është e vërtetë.

Motra arbitrit – Është lojtari i 23-të në fushën e lojës. Shumë herë bëhet edhe “ylli” (në këtë rast yllka) i ndeshjes. Aq shumë e aq fort thërritet nga të dyja tifozeritë sa mund të konsiderohet një xhol (term që në lojën me lagje i referohej lojtarit i cili luante me të dyja skuadrat pa patur të drejtën të shënojë gol në asnjërën prej tyre).

Fara t’pjekme, hajde fara – Gra të moshuara ose fëmijë fare të vegjël që mundohen të fitojnë jetesën duke shitur fara të zeza. Dikush i trajton mirë e dikush me fjalor banal: disa prej grave që ushtrojnë këtë profesion kanë mësuar më tepër për seksin në stadiume sesa gjatë vizitave në konsultore.

Kujtime të një fëmijërie të kaluar nëpër tribuna…

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU