Derbi im

12305867_10208192354389209_458019642_nPër një tifoz të Partizanit pragsfida me ata është periudha më e vrullshme dhe emocionuese e jetës. Pas ndeshjes së fundjavës në kampionat, vëmendja dhe energjia e cdonjërit prej nesh përqëndrohen te derbi që po afron.

Zgjimi të hënën në mëngjes, dikush për në punë (dikush në kërkim të një pune) e dikush në shkollë, kalon nëpërmjet leximit të shtypit. Syri shikon vetëm për titujt e kuq, drithërima të përziera me shumë kujtime e njëkohësisht ide për në derbin e radhës kalojnë në zemrat e cdo ultrasi partizanas.

Menjëherë fillojnë “thumbimet” me mesazhe, kush i kujton kundërshtarëve bilancin e fitoreve që anon që prej vitit 1946 nga ana e Partizanit, kush poston në profilin personal në rrjetet e ndryshme sociale fitoren e madhe 4-1, por ka edhe nga ata të tjerët që preferojnë të mbajnë të veshur një fanellë të kuqe në komunitetet e ambientet josportive ku bëjnë pjesë. Një sens përkatësie e identiteti që i bashkon të gjithë tifozët e “demave te kuq” nën stemën e skuadrës së zemrës, Partizanit.

Java vijon me ritme tepër të avashta, pritshmëria e ethshme e bën të shtunën të duket shumë e largët, tensioni rritet, përgatitjet për koreografinë janë “kryefjala” e momentit, objektivi i përjetshëm: “Të jemi me lart se ata, në cdo aspekt” sundon në mendjet e cunave. Familja, paratë, angazhimet, kurset e anglishtes apo matematikës kalojnë në plan të dytë, askush nuk e ka më mendjen aty. Nëse dikush guxon të kerkojë llogari përgjigja është gati, “Kena derbin, nuk merrena me vogëlsina”. Takimet me njëri-tjetrin bëhen përherë e më të shpeshta, secilit i caktohen detyrat përkatëse (a nuk ndodh kështu edhe në një familje?). Që gjithcka të jetë perfekte, gjithkush duhet të sakrifikojë, vetëm në këtë javë nuk mund të gabojmë.

Fundjava afron, fillon numërimi mbrapsht, të premten në darkë, tifozët në moshë më të re kanë deshire që të shtensionohen duke e kthyer ndonjë gotë më tepër e duke rrëmbyer mikrofonin në “karaoke”. Kush vendos këngën e atyre në sfond e ka gati “kundërsulmin”: “Ngjyra kuqe, ngjyre dashnie…”.

Me hare afrohemi drejt orës së shumëpritur, kur vërshëllima e gjyqtarit t’i japë nisje ndeshjes me “N” të madhe. E shtuna paradite përkon me një zgjim sigurisht të hershëm, me një kafe përpara dhe me telefonata ndaj miqve më intimë, të cilëve nuk është e nevojshme t’u shpjegosh pse të dridhet zëri, në fund të fundit ke një javë të tërë që “u shurdhon” veshët me derbin tënd. Pas kësaj një mori mesazhesh me cunat, për detajet e fundit, përgatit “arsenalin” tënd të kuq dhe je gati. Jo më kot këndohet “me uniforma e shalla të armatosur”.

Është derbi im, le të fillojë festa…

Andi KASMI

Leave a Reply