Nga A te Zh, alfabeti i derbit

tirana partizaniPartizani – Tirana zgjat nga 1 janari deri më 31 dhjetor. Nuk ka ndasi fetare e as politike, por për tifozët kjo përballje nuk njeh pushim. Kulmi arrihet në javën që paraprin ndeshjen. Në ambiente pune, shkolle apo aty ku njerëzit kalojnë kohën e lirë, tema “derbi” është ajo kryesorja. Qyteti përfshihet nga “ethet” e kuqe ose bardheblu dhe kjo ndjesi na bën të harrojnë apo të paktën të largojmë mendjen nga hallet e përditshme. Një ngacmim e një thumbim për atë shokun që ka disa derbi që s’po fiton, një kujtesë atij shokut tjetër se cila skuadër ka më shumë kampionate dhe një rifreskim statistikash atij tjetrit akoma, i cili mendon se skuadra e tij ka më shumë tifozë. Ky është derbi i Tiranës, që mesa duket na bën më të komunikueshëm me njëri-tjetrin. Ky është Partizani – Tirana, takim që shoqëron banorët e kryeqytetit, e jo vetëm, që prej vitit 1946. Për folklorin, atmosferën dhe historitë që prodhon, nëse do të ishte person, duhet të vlerësohej me titullin “Qytetar Nderi” i kryeqytetit. Më e pakta që mund t’i ofrohej.

A si Arbeni dhe Agustini ose dyshja Minga-Kola, sulmi i frikshëm i Tiranës së viteve ’80. Të datëlindjes 1959, të dy së bashku kanë shënuar plot 18 gola në ndeshjet derbi.

B si Boriçi, Loro Një shkodran që u shndërrua në legjendë te Partizani. 5 herë kampion me të kuqtë, 2 herë si lojtar e 3 herë si trajner. Drejtoi Partizanin në Kupën e Ballkanit (1970), i vetmi trofe ndërkombëtar i fituar nga një skuadër shqiptare në nivel klubesh.

C si Curri, Skerdilajd sulmuesi kavajas që me golin e tij nga mesi i fushës i hoqi titullin Teutës e ja dha Tiranës. Çudia? Luante me Partizanin. Ishte ndeshja e fundit e sezonit 1995-1996, të kuqtë mundnin durrsakët kryesues ndërsa Tirana parakalonte këta të fundit me fitoren ndaj Albpetrolit. Vëllazëri e munguar…

Ç si Çoçlli, Nikolin Historia e çuditshme e sulmuesit korçar. 3 herë kampion me Tiranën por një mbrëmje shtatori të vitit 2012 u gjend në pankinën e Partizanit.     Trajner i të kuqve në një derbi kupe, i pari që vinte përballë dy skuadra që luanin në dy kategori të ndryshme.

D si Devi Muka ose “Labi fluturues” siç thërritej nga gazetari Bedri Alimehmeti. Kapiten i Tiranës së fundit kampione, me një dobësi për golat në ndeshjet derbi. Një oferte të Xhanit për të kaluar te Partizani ju përgjigj: “Kur të lë futbollin”.

DH si Dhurata më e bukur që mund t’i bëhet tifozëve: një fitore në derbi. Në Tiranë është e vështirë të përcaktosh se cila ndodhi sjell më shumë gëzim, një titull kampion apo dominimi i qytetit. Ndoshta kjo e fundit, duke parë numrin e tifozëve që javën e ndeshjes mblidhen në hotelet respektive të skuadrave e thërrasin zhurmshëm: “Fitoni derbin!”

E si El Sayed, Metwally Presidenti që erdhi nga Egjipti. Ndërtuesi i pallateve “Hawai” në zonën e Laprakës dhe bosi i Tiranës në vitet 1999-2004. Me të në krye, bardheblutë fituan 3 tituj kampion e 2 Kupa Shqipërie. Kujtesë: Urdhëroi që pallatet nga jashtë të lyheshin me ngjyrat e skuadrës.

Ë si ëndrra e tifozëve të të dyja skuadrave për të fituar ndeshjen. Derbi është një përballje e veçantë, një fitore të jep moral dhe të drejtë fjale, ndërsa një humbje të detyron të qëndrosh më gojë mbyllur deri në ndeshjen e ardhshme. Për më oratorët ekziston edhe barazimi…

F si Fatmir Frashëri 2 herë kampion me Partizanin e më pas një idhull te Tirana. Vështirë që dikush t’i afrohet rekordit të tij të vecantë. Kampion me bardheblutë si kapiten, trajner e president. Doni më? Një titull me Dinamon, si trajner në sezonin 1985-1986. All in…

G si Gherardo Bosio Emri i arkitektit italian, falë të cilit sot kemi stadiumin “Qemal Stafa”. I lindur në Firence, Bosio, përveç stadiumit, projektoi edhe Universitetin, Akademinë e Arteve, Kryeministrinë, Hotel “Dajtin” e Pallatin e Brigadave. U nda nga jeta në moshë të re, më 1941, pa patur mundësinë të shijojë një derbi në shkallët e stadiumit që realizoi vetë.

GJ si Gjinali, Zihni Figurë e futbollit në Shipëri, veçanërisht në kryeqytet. Përpara se të bëhej “arkitekt” i Dinamos së sapoformuar në vitin 1950, “usta” Zihniu (nofkë që ju vendos nga komuniteti i futbollit) do të fitonte me Partizanin tre kampionatet e parë të historisë së klubit të kuq.

H si Halili, Skënder Ndoshta lojtari më i mirë i të gjitha kohërave te Tirana. Mbrojtës i lirë, dyluftimet e tij spektakolare me Panon në derbi, tregohen me nostalgji nga tifozët fatlumë që kanë patur mundësinë ti ndjekin nga afër në vitet ’60.

I si Ilir Shulku Tani me kostum e kollare ulet në zyrat e federatës. Vite më parë me shiritin e kapitenit dhe mustaqet karakteristike drejtonte me elegancë mbrojtjen e Partizanit. I pagabueshëm në goditjet e penalltive.

J si Jupi, Redi Trajnerin aktual të Shpresave, të gjithë e mbajnë mend si kapiten të Dinamos, por shiritin e ka mbajtur edhe te Partizani e madje një herë është shpallur edhe kampion me Tiranën.

K si Kolec Kraja Bashkëkohës i Panajot Panos e Robert Jasharit. 8 gola në ndeshjet kundër Tiranës. Rekord: I pari futbollist shqiptar që shënoi në kompeticionet europiane. Partizani 1-1 IFK Norrköping, 12 shtator 1962.

L si Lana Lumi që përshkon mespërmes qytetin dhe është dëshmitar i paanshëm i marshimit të dy tifozerive në rrugën drejt stadiumit.

LL si Llambi, Sllave Nga ato historitë e para dhe pas Luftës së II Botërore. I pari shqiptar që fitoi serie A në Itali me Bolonjën (pa luajtur asnjë minutë). Para luftës dy herë kampion me Tiranën ndërsa pas kthimit nga Italia tre tituj me Partizanin si trajner-lojtar.

M si Myslym Alla Mjeshtër i trajningut shqiptar. Nën drejtimin e profesor “Lymit” Tirana u shpall 4 herë kampione. Ironi e fatit: kampionatin e parë si trajner e fitoi me Partizanin në vitin 1954. I arsimuar në Beograd e Sofie, hodhi për herë të parë në fushën e lojës njëfarë Panajot Pano.

N si Nallbani, Blendi “Tata”, portier cilësor e personazh jashtë fushe. Një karrierë mes Partizanit e Tiranës. Thuhet se është tifoz me të kuqtë, por pas trofeve të shumtë të fituar me bardheblutë, vështirë të flasësh me siguri. Portieri më i ri që ka debutuar në stadiumin anglez “Wembley”, vetëm 17 vjeç.

NJ si Njala, Ramazan Një humorist durrsak në portën e Partizanit. Pjesë e të kuqve në dy vitet e para të historisë së tyre e dy herë kampion, Njala qe dëshmitar i derbit me rezultatin më të thellë: Partizani 8-0 Tirana, 30 mars 1947. Më pas u rikthye në Durrës ku vijoi karrierën si sportist i lojërave me dorë e artist i estradës.

O si Osman Mema I pari i dinastisë Mema (Haxhiu, Osmani, Aliu, Sulejmani e Ardiani) që kaloi te Partizani. Me të kuqtë u shpall 3 herë kampion i Shqipërisë e më pas u rikthye te Tirana ku fitoi edhe 4 tituj të tjerë nën drejtimin e Myslym Allës. 7 kampionate radhazi për “Monin”.

P si Panajot Pano P si poezia. P si Partizani. Futbollisti shqiptar i shekullit të kaluar. I dalë nga ekipet zinxhirë të Tiranës, “greku” (nofkë që rrjedh prej origjinës së tij nga Delvina) do të kalonte te Partizani në vitin 1960 për t’u shndërruar në më të mirin e të gjitha kohërave. Franz Beckenbauer: “Nuk e di nëse Pano do të kujtohet për mua, por unë atë nuk do ta harroj kurrë.” P si përjetësia.

Q si Qamil Teliti Bashkë me Osman Pengilin, janë dy firmat e para në një Partizani-Tirana. Derbin e parë të historisë, më 7 prill 1946, te fusha e Shallvares e vendosën golat e tyre. Fitoi Partizani 2-0.

R si Refik Resmja Kishte një “ves”: shënonte shumë gola. 8 herë golashënuesi më i mirë i kampionatit, 7 herë kampion i Shqipërisë me Partizanin, 59 gola në 23 ndeshje në kampionatin e vitit1951. Rekordmen i rrjetave të tundura në derbi: 14 herë. E kush tjetër?

RR si Rrik Buneci Këngëtari i versionit më të pastër në Youtube të këngës së Tiranës, krijuar nga Mustafa Budini e kënduar për herë të parë nga një tjetër Bunec, Sotiri. Në një version më të ri, nga Kasem Hallulli, këndohet edhe vargu “Tifozat e Tironës s’janë si të Partizonit, e kanë epiqendrën mu ke Vorri Bomit.” Derbi është edhe ky.

S si Selman Stërmasi “Babai” i klubit të Tiranës, disa herë kampion me bardheblutë si trajner e më pas president. I arsimuar në Akademinë Farnesina në Romë, falë njohjeve të tij mundësoi kalimin në futbollin italian të lojtarëve Riza Lushta, Naim Kryeziu e Sllave Llambi. Emrin e tij sot e mban stadiumi i dytë në kryeqytet.

SH si Shallvaret ose fusha ku u luajt derbi i parë në histori, ai i 7 prillit të vitit 1946. Shërbeu si stadium në dekadat përpara Luftës së II Botërore, e më vonë, pas ndërtimit të “Qemal Stafës” (1946) si fushë stërvitore për futbollistë e atletë. Aty ku dikur stërvitej rinia kryeqytetase, sot ndodhen disa pallate, diskoteka e restorante peshku. Sa ka ndryshuar qyteti.

T si Titulli kampion. Në kryeqytet mungon që prej vitit 2010, kur Dinamo shpallej për herë të fundit kampione. Tirana e ka shijuar së fundmi më 2009, ndërsa të kuqtë nuk prekin një medalje të artë që prej vitit të largët 1993. Situatë që ka ngritur vlerën e një fitoreje në derbi. Titull moral.

TH si Thana, Jozef Në shtatorin e vititi 2012, shorti vë përballë në Kupë, Tiranën dhe Partizanin. Për herë të parë në histori, dy ekipet luanin në dy kategori të ndryshme. Në kampin bardheblu “fërkojnë duart”, duan fitore të thellë. Të kuqtë, që luanin në të parën, zbresin në fushë e munden me dinjitet. Ndeshja përfundon 2-1 për Tiranën. Barazimin e përkohshëm për Partizanin e vulos një penallti e Thanës. Kaq mjafton për të hyrë në zemrat e tifozëve.

U si Ultrasët Rivaliteti në Tiranë, për ironi, humor e ngacmime meriton të përfshihet në folklorin popullor. Një qytet me një skuadër, fatkeqësisht nuk do të provojë kurrë ethet sportive që prodhon një Partizani-Tirana. Bukurinë përballjes ja shton edhe performanca gjithmonë në rritje e dy tifogrupeve përkatëse, ajka e derbit.

V si Vasillaq Vangjeli ose shoferi Vaso në filmin “Shoku ynë Tili”, realizim i vitit 1981. Protagonisti kryesor, Tili (interpretuar nga Arben Latifi), ishte tifoz me 17 nëntorin, ndërsa shoferi Vaso mbështeste Partizanin. E famshme batuta e Tilit që i tregonte gjyshes ku kishte qenë: “Në stadium, po ç’e do, kot që vajtëm, hëngrëm dru si herët nga Partizani”. Derbi në kulturën popullore.

X si “Xuxi” ose Josif Kazanxhi. Më 12 qershor 1966, Partizani dhe Tirana, pasi përfundojnë kampionatin me barazi pikësh, diskutojnë titullin në një finale. Golat e Kazanxhiut dhe Ishkës i japin fitoren dhe kampionatin bardhebluve. Në një derbi. “Xuxi”, i famshëm edhe për golin e shënuar ndaj Ajaksit në Tiranë, më 16 shtator 1970.

XH si Xhavit Demneri Sot do të quhej një talent scout. Mjeshtër në zbulimin dhe përzgjedhjen e futbollistëve të rinj në kryeqytet. Më të mirët e historisë kaluan në “sitën” e tij. Pjesë e Tiranës dhe e kombëtares si lojtar, më vonë në bordin teknik që do të krijonte Partizanin më 4 shkurt 1946. Sot emrin e tij e mban një rrugë në kryeqytet.

Y si Ylli Shehu Një “yll” në Partizanin e viteve ’80. Nuhatës goli, driblues dhe kalimin e topit mes këmbëve të kundërshtarit si karakteristikë. Ka thënë: “Në kohën tonë, kush humbiste derbin nuk dilte një javë nga shtëpia.” Nuk kishte pub-e asokohe Ylli.

Z si “Zogu” Indrit Fortuzi. 11 gola kundër Partizanit në derbi. Idhull bardheblu e simbol i rekordeve në Tiranën dominuese të viteve ’90 e 2000. Shënonte pambarimisht dhe pesha e rëndë e ish-numrit 11 ndihet ende te lojtarët e rinj të Tiranës. Çdo afrim në sulm krahasohet me “Zogun”. Asnjë nuk i afrohet.

ZH si Zheraldinjo ose Geraldo do Carmo Junior. Bashkë me nigerianin Prince Guy Ijiebor Ativie shënuan të parët gola të huaj në një Partizani-Tirana. Ishte derbi i parë i sezonit 2002-2003. Një gol nga Amerika Latine e një nga Afrika. Partizani 2-0 Tirana.

 

Andi KASMI

Leave a Reply