Rikthimi i Hungarisë, kombëtares më spektakolare të viteve ’50

CTpJLtZUEAA3F05Kombëtarja hungareze e futbollit bëhet protagoniste e kronikave sportive të nëntorit duke u kualifikuar në Euro 2016. Përfaqësuesja e drejtuar nga trajneri gjerman Bernd Storck kualifikohet për në Europianin e Francës duke mundur dy herë (1-0 dhe 2-1) në play off Norvegjinë. Hungaria rikthehet te luajë nje kompeticion madhor pas 30 vitesh mungesë, herën e fundit merrte pjesë në Kupën e Botës Meksikë ’86, ndërsa në një Europian nuk mat forcat që prej vitit të largët 1972.

Duke lexuar numrat nëpër statistika, një tifoz under 30 do të mendonte për kombëtaren hungareze si një skuadër surprizë e pamësuar për të luajtur në nivele të larta, por historia flet ndryshe. Në vitet ’50 Hungaria luante futbollin më zbavitës në Europë dhe lojtarët e kombëtares magjiare ishin më të lakmuarit nga klubet më në zë të kohës.

HISTORIA Numrat që “gënjejnë” tifozët e rinj në moshë, rikthehen e i tregojnë të vërtetën atyre që hapin librat e historisë së pas Luftës së Dytë Botërore, kur Hungaria nis të quhet Aranycsapat (skuadra e artë). Nga 4 qershori i vitit 1950 e deri më 4 korrik 1954 kombëtarja hungareze koleksionon rekordin e 32 ndeshjeve radhazi pa humbje. 4 vite të “pasuruar” nga një golavarazh prej 144 golash të shënuar dhe vetëm 33 të pësuar.

11752434_838122829617990_1558261605551318399_n
Ferenc Puskás te Real Madrid

“Arkitekti” i këtij formacioni të pathyeshëm është Gusztáv Sebes, ish-mesfushor i MTK Budapest. Kur thërritet të drejtojë kombëtaren, Sebes, me profesion mekanik, mbulon njëkohësisht rolin e zv.Ministrit të Sporteve dhe atë të presidentit të Komitetit Olimpik. Nën drejtimin e tij, Hungaria e viteve ‘50 bëhet epiqendra e futbollit europian, me kualitetin në fushë të yjeve Ferenc Puskás, Sándor Kocsis, József Bozsik dhe Nándor Hidegkuti. Loja që trajneri u “injekton” lojtarëve është revolucionare për kohën. Futbolli i tij është total, njëkohësisht teknik e fizik, i përbërë nga futbollistë të aftë të mbulojnë disa role në fushën e lojës. Një futboll që konsiderohet edhe “socialist”: duhet t’i shërbejë regjimit politik në Budapestin e atyre viteve.

Nëse ka një ndeshje që shënon kulmin e Aranycsapat, e tillë është ajo që luhet kundër Anglisë më 25 nëntor 1953. Teatri: Wembley. Takimi është miqësor por vlen më shumë se një Kupë Bote. Anglezët, si shpikës të futbollit, e cilësonin veten si superiorë dhe nuk marrin pjesë në një botëror deri në vitin 1950, por herë pas here ftojnë në Angli skuadra të ndryshme për të treguar supremacinë e tyre në lojë. Në nëntorin e vitit 1953 i takon Hungarisë. Miqësorja më e famshme në historinë e futbollit përfundon 3-6 në favor të miqve. Është hera e parë që Anglia mundet në shtëpi nga një skuadër jo britanike dhe loja e shfaqur nga Hungaria do të frymëzojë Brazilin e fortë të viteve ’60 dhe Hollandën spektakolare të viteve ’70.

 

ZGJIMI Ëndrra nis të përfundojë me humbjen e Hungarisë në finalen e botërorit Zvicër ’54. Kombëtarja e Sebes mundet nga Gjermania në ndeshjen që njihet në histori me termin “Mrekullia e Bernës”. Në minutën e 8’ të takimit hungarezët janë në avantazh të dy golave, por tabela në fundin e ndeshjes shënon fitoren 3-2 të Gjermanisë. Terreni i rënduar që favorizonte lojën fizike të gjermanëve, aktivizimi Puskás-it të dëmtuar por edhe akuzat e mëvonshme për doping ndaj kampionëve të botës janë disa nga teoritë polemike që shoqërojnë këtë ndeshje që nga 4 korriku i vitit 1954. Kthimi i kombëtares hungareze në atdhe është dramatik. Trajneri dhe lojtarët ofendohen publikisht dhe goditja përfundimtare vjen në vitin 1956, kur në Hungarinë e kryeministrit Imre Nagi shpërthejnë protestat anti-sovjetike (23 tetor-10/11 nëntor). 
Protesta të shtypura vetëm nga forcat e armatosura dhe tanket e mbërritura posacërisht nga Moska, ku humbën jetën rreth 3000 hungarezë e 700 ushtarë sovjetikë.

Gjatë trazirave të Budapestit, skuadra e Honved, në të cilën luanin lojtarët më të mirë hungarezë, mes tyre edhe Ferenc Puskás, ndodhej në Spanjë për një përballje me Atletic Bilbao. Shumë prej futbollistëve vendosin të mos kthehen më në atdhe. Puskás shndërrohet në legjendë te Real Madrid e kthehet disa dekada më vonë në Hungari, aty ku ndahet nga jeta në vitin 2006.

12219375_10153120984442466_7225894001314070525_nSot në kombëtaren hungareze luajnë portieri 39-vjecar Gabor Kiraly, i famshëm për tutat e tij ngjyrë gri dhe i bërë i njohur te gjermanët e Hertha Berlin dhe 21-vjecari Laszlo Kleinhester, i cili debutoi me gol në kombëtare, duke realizuar në takimin e parë play off ndaj Norvegjisë. Kleinhester është formuar si futbollist në Akademinë Puskás: një emër një garanci në futbollin magjiar.

Hungaria të rinjve shqiptarë u sjell ndërmend romanin e njohur për fëmijë “Djemtë e rrugës Pal” me personazhin e dashur të ushtarit Nemecek, ndërsa për tifozët hungarezë Shqipëria është një kujtim i “ëmbël”: ndaj kuqezinjve kombëtarja hungareze ka arritur fitoren më të thellë në histori, 12-0. Luhej në Tiranë më 24 shtator 1950, ishte Hungaria e rekordeve.

Andi KASMI

Leave a Reply