Emocione dhe histori tragjike: Nga skuadra më e fortë e se kaluarës në dominuesen aktuale. “Il derby della Mole” dhe dy tifozeri të pozicionuara larg njëra-tjetrës

IMG-20141129-WA013Në qytet qarkullon legjenda e atij vogëlushit që u rrit e u bë adoleshent, pa gëzuar qoftë edhe një herë të vetme një fitore në derbi. Ishte tifoz i Torinos. Dikush, me humor, shton se fëmija (më pas adoleshent), tashmë është në moshën e duhur për martesë. Nga fitorja e fundit granata (shqip, vishnje) në një derbi, kanë kaluar 19 vite e 17 ndeshje. Daton më 9 prill 1995, triumfi i fundit i Torinos (2-1) në të ashtuquajturin Il derby della Mole. Pothuajse dy dekada vuajtje për tifozët e klubit, që në mbarë botën njihet për tragjedinë e Supergës (një kodër në afërsi të qytetit), në të cilën më 4 maj 1949, humbi jetën në një aksident ajror, skuadra e aftë të fitojë 5 tituj kampion rradhazi (’44-’49). Ishte il Grande Torino. Bacigalupo, Ballarin, Maroso, Grezar, Rigamonti, Castigliano, Menti, Loik, Gabetto, Mazzola, Ossola, formacioni titullar i asaj skuadre, që edhe sot e kësaj dite trasmetohet brez pas brezi e mbahet mend përmendësh edhe nga tifozët e mëvonshëm granata. Vogëlushi që u bë burrë e është gati për martesë, ka me se të krenohet.

Qyteti Torino është qyteti i katërt më i populluar në Itali, pas Romës, Milanos e Napolit dhe forca e tretë ekonomike në vend. Ndodhet në pjesën veriperëndimore të gadishullit Apenin dhe gëzon statusin e një ndër qendrave më të rëndësishme universitare, artistike, turistike dhe shkencore të shtetit fqinj. Torino është djepi i industrisë automobilistike italiane dhe qyteti i markave Fiat, Alfa Romeo e Lancia, që janë në pronësi të familjes Agnelli, e njëjta që financon edhe klubin e Juventusit. Ndër vite qyteti është shquar edhe për kontributin në botën e botimeve, telekomunikacionit, kinemasë dhe sportit, ndërsa në vitin 2015 Torino është zgjedhur si qyteti europian i sportit. Në të jetojnë e punojnë 5.649 shtetas shqiptarë.

Juve-Toro Derbi i Torinos njihet ndryshe edhe si Il derby della Mole, në nder të ndërtesës më të lartë në qytet dhe simbol i tij. E lartë 167, 5 metra, la Mole Antonelliana ndodhet në qendër të qytetit dhe tashmë ka fuksionin e muzeut kombëtar të kinemasë. Klubi më i vjetër në Torino, është Juventus, i krijuar nga një grup studentësh më 1 nëntor të vitit 1897. Skuadra granata lind 9 vite më vonë, më 3 dhjetor 1906, nga një grup njerëzish të larguar për mosmarrëveshje nga klubi bardhezi. Derbi i parë luhet në janarin e vitit 1907 dhe përfundon me rezultatin 2-1 në favor të Torinos. Në total skuadrat janë përballur 230 herë mes tyre. Juventus dominon në statistika me 96 fitore, Torino përgjigjet me 72 të tilla, ndërsa 62 ndeshje janë ndarë në barazim.

Rivaliteti Një ndër nismëtarët e krijimit të FC Torino, ishte Alfred Dick, ish- presidenti zvicerian i Juventus, i cili u largua nga bardhezinjtë pasi ata vendosën të kalonin në nivelin profesionist. Këtu edhe zanafilla e një rivaliteti që zgjat deri në ditët e sotme. Fillimisht tifozë të Juventusit ishin aristokratët torinezë, ndërsa mbështetës të Torinos punëtorët e thjeshtë dhe të rinjtë e shtresave të ulëta. Kjo modë do të ndryshojë në vitet ’60, kur me krijimin e vendeve të reja të punës nga fabrika Fiat, qyteti do te njohë ardhjen masive të punëtorëve nga jugu i Italisë, të cilët ndoshta edhe për hir të rrogës mujore, u bënë tifozë të skuadrës së pronarit. Vendasit, për t’iu kundërvënë të rinjve të sapoardhur në qytetin e tyre, mbrojtën simbolet e Torinogranata.

Stadiumi Në qytet ndodhen dy stadiume, ai Olimpico (28.140 vende) që përdoret nga Torino dhe moderni Juventus Stadium (41.254 vende), në pronësi të klubit bardhezi. Derbi i këtij nëntori shikonte Juventusin si skuadër pritëse, ndaj edhe me detaje mund të përshkruajmë impiantin e inauguruar në vitin 2011. Si fillim duhet thënë që cmimet e biletave janë relativisht të kripura. Kush ka ndërmend të shikojë Juventusin në stadium, duhet të heqë dorë nga një muaj palestër e të mos fusë birrë në gojë të paktën 30 ditë para ndeshjes. Përpos anës financiare duhet theksuar edhe standardi jashtëzakonisht i lartë i këtij impianti dhe kushtet vërtet të rehatshme, që i japin stadiumit hijen e një teatri opere dhe komoditetin e një dhome pritjeje. Në njërin kënd të Juventus Stadium ndodhet muzeu i klubit bardhezi, ku mund të admirohen trofetë e fituar ndër vite por edhe momentet më domethënës të historisë se klubit, që nga krijimi i tij. Në këndin tjetër një qendër tregtare, në të cilën tifozët mund të kalojnë kohën e lirë dhe të konsumojnë kursimet e tyre. Cdo sektor i stadiumit skishte në dispozicion një bar dhe dy tualete, thjeshtësisht të arritshëm shumë funksionaë saqë ishte e pamundur të krijohej radhë e gjatë pritjeje. Për të parë derbin e Torinos nuk bëra palestër për një muaj. Birrën e kam lënë që në verë…

Andi KASMI, Torino, nëntor 2014

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU