Në qytetin më të madh të Zvicrës luhet Grasshopper-Fc Zürich: 5 bashkëkombas janë protagonistë

IMG-20150221-00897Zyrihu është qyteti ku James Joyce, modernist, nje ndër shkrimtarët më me influencë të shek.XX, shkroi romanin “Portreti i artistit në rini” në vitin 1916. Po në Zyrih, Albert Einstein, “babai” i Teorisë së relativitetit dhe fitues i cmimit Nobel për fizikën në vitin 1921, jetoi në katër periudha të ndryshme të jetës së tij. Në qytetin verior të Zvicrës, Vladimir Lenin, revolucionar rus dhe udhëheqësi i parë i Bashkimit Sovjetik, në vitin 1916 përpunoi teoritë e tij politike, të shpjeguara hollësishëm në librin “Imperializmi, faza më e lartë e Kapitalizmit”. Në ditët e sotme në Zyrih jetojnë e punojnë shumë shqiptarë. Mes tyre Amir Abrashi, Burim Kukeli, Armando Sadiku, Berat Djimsiti e Shani Tarashaj. Me profesion futbollistë. Shkuam në Zyrih për t’i parë në një ditë normale pune: gjatë një ndeshjeje futbolli.

UDHËTIMI Rruga nga Milano për në Zyrih me autobus zgjat 3 orë e 30 minuta. Panorama është e larmishme. Nga liqeni i Komos, në tunelin e San Gotardit (16,918 km për 20 minuta, tuneli i dytë më i gjatë në botë) e deri në Alpet e Zvicrës kalimi nga bora në diell dhe anasjelltas nuk ndjehet. Mbërritja në Zyrih është e këndshme. Kuptojmë që nuk jemi të vetmit me statusin e udhëtarit apo të turistit. Qetësohemi dhe marrim një kapucino te një nga baret Starbucks pranë stacionit të trenit. Në 16 binarët e të cilit cdo ditë udhëtojnë midis 350,000 dhe 500,000 pasagjerë. Zürich Hauptbahnhof (në gjermanisht stacioni qendror i Zyrihut) është një ndër nyjet më të rëndësishme të qarkullimit të trenave në Europën perëndimore.
STADIUMI Thonë se rastësia është mbret i botës. Hoteli që kemi prenotuar ndodhet në Badenerstrasse 302. Në të njëjtën rrugë ku që prej vitit 1925, në të bukurin Stadion Letzigrund luhen ndeshjet e skuadrave të qytetit: FC Zürich dhe Grasshopper Club Zürich. Në Letzigrund, stadium me një kapacitet prej 30.000 vendesh, zhvillohet edhe Weltklasse Zürich, takim i përvitshëm i atletikës (i pari daton në vitin 1928), organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF). I inauguruar në vitin 1925, Stadion Letzigrund u rindërtua në kohë rekord (vetëm 2 vjet) për Kampionatin Europian të futbollit Austri-Zvicër 2008. Për këtë motiv njihet ndryshe edhe si “mrekullia” eZyrihut.
PRAGNDESHJA Poshtë dritares së dhomës së hotelit tifozët e Grasshopper, në kolonë i drejtohen stadiumit. Marrëdhëniet e tyre me policinë nuk janë aq shumë diplomatike. Më mirë ti mbajmë perdet mbyllur. Drejtohemi për në Letzigrund nga një rrugë dytësore. Për mediat hyrja është në sektorin numër 1. Punonjësit e stadiumit na drejtojnë për te salla e konferencave për shtyp, aty ku zëdhënësja e Grasshopper (klubi pritës), Soraya, na pajis me lejekalimet për në zonat ku gazetarët e fotografët kanë të drejtë të qëndrojnë. Buzëqeshja dhe mirësjellja mesa duket janë rregulla të detyrueshme për këdo që kërkon të punojë në Letzigrund: të gjithë janë super të disponueshëm. Stolat e stadiumit janë në ngjyrë të kuqe. Sektori ku qëndrojnë tifozët e FC Zürich është pa ndenjëse, në respekt të traditës: të gjithë qëndrojnë në këmbë.

 

DERBI Grasshopper CLUB Zürich, i krijuar më  shtator 1886, është klubi rekordmen për tituj të fituar. Bardheblutë e Zyrihut janë shpallur 27 herë kampionë të Zvicrës. Pavarësisht se nuk fitojnë një kampionat që nga sezoni 2002-03 (në dekadën e fundit statusin e skuadrës për t’u mundur e mban FC Basel), tifozët i këndojnë historisë së tyre të lavdishme. Në sezonin 1977-78, Grasshopper arriti deri në gjysëmfinalet e Kupës UEFA. Lojtari më i dalluar: Amir Abrashi, shqiptar (më poshtë ju tregojmë pse). FC Zürich, 10 vjet më i ri se Grasshopper. 12 herë kampionët e Zvicrës janë krijuar në vitin 1896. Në ndryshim nga rivalët nga i njëjti qytet, tifozët e FC Zürich mund të krenohen me kualifikimin në gjysëmfinalet e Champions League, kur quhej akoma Kupa Europiane. Në sezonin 1963-64 përballë Real Madrid. Në skuadër aktualisht luan Davide Chiumento, me një të kaluar te Juventus në Serie A. Bashkë me të edhe futbollistët e kombëtares tonë Burim Kukeli e Armando Sadiku si edhe Berat Djimsiti, mbrojtesi nga Bujanovci që është kontaktuar së fundmi nga De Biasi.

SHQIPTARËT Për të kuptuar vlerësimin që kanë për Abrashin në ambientin Grasshopper, mjafton të hapësh faqen zyrtare të klubit në internet dhe menjëherë shfaqet figura e futbollistit shqiptar. Ishim dëshmitarë kur në pushimin mes dy pjesëve në ekranin e madh të stadiumit transmetohej reklama e një kompanie materialesh sportive (sponsor i klubit) me protagonist Amir Abrashin. Gjatë bisedës tonë me mesfushorin e kombëtares shqiptare, një tifoz afrohet dhe duke dëgjuar që flasim në shqip drejtohet: “Thuaju mediave në Shqipëri se Amir Abrashi sot ka zgjatur kontratën me Grasshopper.” Batutë. Shqetësimi për një largim të mundshëm të mesfushorit nga kampionati zvicerian është i madh.

Në Zyrih 2.3% e banorëve, rreth 9 mijë persona, flasin në gjuhën shqipe. Në stadium u njohëm me skocezin Nnamdi (me origjinë nga Afrika), zbulues talentesh për llogari të katër klubeve zviceriane. “Me se ushqeheni ju shqiptaët? Të gjithë luani futboll”, pyetja e tij. Nuk ju përgjigjëm “me byrek” edhe pse në Zyrih nuk mungonin restorantet që në menu përmbanin edhe byrekun. Fjala “burek” shihej shpesh nëpër vitrinat e gjelltoreve të qytetit. Meqë jemi te komuniteti shqiptar, a e dini se Shefqet Vërlaci, kryeministër i Shipërisë në dy periudha, (30 mars 1924 – 27 maj 1924 dhe 12 prill 1939 – 4 dhjetor 1941) në Zyrih jetoi ditët e fundit të jetës së tij? Pronari më i madh i tokave në Shqipërinë e vitit 1922, u nda nga jeta pikërisht në këtë qytet më 21 korrik 1946.

Andi KASMI, Zyrih, shkurt 2015

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU