10686893_712175645546043_1820335695948425545_nNëse kampionati shqiptar i futbollit ka arritur të fitojë diçka sezonin e kaluar, ajo është pikërisht tifozeria. Mesatarja gjithnjë në rritje e numrit të shikuesve në shkallët e stadiumit, rivaliteti brenda dhe jashtë fushe, si dhe pasioni për ngjyrat e skuadrës së zemrës , ka bërë që rivaliteti futbollistik të zhvendoset në tribuna si asnjëherë tjetër. Shumë grupe të rinjsh që kërkojnë të imitojnë bashkëmoshataraët e tyre europianë, tashmë janë bërë faktorë të topkëmbës shqiptare. Fanatikë, ultras, komando, apo brigada, të gjithë kanë një gjë të përbashkët, pasionin për stemën e skuadrës së zemrës. Nuk ngurrojnë të shkojnë në çdo cep të Shqipërisë për të ndjekur nga afër idhujt e tyre, harxhojnë shuma të konsiderueshme për dekorin, banderolat apo flamujt, por asgjë nuk i ndal, mjafton që në stadium të jenë superiorë dhe kënga e tyre të dëgjohet më shumë sesa ajo e rivalëve përkarshi. Është ky realiteti më i ri i futbollit tonë, që duket se po fiton sërish popullaritetin e munguar. Nëse më parë njerëzit ndaheshin në tifozë të Partizanit, Tiranës, Vllaznisë apo Flamurtarit, këtu nuk ka asgjë të veçantë, pasi edhe tani ekziston një gjë e tillë, por në mënyrë më të sofistikuar. Tifogrupet janë tendenca më e re e stadiumeve shqiptare. Tifozë fanatikë, me një mënyrë organizimi për t’u patur zili, tashmë janë ata protagonistët e vërtetë në prapavijën e futbollit. Nuk e kanë për gjë të bëjnë kilometra të tëra, apo të lënë mënjanë detyrimet e tjera, pse jo edhe familjare, mjafton që derbi të fitohet, është më i rëndësishëm edhe se vetë titulli kampion. Me ngjyrat që simbolizojnë ekipin që mbështesin dhe këngë “ekskluzive”, në shkallët e stadiumit përballja është një tjetër spektakël…i gjithi për t’u parë. Ndeshjet që në fushë luhen zakonisht në fund të javës, fillojnë shumë më përpara sesa vërëshëllima e gjyqtarit. Përballja nis që të hënën në rrjetin social “facebook”, aty ku nisin batutat, kundërbatutat dhe thumbimet, madje ku shpeshherë lindin edhe këngët e reja që do të këndohen në tribuna, apo sloganet që do të përdoren në përballjen me kundërshtarët. Me krijimin e tifogrupeve, kultura futbollistike në vendin tonë po merr një tjetër zhvillim. Veshje e unifikuar, një cep i tëri në “D2” i zënë, udhëtime në grup dhe këngë në unison, nuk mund të dilet kundër rrymës, të gjithë bashkë për një qëllim. Dhe në rast fitoreje, festa zhvendoset në klubet e natës, aty ku sërish nisin “përplasjet” mes rivalëve. Në karaoke i fituar del kush merr mikrofonin i pari dhe kush e ka këngën më të bukur. Një gjë e tillë ndodh çdo ditë të javës, gjatë gjithë kampionatit. Kur sezoni mbaron fillon tjetri, është sërish e njëjta histori, ata janë po aty…

Grupimet
Por kush janë grupimet e tifozëve që me paraqitjen dhe spektaklin e tyre nëpër tribunat e stadiumeve shqiptare, i japin një tjetër kuptim të parit futboll. Kore në sinkron, fishekzjarre, banderola dhe këngë dedikuar stemës së ekipit të zemrës. Ja disa nga tifogrupet më të njohura të tifozëve shqiptarë…

Tirona Fanatics

Mbështetësit më të zjarrtë të 24 herë kampionëve të Shqipërisë, Tiranës. Të parët në llojin e tyre në kampionatin shqiptar, “Fanatics” janë themeluar tre vite më parë dhe që prej asaj dite numri i anëtarëve të tyre është shumëfishuar. Kryesisht të rinj në moshë, grupimi bardheblu është gjithmonë protagonist në ndeshjet që luan ekipi i tyre i zemrës, Tirana. Spektakli që dhuojnë në tribuna është me të vërtetë unik në kampionatin tonë, ku duhet thënë se “Fanatics” janë ndër më karizmatikët mbështetës përsa i përket banderolave, koreve apo edhe risive të tjera që kanë sjellë në stadiumet shqiptare. Performanca e tyre ka njohur ngritjen më të madhe në sezonin e kaluar, ku pikënisja ka qenë ndeshja Tirana-Milan, e luajtur në muajin tetor. Fitorja e madhe që arritën kampionët e Shqipërisë me klubin më të titulluar të botës, bëri që ekstaza te “Fanatics” të arrinte majat. Kur njerëzit kishin shpenzuar paratë për të parë spektaklin e Ronaldinjos, Inzagit apo Sedorfit, në cepin e tyre karakteristik në “D1”, “Fanatics” tregonin se kush ishin vendasit. Të pranishëm jo vetëm në ndeshjet brenda, por edhe në transfertë, jo pak herë tifozët bardheblu kanë qenë protagonistë edhe në stadiumet e rretheve, me mënyrën e tyre të të bërit tifozllëk dhe qëndrimin e veçantë gjatë gjithë 90’. Ndërkohë që kulmin e vërtetë dhe numrin më të madh të anëtarëve të grupit të tyre, “Fanatics” e arritën në finalen e sezonit të shkuar, ndeshjen e javës së fundit me Vllazninë, ku Tirana arriti të fitonte edhe kampionatin. Përpara ndeshjes postera gjigantë që lajmëronin orarin e ndeshjes dhe thirrja që u bëhej njerëzve për të shkuar në stadium, ndërsa në “Qemal Stafa”, tjetër histori: thuajse të gjithë pa bluza veshur, vetëm me shallin bardheblu në dorë, “Fanatics” shpalosën edhe flamurin gjigand të përgatitur posaçërisht për ndeshjen me Vllazninë, i cili zinte thuajse të gjithë tribunën “D2” me mbishkrimin “Ultra-Fanatics”. Tifogrupi bardheblu njihet edhe për sensin e humorit në banderolat e tyre, ku bien në sy sidomos thumbimet ironike për kundërshtarët. Më interesantet ndër banderolat e nxjerra deri tani janë “Tirona republikë”, “Tirona është droga ime”, “Tr 1920 A”, “You give me all I need”, që i referohen numrit të titujve fituar nga bardheblutë, dashurisë për fanellën dhe thumbat karshi kundërshtarëve. Një tjetër e veçantë e “Fanatics” është edhe pikëtakimi i tyre, që është një bar në një lagje të Tiranës që quhet “Selvia”, aty ku të gjithë bashkë të grupuar, nisen për në stadium. Mendohet se deri tani në tifogrupin “Fanatics”, janë të regjistruar rreth 200 anëtarë.

Brigada e kuqe dhe Komandos Ultras

Përgjigja e kuqe për “Fanatics”. Nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, pasi derbi Partizani-Tirana është po aq “i nxehtë” edhe në tribuna. Në një prej sezoneve më të errëta për klubin e Partizanit, tifozeria mori përsipër situatën për të shpëtuar ekipin e zemrës nga kriza financiare dhe ajo në rezultate. Shumë të rinj pasionantë ndërmorën nisma për të ndihmuar ekipin dhe rezultatet nuk munguan pavarësisht se verdikti i fundit të kampionatit qe i hidhur për tifozerinë e kuqe. Mbështetje maksimale që solli edhe një moral të lartë te lojtarët dhe trajneri Duro, të cilët u bënë edhe ekipi më simpatik i kampionatit duke vërtetuar se mbi të gjitha futbolli nuk është një çështje parash, por zemre mbi të gjitha. Meritën për këtë e kanë tifozët, të cilët u grupuan dhe duke filluar që nga muaji janar e deri në përfundim të kampionatit, kanë dhënë maksimumin në shkallët e tribunave. “Brigada e kuqeP“ dhe “Komandos Ultras” ishin tifogrupet që linden gjatë kësaj peridhe, me tifozë në moshë të re, të cilët ndiqnin ekipin në të gjitha ndeshjet. Me banderola të reja dhe shumë pompozitet në ndeshjet kryesore, këta të rinj arritën më së miri të ngjisnin Partizanin në vendet e para të klasifikimit, përsa i përket tifozëve. Me një organizim që ka ende vend për përmirësim vetë anëtarët e “Komandos Ultras” dhe “Beigades kuqe” theksojnë se mbështetja për Partizanin do jetë maksimale, kudo që rë luajë ekipi, si në kategorinë superiore ashtu edhe në të parën. Tashmë në planet e tyre është thithja e sa më shumë tifozëve për në kampionatin që do të nisë në gusht, me qëllim kryesor grupimin e tifozerisë së Partizanit, që është edhe më e madhja në Shqipëri, në një të vetëm.”Brigada e kuqe” dhe “Komandos Ultras” në sezonin e shkuar spikatën në ndeshjen me Elbasanin, që u zhvillua në “Qemal Stafa” dhe u fitua nga Partizani 2-1, pasi arritën që nëpërmjet lajmërimeve me të ngjitura në formë posterash në muret e kryeqytetit të “thithnin” një numër të madh njerëzish për të mbështetur të kuqtë në një nga sfidat më delikate të sezonit të shkuar. Po ashtu edhe në Lushnjë, kur këta të rinj shpalosën edhe “banerin” e tyre dallues, me ngjyra të kuqe dhe sfond ushtarak, duke respektuar edhe të kaluarën e klubit më popullor në Shqipëri. Tashmë që Partizani ka rënë një kategori më poshtë, këta tifozë premtojnë se nuk do e kursejnë mbështetjen për ekipin e zemrës, kudo që të luajë dhe do të përpiqen që në cdo stadium të Shqipërisë kënga e tyre të dëgjohet më shumë se ajo e kundërshtarëve. A nuk është ky qëllimi i çdo tifozerie?

Tifozët e Vllaznisë “Vllaznit Ultras”

Njihen për masivitetin e tyre në shkallët e stadiumit. Shkodranët kanë pasur edhe një arsye për të qenë të shumtë në numër këtë vit, për faktin se ekipi i tyre është shpallur nënkampion, duke luftuar për titull deri në ndeshjen e fundit të sezonit. Ndërkohë që duket se por rilind sërish një prej tifogrupeve të njohur shkodranë gjatë viteve të fundit “Vllaznit”, të cilët janë parë në ndeshjet e fundit të sezonit të shkuar. Përrveç ndeshjeve në “Loro Boriçi”, ku dihet që ultrasit kuqeblu nuk mungojnë ndonjëherë, ata kanë qenë protagonistë edhe në takimet në transfertë, sidomos në Tiranë, kur të shumtë në numër, kanë udhëtuar bashkë në drejtim të kryeqytetit për të ndjekur skuadrën e tyre të zemrës si në ndeshjen gjysëmfinale të Kupës së Shqipërisë, ashtu edhe në ndeshjen e fundit, ku 6 mijë shkodranë kanë qenë të pranishëm në “Qemal Stafa”, pavarësisht se skuadra e tyre u mund dhe nuk arriti të shpallej kampione e Shqipërisë. Ultrasit kuqeblu dallohen për kulturën e tyre në shkallët e stadiumit dhe nuk ngurrojnë të duartrokasin edhe ekipet kundërshtare kur shfaqin një futboll të bukur, ekskluzivitet ky për tifozët e ekipit 10 herë kampion i Shqipërisë. Tifozët e Vllaznisë janë gjithmonë aty, protagonistë dhe pavarësisht se në sezonin e fundit ekipi që ata përkrahin nuk mundi t’i kënaqë duke fituar titullin, ata e vazhduan mbështetjen e tyre edhe në ndeshjet e Ligës Europiane, madje edhe në Irlandë, pati shkodranë që festuan fitoren 2-1 të Vllaznisë me Sligo Rovers. Vllaznia është ekipi që ka mbështetjen më të madhe në veriun e Shqipërisë dhe janë një nga tifozeritë më interesante dhe pozitive në kampionatin shqiptar të futbollit. Për t’u respektuar.

Tifozët e Lushnjës

Nëse do të kishte një klasifikim edhe për tifozeritë, padyshim që ajo lushnjare në fund të sezonit do të renditej në zonën “Champions”. Një “Roza Haxhiu” i mbushur plot është padyshim meritë e tyre. Kulmin e pjesëmarrjes e kanë patur në derbin e Myzeqesë, Lushnja-Apolonia. Me një dekor të jashtëzakonshëm dhe me rreth 10 mijë njerëz të pranishëm në stadium, ajo ndeshje do të ngelet gjatë në kujtesën e tifozëve lushnjarë edhe për arsyen se përfundoi me fitoren e ekipit të tyre të zemrës 2-1, fitore që e ngrohu edhe më shumë ambientin në stadiumin e Lushnjës. Shumë banderola në mbështetje të skuadrës dhe dedikuar lojtarëve të veçantë, emigrantë që kishin ardhur në Lushnjë posaçërisht për të ndjekur ndeshjen, ishin ndër të tjera faktë që binin në sy në sezonin e shkuar. Me spektaklin e dhuruar në vitin e shkuar, është fat i keq për kampionatin tonë rënia e Lushnjës një kategori më poshtë. Një tjetër ndeshje ku lushnjarët të përfaqësuar nga grupimi i tyre më i njohur “Ultras Karbunara” kanë qenë në lartësinë e duhur, ishte edhe ai me Partizanin në javën e fundit, ku edhe pse në fund u larguan të zhgënjyer, pasi ekipi zbriti një kategori më poshtë, tifozët nuk e kursyen mbështetjen për skudrën e zemrës. Tifozeria e Lushnjës në sezonin që sapo u mbyll ishte ndër më simpatiket e futbollit shqiptar dhe performanca në shkallët e “Roza Haxhiut” ka qenë me të vërtetë për t’u përshëndetur.

Tifozët e Elbasanit

Personazhe gjatë viteve të fundit në stadiumet shqiptare, por jo të tillë në sezonin e shkuar. Tifozët verdheblu njihen për dekorin e tyre dhe ndjekjen e skuadrës edhe në transfertë, por forma e shfaqur nga ekipi i tyre në kampionatin e kaluar nuk ngrohu asnjëherë si duhet një prej tifozerive më të dalluara të kampionatit tonë. Në sezonin 2005-2006, kur Elbasani shpallej kampion, tifogrupet verdheblu si “Tigrat” apo “Armata verdheblu” ishin vërtetë personazhe në kampionatin shqiptar, me performancën e tyre dhe praninë masive si në shkallët e “Ruzhdi Bizhutës” ashtu edhe në ndeshjet në transfertë, ku përballjet nuk ndiheshin vetëm në fushë por edhe “jashtë fushe”, ku protagonistë ishin mbështetësit e Elbasanit. Tifozët ekipit që këtë sezon ra nga kategoria dallohen edhe për rivalitetin që kanë me Tiranën, ku në çdo ndeshje banderolat thumbuese nga të dyja palët nuk mungojnë. Rënia e Elbasanit një kategori më poshtë është një tjetër minus për stadiumet shqiptare, pasi nuk do jetë më i njëjti rivalitet në tribuna kur luajnë elbasanasit dhe do të mungojnë ngjyrat e larmishme nëpër shkallë, karakteristikë verdheblu në sezonet e fundit.

Tifozët e Flamurtarit

Kanë edhe ata pjesën e tyre në zhvillimin e kulturës së tifozllëkut në stadiumet tona në sezonin e shkuar. Shumë më aktivë se herët e tjera dhe janë gëzuar pa masë kur pas më shumë se dy dekadash ekipi i zemrës, arriti të fitojë Kupën e Shqipërisë, çka bëri që gjithçka në Vlorë natën e fitores të vishej kuqezi, në një festë që vazhdoi për ditë me radhë. Dallohen për karakterin e tyre “puro” lab, për fanatizmin karshi origjinës që ndonjëherë shkon deri aty sa krijohet edhe tendenca “Flamurtari i vlonjatëve dhe jo i kroatëve”, që dëgjohej shpesh nga goja e tifozëve të Flamurtarit në kohën kur një pjesë e mirë e lojtarëve dhe e stafit ishin me kombësi kroate. Festa e vlonjatëve për fitimin e kupës ka qenë me të vërtetë i veçantë, pasi Vlora kishte vite që nuk provonte një kënaqësi të tillë, që për më tepër shërbeu për rikthimin në kompeticionet europiane të Flamurtarit, ekipi më i sukseshëm shqiptar në arenën ndërkombëtare. Edhe në ndeshjen e parë, e vlefshme për Ligën Europiane, kundër Mathëruell, pavarësisht temperaturave dhe çmimit të lartë të biletave, tifozët bregdetarë e mbështetën fuqishëm ekipin e tyre që arriti një tjetër fitore europiane. Me formën e lojtarëve dhe “agresivitetin” e tifozëve, mos ndoshta historia po përsëritet?

Të tjerët

Që nga tifozët e Apolonisë e deri ata të Besës, që nga peqinasit, ballshiotët, apo durrsakët, te të gjithë dallon dashuria për ngjyrat e ekipit, pasioni për stemën dhe fanatizmi për të qenë më lart se kundërshtarët rivalë.

Tifozët e Apolonisë- Në një formë të shkëlqyer gjatë sezonit të kaluar. Nuk “përtojnë” të mbushin stadiumin në çdo javë dhe ë ndjekin Apoloninë edhe në ndeshjet në transfertë. Me banderola dhe dekore ku dallon ngjyra jeshile, ulrasit fierakë përfaqësohen nga tifogrupi i tyre “Brigada C”, të cilët janë edhe ndër më të njohurit që mbështesin Apoloninë bashkë me shoqatën “Miqtë e Apolonisë”.

Tifozët e Besës- Janë mirë kur ekipi fiton, por ndoshta duhet të bëjnë më mirë në të ardhmen. E veçanta e tyre është Kasem Hyka, tifozi i njohur kavajas që me daullen e tij në stadium e krahasojnë me Manolon e famshëm spanjoll.

Dinamovitët- Janë më të pakët në numër së “kushërinjtë” e Partizanit dhe të Tiranës, por jo më pak të zjarrtë. Kanë filluar të organizohen, sidomos në ndeshjet derbi, por emri i madh i ekipit që mbështesin, meriton më shumë njerëz në tribuna.

Tifozët e Shkumbinit- Mjaftohen me praninë e shumtë në shkallët e fushës së tyre sportive. Kur ekipi pretendon, atje në qytetin e vogël adrenalina rritet, por ndonjë shishe më pak e hedhur në fushë, nuk do të ishte keq.

Tifozët e Teutës- Kryesisht të pakët në numër, por që nuk e kursejnë mbështetjen për Teutën. Nëse do të merrnin pak më shumë protagonizëm edhe “Djemtë e detit” do të kishin disa pikë më shumë në tabelën e renditjes.

Tifozët e Bylisit- Kanë mbështetur gjatë gjithë sezoni skuadrën e zemrës, por forma e ekipit nuk ka qenë shtysë për ta.

  Andi KASMI, “Sportekspres”, 24 korrik 2009

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU