B_mUEzXWwAAqsn4Aldo dhe Elvira Manaj, janë një çift të rinjsh nga Lushnja që në vitin 2000 lënë qytetin e tyre për t’u zhvendosur në Itali. Në kërkim të një jetese më të mirë dhe për t’i siguruar të ardhmen fëmijëve të tyre të vegjël: vajzës 7 vjeçare dhe djalit vetëm 3 vjeç. Sot djali i çiftit Manaj, që quhet Rei, është 18 vjeç, 184 cm i gjatë dhe luan futboll me skuadrën e Cremonese-s. Mban numrin “9” në shpinë dhe është lojtari kryesor i ekipit, në të cilin dikur aktivizohej njëfarë Gianluca Vialli, futbollist që më vonë do të fitonte tituj dhe një Ligë Kampionësh me Juventus. Pikërisht interesimi i bardhezinjve nga Torino për sulmuesin e kombëtares U-19, ka bërë që “Rei Manaj” të jetë togfjalëshi më i kërkuar në tastierat shqiptare në muajin e fundit. Ne sot Rein e ndoqëm nga afër në ndeshjen më të mirë të sezonit për të. Sulmuesi lushnjar u shpall “njeriu i ndeshjes” në përballjen Cremonese 3-2 Feralpi Salò. Protagonist me një pasim në golin e parë, autor i golit të dytë dhe fitues i goditjes së dënimit në të tretin. Në tribunë për ta ndjekur një “delegacion” prej 10 vetësh: i ati, e ëma, gjyshja, tezja, dy kushërinj dhe agjenti i Manaj, Alberto Fontana, me familjen e tij. Festë italo-shqiptare.

NDESHJA Trajneri Marco Giampaolo e hedh Manajn në fushë që nga fillimi. Kalojnë vetëm 3 minuta lojë dhe sulmuesi 18 vjeçar, driblon një kundërshtar, pason topin në hyrje të zones dhe në rrëmujë e sipër përfiton Alessandro Marchi, duke realizuar golin e pare për Cremonese-n. Pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat. Në të dytën Manaj thellon rezultatin në 2-0, kur pas nje krosimi nga e majta, me kokë e dërgon topin në rrjetë. Është minuta e 62’ dhe duket sikur skuadra vendase vulos fitoren. Nuk ndodh kështu. Feralpi Salò arrin të realizojë dy herë duke barazuar shifrat në 2-2. Për të arritur te goli i tretë dhe ai i fitores, në “katedër” ngjitet sërish Rei Manaj. Merr topin 30 metra larg portës, kalon dy kundërshtarë dhe i treti e rrëzon në limitet e zonës së rreptësisë. Mungon vetëm 1 minutë nga përfundimi i kohës së rregullt. Goditjen e lirë e merr përsipër Abderrazzak Jadid, i cili me një kryevepër shënon golin e fitores. Festë në tribuna dhe brohorimat më të mëdha janë për Rei Manaj. Ky i fundit i dhuron fanellën tifozëve të skuadrës së tij, rit qeë përsëritet pas çdo fitoreje të Cremonese-s. Për t’u veçuar edhe ndëshkimi me karton të verdhë për talentin shqiptar në minutën e 77’, kur ndalon topin me dorë. “Ka karakter shqiptari”, komenti i të atit.

KARRIERA Familja Manaj që prej vitit 2004 jeton ne Codogno, qytezë që ndodhet 28 kilometra larg nga Cremona. Hapat e parë në futboll Rei i hedh te Piacenza, për të kaluar më pas te Cremonese. Deri në janarin e kaluar Manaj ishte pjesë e skuadrës së serisë A, Sampdoria, që në janar e riktheu te Cremonese, në Lega Pro (liga e tretë italiane). Kohët e fundit janë përfolur emra të shumtë klubesh që interesohen për shërbimet e sulmuesit të lindur në Lushnje. Mes tyre edhe Juventus. Kontrata që e lidh me Cremonese-n skadon në vitin 2017. Me paraqitjet e fundit vlera e Manaj sa vjen e rritet. Duke patur në shtëpi një “gur te çmuar”, Cremonese, që nga janari ka ndryshuar edhe modulin taktik, duke e vendosur Rein në qendër të sulmit, pozicionin e tij të preferuar. Privilegj i veçantë për Rei Manaj, duke qenë lojtari me moshën më të re në organikën e Cremonese-s. 18 vjeç prej vetëm 2 javësh, Reit i takon të luajë me kombëtaren shqiptare U-19, por mësohet se shumë shpejt mund të kalojë nën urdhërat e Skënder Gegës në atë U-21. Rei është tifoz me Inter në serinë A dhe me Lushnjen në kampionatin shqiptar.

Andi KASMI, Kremona, mars 2015

 

 

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU