DSC02197Një Milan-Inter i ndjekur në San Siro: kuriozitete, informacione, batuta dhe shumë detaje

Të vizitosh Milanon për të bërë shopping cilësor është mëse normale për cdo banor të globit, sidomos për ata që e kane portofolin e fryrë. Të vizitosh të njëjtin qytet për të ndjekur nga afër derbin Milan-Inter, është një ekskluzivitet i atij grupi personash që janë tifozë të njërës prej dy skuadrave ose të fiksuar pas sfidave të një një prestigji të tillë. Ky i dyti është edhe rasti ynë, duke qenë se portofolin thuajse nuk e përdorim fare, pasi paratë i palosim me kujdes dhe i fusim në xhepin e pasëm të pantallonave.

Guida Për të organizuar një udhëtim për në Milano të duhet patjetër të njohësh një person i cili jeton ose e njeh mirë qytetin, në mënyrë që të mos trembesh nga lëvizja e frikshme dhe numri i jashtëzakonshëm i personave që jetojnë e punojnë në metropolin italian (Milano bashkë me provincat numëronte plot 8 milionë banorë në sondazhin e fundit të kryer më 31 tetor 2013), por edhe të shijosh sa më shumë prej bukurive të tij në atë pak kohë në dispozicion. Një grup të rinjsh nga Shqipëria, u nisën nga destinacione të ndryshme për në Milano, me dëshirën për të parë nga afër më 4 maj atë që njihet ndryshe edhe si “il derby della madonnina”: Donaldi me banim në Paris (Francë), Geri nga Tirana dhe Suela e Luxhieni nga Verona, të cilët ishin më fatlumët, duke qenë se do të bënin më pak kilometra.

Biletat Cmimi i biletave varionte nga 360 euro në tribunat më luksoze, në 25 euro për pjesën më popullore dhe më larg fushës së San Siros (kujtojmë që stadiumi ka një kapacitet prej 80.018 vendesh). Pjesa më e madhe e vendeve në impiantin gjigand nuk ishin në shitje, pasi ishin të rezervuara për personat në zotërim të një abonimi vjetor, ndaj edhe mundësia e gjetjes së një stoli sa më pranë futbollistëve ishte e kufizuar. Në ndeshje të tilla është thuajse e pamundur të sigurosh një biletë në sportelet e stadiumit. Fluksi i madh të detyron që cdo operacion ta kryesh të paktën një javë përpara ndeshjes nëpërmjet bankës.Klubi i Milanit, që ishte edhe pritësi në këtë derbi, vendos në dispozicion filialet e të mirënjohurës edhe në Shqipëri, Banca Intesa San Paolo. 

Qyteti Një xhiro në qendër është e detyrueshme për cdo vizitor të Milanos. Nga bukuritë historike që mund të shijojë kushdo në piazza Duomo apo në Castello Sforzesco (kështjellë e shek. XIV) në dyqanet moderne të stilistëve Armani ePrada në Corso Vittorio Emanuele II apo në Via Montenapoleone, rruga në këmbë është shumë e shkurtër, por duhet kujtuar që kush është i shoqëruar nga një femër do të shpenzojë më tepër kohë nëpër vitrina. Për këdo që i bie rruga andej i këshillojmë të jete i vëmendshëm, pasi përballë kishës në piazza Duomo (ndërtimi i së cilës nisi më 12 maj 1386), në katin e dytë të një ndërtese ndodhet edhe konsullata shqiptare, e cila dallohet lehtësisht nga flamuri disi i vjetër që valëvitet në ballkon.

Milan-Inter Është derbi më paqësor në Itali, ndoshta edhe në të gjithë Europën. Një veti e cuditshme, duke marrë parasysh prestigjin e këtyre dy klubeve, që së bashku i kanë dhuruar qytetit plot 10 kupa kampionesh, duke e bërë Milanon qytetin me më shumë të tilla. Ky rekord do të barazohet nga Madridi në finalen e 24 majit, pavarësisht rezultatit. Atmosfera tejet sportive vihet re edhe në qytet apo rrugës për në San Siro. Shpeshherë bien në sy tifozë rivalë që shoqërohen bashkë dhe duke bërë foto i drejtohen stadiumit. Prej sa kohësh kjo nuk ndodh në Tiranë? Në vitet e fundit vihet re edhe një mësymje e tifozëve aziatikë në Milano. Me blerjen e Nagatomos dy sezone më parë nga Interi, atë të Hondës në janarin e shkuar nga Milani, por edhe kalimi i pronësisë së klubit zikaltër nga familja Moratti te indoneziani Thohir ka bërë që të rritet ndjeshëm interesi për derbin e Milanos në kontinentin aziatik. Përballja e 4 majit e fituar 1-0 nga Milan, ishtë sfida numër 212 mes dy klubeve milaneze. 76 fitore Interi, 62 barazime dhe 74 fitore Milani me një golavarazh 290-286 në favor të zikaltërve.

Stadiumi Një emocion më vete është nisja për në San Siro, sidomos për ata që e kanë për herë të parë dhe derbin e kanë ndjekur vetëm nga ekrani i televizorit nën komentin e Shakohoxhës. Nga cdo pikë e qytetit të marrësh metronë, stacioni më i afërt me impiantin gjigand, quhet Lotto Fieramilanocity. Me të dalë në sipërfaqe lehtësisht dallon autobuzët ngjyrë kafe të vendosur në dispozicion të tifozëve nga ATM (agjensia milaneze e transporteve), për të thjeshtësuar afrimin e tyre në “Giuseppe Meazza”. Autobuzët janë aq shumë saqë është e vështirë të qëllosh në një të tillë ku mund të të merret fryma brenda. Distanca është e shkurtër dhe sapo shihen kolonat gjigande të stadiumit të gjithë nxjerrin aparatet fotografikë për të fiksuar kujtimet e kësaj fundjave të mrekullueshme. Të njëjtën gjë bëjmë edhe ne!

Spektakli Kontrolli automatik i biletave nga por edhe ai i sigurisë nga ana e steward-ëve është i organizuar dhe shumë i shpejtë. Atmosfera në stadium është e paparë. Ngjyrat e koreografive nga dy anësoret e San Siros (Curva Nord e Curva Sud) të bëjnë për vete edhe nëse nuk je tifoz i futbollit, por i apasionuar pas baletit. Aq i vecantë është ky stadium sa pothuajse 10 minutat e para të asaj cka ndodh në fushë, vështirë t’i ndjekësh, pasi je i përqëndruar në fiksimin e detajeve të 80 mijë vendëshit të cilësuar ndryshe si “La Scala del calcio”. Nuk humbëm natyrisht edhe rastin të bënim disa foto me flamurin shqiptar apo të “fluturonim” nëpër krahasime imagjinare mes derbit Milan-Inter dhe atij Partizani-Tirana, por kjo është një tjetër temë, le të kthehemi në botën reale. Futbolli i luajtur nuk ka të njëjtën cilësi si vite më parë, kur në fushë ishin Maldini, Shevchenko, Rui Costa, Pirlo nga njëra anë dhe Sneijder, Vieri, Figo apo Eto’o nga ana tjetër, megjithatë për një tifoz të futbollit, ndjekja e një derbi të këtyre përmasave nga afër, është si pelegrinazhi i një besimtari në një vend të shenjtë: duhet bërë të paktën njëherë në jetë.

Shënim: vërtet që i përkasim grupit të personave që nuk përdor portofol dhe paratë i palos me kujdes duke i futur në xhepin e pasëm të pantallonave, por nuk e humbëm rastin të bënim edhe një vizitë në Navigli, në zonën më “in” të lokaleve ne Milano. Aq fonde i kishim kursyer edhe ne. Ja vlejti…

 Andi KASMI, Milano, maj 2014

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU