Kundër futbollit modern

12119120_10207805591559958_2837664452964932222_nTifozë quaj ata të Dinamos që një herë në dy javë shkojnë në Pezë për të parë skuadrën e tyre të zemrës të mundet nga lloj lloj kundërshtari.
Tifozë janë ata të Tiranës që nisen për Shijak dhe shijojnë një ndeshje Kupe me pak vlerë.
Tifozë edhe ata të Partizanit që me lekë xhepi ndihmonin lojtarët kur klubi s’kishte president e futbollistët ushqeheshin me kos frutash.
Tifozë janë shkodranët që pa stadium sakrifikojnë për të qëndruar afër një grupi të padenjë për emrin e Vllaznisë.
Tifozë janë edhe ata myzeqarët që përballjet Lushnja-Apolonia i kthejnë në spektakël nëpër tribuna me koreografi e banderola që do i kishte zili çdo lloj ndeshjeje në Europë.
Tifozë janë edhe krutanët, pukjanët, kuksianët, korçarët, librazhdasit, gramshiotët, vlonjatët, durrsakët e shumë të tjerë që çdo të shtunë ose të dielë çohen nga llotot dhe nga luksi i Juve-Inter apo Barça-Real e drejtohen në stadiumet tona pa banjo e pa stola për të parë futbollistët që përfaqësojnë qytetet e tyre. Krenari lokale.
Por kur luan kombëtarja, jo ajo që mundet 6-1 nga Rumania apo 2-1 nga Islanda, as ajo që mposhtet brenda e jashtë nga Sllovenia, por ajo që është afër Europianit, papritur shndërrohen në ultras e mjeshtra taktike personazhe të show bizit dhe “talentet” e talk show-ve. Ata tipat që gjithe javën me qeleshe qyl e foto profili me shqiponja e pushkë i zënë vendin këtyre tjerëve që çdo javë mbështesin futbollin lokal.
E kur kombëtarja mundet, këta VIP-at me bileta falas, janë të parët që nxitojnë të ndërrojnë foton e profilit. Kthehen prape te shampanja e shtrenjtë, thonjtë e lyer dhe te fotot me politikanët e huaj.
Rastësisht zbulova që gazetari Sokol Balla qenka tifoz i Tiranës. Po pse nuk të kemi parë ndonjëhere në stadium për të parë ndeshjet e bardhebluve, siç bëje atëherë kur i gjithë populli ushqehej me groshë? Apo tani që zbulove çfarë është ravioli je shumë i rafinuar të shikosh futbollin lokal.
Kollaj është të thuash “Ktu ka mor fun çdo gjo” e të afrohesh me futbollin vetëm kur vjen në Rinas Ronaldo e Mario Gomez. Edhe të pretendosh bileta falas kur kombëtarja është lart me rezultate.
Do vijë momenti që ky cikël do përfundojë, brezat do ndërrohen dhe kombëtarja s’do ketë më afrime nga akademia e Bazelit. Do mundemi sërish nga Rumania, Danimarka, Azerbajxhani e Sllovenia. E do largohen këta këngëtarët e poetët, por edhe këta supergazetarët që kryqëzojnë duart në instagram për t’u bërë shqiponja fallse. E nuk do dhurohen më qeleshe.
E futbollit tonë do i mbeten ata tifozët lokalë. Që janë shumë “katunarë” për të patur bileta në dispozicion kur luan kombëtarja. Edhe me parà.
Vendin ia ka zënë Xhensila, Marina, Noizy, Kol Balla, Aurela Gaçe me bileta falas…

 

 

Leave a Reply