Kosovare Mezini, blogger-ja që u ul në stolin e kombëtares së Kosovës

1620424_10203498505765505_3404654615501051883_n

Historia e veçantë e asistentes së trajnerit të Kosovës, nga Suedia në stafin e kombëtares më të re ne botë

22 vjecarja nga Kaçaniku: “E dashuroj futbollin, një ditë dua të bëhem presidente e FIFA-s”

 

Përgatitjet për takimin Kosovë-Haiti u pritën me interes të madh nga komuniteti i futbollit në Kosovë, por edhe ai ndërkombëtar, për vetë situatën delikate që politikisht mbartte ky takim. Trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki për të shpallur listën e lojtarëve të përzgjedhur për miqësoren e 5 marsit kërkoi ndihmën e një personazhi të veçantë: Kosovare Mezini, një 22 vjecare e lindur në Kaçanik por e rritur në Suedi, blogger-e dhe e apasionuar pas futbollit do të ishte “krahu i djathtë” i Bunjakit në ndeshjen debutuese të Kosovës, pas “OK” të marrë nga FIFA. Në fakt, gjatë ndeshjes binte në sy prania e një vajze të re në stol, e ulur pranë pjesëtarëve të tjerë të stafit teknik. Shumëkush mendonte se ajo ishte e afërme e trajnerit apo e ndonjërit prej lojtarëve, pakkush në të vërtetë e dinte rëndësinë e Kosovares në përgatitjet e përfaqësueses më të re në botë. “Jam njohur në facebook me trajnerin Bunjaki rreth 3 vite më parë, kur ishte zv.trajner i Örebro SK. Tani që është tekniku i Kosovës, më thërriti para ndeshjes me Haitin për ta ndihmuar, duke ditur njohuritë e mia mbi futbollistët dhe faktin që flas disa gjuhë të huaja (sh.red. anglisht, suedisht, gjermanisht)”, shprehet Kosovare Mezini. Alex Morgan, amerikane, një nga futbollistet më të famshme në bote, në një dalje publike është shprehur: “Një burri jepi një grua që dashuron futbollin dhe do jetë i lumtur për gjithë jetën”. Lum ai që do marrë Kosovaren…

– Kush është Kosovare Mezini?

– Kam lindur ne Kaçanik në vitin 1991, mirëpo që e vogël jam transferuar në Suedi me familjen, ku edhe jam rritur. Prej disa vitesh jetoj në qytetin e Eslöv me prindërit, dy motrat dhe vëllain. Në shtator shtator mbush 23 vjec dhe aktualisht studioj për organizim-menaxhim burimesh njerëzore. Gjatë kohës së lirë shkruaj në një blog personal, që quhet Albankollen (në shqip përcjellësja e shqiptarëve) ku shkruaj për të gjithë futbollistët shqiptarë kudo që janë në botë. Jam tifoze e Bayern München, ndërsa këtu në Suedi ndjek shumë Malmö FF dhe shpesh i shikoj ndeshjet në stadium bashkë me tim vëlla.

– Si lindi pasioni juaj për futbollin?

– Para verës së vitit 2009, une nuk dija asgjë mbi futbollin. Kisha dëgjuar vetëm që Zlatani (Ibrahimoviç) luan futboll, bari është i gjelbër dhe topi është i rrumbullakët. Më 23 qershor të atij viti, pranë vendit ku jetoj, luhej një ndeshje mes kombëtareve U21 të Suedisë dhe Serbisë. Nuk dija shumë gjëra, por gjatë javës shokët e klasës flisnin vetëm për këtë eveniment dhe kur nisi ndeshja, kurioziteti më shtyu të ulesha para televizorit për të ndjekur këtë takim. Menjëherë më bëri përshtypje pasioni i zjarrtë në sytë e lojtarëve dhe kur suedezët realizuan një gol kamera fokusoi tifozët, të cilët përqafoheshin me njëri-tjetrin. Befasia më e madhe ishte kur u përmend emri i Emir Bajramit, prania e një shqiptari në fushë më mallëngjeu totalisht dhe kur shihja që nëpërmjet një loje kaq të thjeshtë mijëra njerëz nëpër tribuna ekzaltoheshin, mendoja “po unë cfarë kam arritur në jetë”? Kurioziteti mbi mbiemrin Bajrami ishte i madh dhe thoja me vete “që kur shqiptarët dinë të luajnë me top”? Që prej asaj dite nisa të lexoja mbi futbollin. Lexoja për çdo lojtar, çdo ekip e çdo ligë në gjithë botën. Shpeshherë qëndroja zgjuar deri në 6 apo 7 të mëngjesit për t’i fiksuar në memorie. Pas një viti u dashurova me futbollin gjerman falë Miroslav Kloses, idhullit tim dhe në verën e vitit 2010 nisa të shkruaj për futbollin.

– Prej sa kohësh jeni aktive me blog-un personal dhe cfarë pasqyrohet në të?

– Blog-u e ka zanafillën në verën e vitit 2010, pas Kupës së Botës, por zhvillimin më të madh e mori rreth një vit më vonë, kur i bashkangjita edhe faqen Albankollen në facebook. Arsyet pse fillova të shkruaj janë: 1. Nuk dija të luaja futboll por dëshira e madhe për të qenë pjesë e këtij ambienti në një menyrë apo një tjetër më shtyu të shkruaj në blog. 2. Doja t’u tregoja shqiptarëve që edhe ne kemi yje të këtij sporti nëpër botë dhe mund të arrijmë shumë rezultate dhe 3. Dëshira për t’i thënë suedezëve se ne shqiptarët nuk jemi vetëm kriminelë, nëpërmjet futbollit mund të përmirësojmë imazhin tonë në sytë e tyre

– Si lindi bashkëpunimi me Albert Bunjakin, trajnerin e Kosovës?

– E kam njohur në facebook rreth 2 ose 3 vite më parë, duke qenë se te Albankollen postoja përherë informacione mbi futbollistët shqiptarë. Ai mesa duket u tërhoq nga kjo dhe takimi ynë i parë ka ardhur në vjeshtën e vitit 2012, kur ai ishte zv. trajner i Örebro SK në Suedi. Trajneri Bunjaki më thërriti para ndeshjes me Haitin për ta ndihmuar, duke ditur njohuritë e mia mbi futbollistët dhe faktin që flas disa gjuhë të huaja.

– Duke parë njohuritë e e mëdha që keni mbi këtë lojë, cilët janë yjet e së ardhmes në futbollin shqiptar/kosovar?

– Unë do të shpresoja të gjithë por 3 prej tyre ndoshta do të shkëlqejnë më tepër: Adnan Januzaj (Manchester United), Dionis Avdijaj (Schalke 04), Sinan Bytyqi (Manchester City).

– A e ndiqni futbollin shqiptar dhe ç’mendim keni për të?

– Ndjek rregullisht rezultatet e skuadrave shqiptare në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, nga afër gjeografikisht e kam të pamundur t’i ndjek këto takime por shpresoj me zemër që futbolli ynë të njohë vetëm ngjitje në arenën ndërkombëtare.

– Cila skuadër shqiptare është e preferuara e Kosovare Mezinit?

-Skuadra e vendlindjes time, KF Lepenci i Kaçanikut.

– Çfarë ndjesish përjeton një vajzë e re kur punon në një ambient krejtësisht mashkullor si ai i futbollit?

– Ka qenë gjithmonë një ëndërr e imja të punoja me futbollin, por kurrë nuk e kam menduar të arrija deri këtu për vetë faktin e të qenurit vajzë. Trajneri Albert Bunjaki nuk më përfshiu në staf për këtë fakt, por për njohuritë e mia mbi futbollistët shqiptarë, ndaj gjej rastin ta falenderoj për mundësinë e dhënë, çka më ka bërë të ndihem shumë krenare që munda të kontribuoj për vendin tim. Të punosh në një ambient të tillë, mund të jetë më e lehtë sesa mendohet. Unë e di që ka shumë vajza qe dinë pafund rreth futbollit por nisen me mendimin se nuk do të ecin gjatë. Unë shpresoj t’u kem hapur rrugën dhe kur të përpiqen për të arritur diçka le të mendojnë “kur ia doli Kosovarja, pse mos t’ja dal edhe unë”.

– Pas përfshirjes në stafin e Kosovës, cfarë surprize do na dhurojë Kosovarja në të ardhmen?

-Dëshira ime e madhe është të ndihmoj botën e futbollit, jo vetëm shqiptarët. Do doja një ambient më të mirë për futbollistët e për spektatorët. Aktualisht po shkruaj mbi futbollin duke u munduar të përmirësoj imazhin e shqiptarëve, arrita të bashkëpunoj me perfaqësuesen e Kosovës. Hapi tjetër? Ndoshta presidente e FIFA-s, me mua nuk i dihet!

Intervistoi Andi KASMI

 

 

 

 

Leave a Reply