11895999_852711761492430_8362139142077535020_nSot nis kampionati shqiptar i futbollit dhe unë vendosa që këtë ditë feste (e tillë është për një tifoz) ta nis te pika e shitjes së gazetave më pranë shtëpisë time.
Nëse në ditët tona lajmet janë të freskëta dhe dëgjohen e zbulohen në kohë reale, dikur linku nuk ekzistonte dhe gazetashitësi (zotëria me kapelen e verdhë në foto) ishte personi më i “klikuar” përsa i përket marrjes së informacioneve.
Ndaj unë sot vendosa që ti bëja një vizitë e të kujtoja edhe fëmijërinë time. Vitet kanë kaluar për të dy. Dikur afrohesha i ndrojtur e me çantën e shkollës mbi supe, në të cilën përpos librave të matematikës, letërsisë, diturisë së natyrës e historisë, kishte vend edhe për gazetën e sportit dhe në arkën e gazetashitësit lija çdo ditë kuotën e sandwich-eve që duhet të haja në orën e pushimit. Kush e vret mendjen? Ushqehesha me lajme merkatoje…
Ndërsa sot afrohem me atlete të shtrenjta, një smartphone që më mundëson të marr informacione në kohë reale dhe sigurisht disa vite më tepër mbi supe. Ju garantoj që këto tipare të futbollit modern nuk mund të zëvendësojne pasionin e një fëmije të çilter për lojën më të bukur në botë. Asnjëherë…
Ai gëzohet sa herë që unë kthehem dhe e vizitoj. Më pyet rreth jetës time dhe në syte e tij shfaq gëzim sa herë që unë i përgjigjem me ton entuziast. Shkëmbejmë disa batuta për skuadrën e zemrës (e kemi të përbashkët) dhe pasi marr gazeten e sportit largohem duke u përshëndetur përzemërsisht me të.
Zotëria kryen të njëjtin aktivitet në të njëjtin vend, kryqëzimi i rrugës “Qemal Stafa”, që prej vitit 1992. Është inxhinier me profesion ndërsa për mua, një fëmijë të lindur e rritur përpara “erës së internetit” është sinonim i lajmeve më të dashura për mua: atyre sportive.
Besoj se do të vazhdojë aktivitetin e tij në të njëjtin kënd deri sa të ketë frymë. E mua do më ngjallë përherë kujtimet e vegjëlisë. Ah, nostalgji e poshtër…
Kampionat të mbarë dhe kini parasysh: Support your local team…

 


S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU