Ju përshëndesim nga Estonia, aty ku derbin-titull në stadium e ndjekin vetëm 1720 njerëz

 

Reportazh nga vendi balltik: derbi i kryeqytetit Tallinn, FC Levadia- FC Flora dhe një rivalitet që i tillë mund të quhet vetëm për kronikë

IMG-20140808-00567

Rastësia, fati apo kismeti më solli në Estoni. Plot 2084 kilometra larg Tiranës në vijë ajrore dhe një realitet tërësisht ndryshe nga ai i yni apo i krejt zonës mesdhetare. Me dëshirën për të parë vende të reja, për t’u njohur me një kulturë tjetër dhe në kërkim të eksperiencave personale, gjeta kohën për të ndjekur në stadium edhe një prej takimeve derbi të kryeqytetit, FC Levadia-FC Flora Tallinn.

Qyteti Kryeqyteti Tallinn ndodhet në pjesën veriore të vendit. Në të banojnë 430,772 persona (thuajse gjysma e banorëve të Tiranës) dhe në të njëjtin qytet ndodhet porti më i gjerë në Estoni dhe në krejt brigjet e Detit Balltik. Tallinn është i famshëm për qytetin e vjetër (Vana Tallinn në gjuhën lokale), pasuri e mbrojtur nga UNESCO, ku ndodhen edhe kishat e vjetra dhe bukuritë arkitektonike më të preferuara nga 1.5 milionë turistët që vizitojnë cdo vit qytetin. Dimri në Estoni është i ashpër dhe reshjet e dëborës janë masive, dukuri që vendasit e kanë sfrytëzuar me zhvillimin e turizmit dimëror.

Futbolli Në fillim duhet thënë që sportet më të preferuara dhe të ndjekura, për shkak të kushteve meteorologjike, janë disiplinat dimërore. Futbolli këtu është i “dorës së dytë”, por i ndjekur me shumë vëmendje nga të interesuarit. Kampionati vendas luhet nga marsi deri në nëntor. Skuadrat e Tallinn, që aktualisht luajnë në kategorinë superiore (Meistriliiga), janë pesë: Flora Tallinn, FC Levadia, Kalju Nõmme, Infonet dhe Kalev Tallinn. Këto skuadra kanë në përdorim 3 stadiumet e qytetit, A. Le Coq Arena (9692 vende), stadium në të cilin luan ndeshjet edhe kombëtarja e Estonisë; Kadriorg Stadium(5000 vende), ndryshe ish-stadiumi Dinamo kur Estonia ishte e pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe Kalevi Keskstaadion(12000 vende), kapaciteti i të cilit shfrytëzohet në maksimum vetëm një herë në 5 vjet, kur në të zhvillohet festa tradicionale e kërcimit në Estoni. Pavarësisht interesit të pakët dhe rezultateve modeste, impiantet sportive, si stadiumet apo qendrat stërvitore gëzojnë një infrastrukturë moderne, ndërsa me investimet e federatës po njeh zhvillim futbolli i moshave. Ndoshta duhet të jetë mësim për ato vende ku pasioni është më i madh por dëshira më e pakët.

Derbi Para takimit të luajtur mbrëmë nëKadriorg Stadium, situata në tabelën e renditjes ishte e tillë: FC Flora (9 herë kampione) e para me 52 pikë dhe FC Levadia(8 herë kampione) në vendin e tretë me 47 pikë. Ndeshja ishte e një rëndësie të madhe dhe rrugës për në stadium isha i bindur që do të shikoja njerëz me flamurë apo simbole të dy skuadrave, por këtë fat e pata vetëm kur “qull” në djersë u afrova pranë biletarisë së stadiumit. Shumëkush mund të mendojë se këtu bën ftohtë edhe në dimër (përfshirë edhe mua para se të vija), por gjatë 90 minutave lojë termometri shënonte 30 °C. Para hyrjes në stadium, u afrova në një bar ku tifozët e Florës po konsumonin birrat vendase (A. Le Coq dhe Saku, dy marka të famshme në rajonin balltik) dhe pasi u prezantova, një djalë me emrin Marek, më afrohet duke më thënë se verën e shkuar kishte qenë në Tiranë, për të ndjekur në Qemal Stafa ndeshjen Kukësi-Flora, e vlefshme për Europa League. Marek, për të më bindur më tregoi se kishte paguar fare pak për taksinë nga Ulqini në Shkodër dhe se në Shqipëri kishte parë femra shumë të bukura… Mes batutave dhe një bilete falas të ofruar nga tifozët e Florës, vazhdoj rrugën në kërkim të fotove dhe detajeve më interesante.

Stadiumi Sistemi i blerjes së biletave ishte i njëjtë me atë shqiptar. Pranë hyrjes së vetme për në stadium, ndodhej një sportel i ngjashëm me atë që ndodhet në Qemal Stafa. Një biletë kushtonte 5€, ndërsa për personat e moshës nga 8-18 vjec dhe pensionistët cmimi ishte vetëm 2€. Një gjetje për të stimuluar ardhjen e personave në stadium ishte edhe bileta 2.5€ për personat që konfirmojnë pjesëmarrjen të paktën 2 orë përpara ndeshjes në eventin e postuar në Facebook. Pavarësisht orarit të përshtatshëm (19.00), situatës në renditje, popullaritetit të klubeve dhe gjetjeve të marketingut, numri zyrtar i personave të pranishëm në stadium ishte vetëm 1720. Në ambientet e stadiumit ndodhej edhe një tendë në të cilën 3 të rinj reklamonin bluza, filxhanë apo xhingla të tjera me logon e skuadrës pritëse, FC Levadia.

Rivaliteti Nëse prisni të lexoni sharje në kor, nëna e motra arbitri apo përplasje në tribuna, ju duhet të prisni një shkrim tjetër. Në Estoni këto fenomene janë “sjellje të huaja”. Në tribunën kryesore nuk kishte një ndarje mes zonës VIP dhe tifozëve të thjeshtë. Gjysma e pjesëmarrësve në këtë festë sportive ishte e gjinisë femërore, ndërsa tribuna e shtypit ishte shumë herë më pak e populluar se ajo e stadiumeve tona. Në tribunën përballë ishin vendosur edhe dy tifogrupet që përpiqeshin të dhuronin spektakël me brohorima apo me ndezjen e flakadanëve në momente të ndryshme, zgjedhje e gabuar duke parë temperaturat e larta gjatë zhvillimit të ndeshjes. Më të shumtë në numër ata të Florës që shpalosnin banderolën “One club, one love, one life” ndërsa mbështetësit e Levadias (rreth 10 vetë) me tupan dhe pa bluza veshur përgjigjeshin me një “Levadia, pride of Tallinn”. Versioni anglisht i asaj thënies shqiptare “Se qyteti është i joni”. Ndeshja përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1, barazim që i vlen më shumë Florës, që ruan distancën nga ndjekësit e afërt, ndërsa unë me biletën falas, me një birrë të ftohtë dhe me disa miq të rinj po vihem në kërkim të biletave për derbin e ardhshëm europian.

Pikante

– Nëse je në Estoni dhe përgjigjesh “jo” kur të ofrojnë alkool, nuk bën një figurë të mirë. Edhe nëse je “i kulluar” hiqu si njohës i mirë i vodkës dhe ekspert i rakisë.

– Transporti urban për banorët e Tallinn është falas. Problemi i vetëm i kësaj vere është mungesa e ajrit të kondicionuar. Askush nuk kishte parashikuar temperatura të tilla.

– Infrastruktura në Estoni është e niveleve të larta. Rrugët, transporti dhe stadiumet janë modernë, ndërsa internet falas ka pothuajse në cdo zonë të mundshme.

– Platforma “Skype” është shpikur nga një grup studentësh të Universitetit të Tallinn. Të rinjtë që diplomohen në informatikë në Estoni janë shumë të kërkuar në tregun botëror.

– Shumica e popullsisë janë bjondë dhe sykaltër. Për këtë motiv në qendër të qytetit sheh shumë turistë italianë. Në Estoni nuk është i zhvilluar vetëm turizmi dimëror…

– Në Estoni parukeritë janë unisex. Me pak fjalë, në të njëjtin vend ku qethen burrat krihen edhe gratë.

Andi KASMI, Tallin, gusht 2014

 

Leave a Reply