Burgu ngjitur me stadiumin, një mbrëmje në Xhenova për “derbin e farit”

IMG-20140928-00673Genoa-Sampdoria dhe një metropol i ndarë në mes. Nga njëra anë klubi më i vjetër në Itali, në tjetrën krenaria europiane e qytetit

 

“Ne jemi klubi më i vjetër në Itali.” “Jeni klubi më i hershëm, por ju krijuan anglezët. Jemi ne xhenovezët e vërtetë.” “Me ne nuk mateni dot, kemi plot 9 kampionate.” “Të gjithë të fituar para se ne të krijoheshim. Një finale Champions-i dhe nje titull kampion pas viteve ’90 ju ëndërroni.”

Një dialog të tillë në Xhenova mund ta hasësh përditë. Jo vetëm në ambientet sportive, por edhe në një kioskë ku shiten gazetat ose në dyqanin e fruta-perimeve. Madje shpesh rastis ta dëgjosh edhe në furrën e bukës, aty ku me një fokace (it. focaccia, kulac karakteristik xhenovez) të mirë në dorë, burra e gra të cdo moshe përpiqen të bindin njëri-tjetrin prej 3 shekujsh, se cili klub e dominon qytetin.

Historia Dëshmitë e dokumentuara tregojnë që Genoa Cricket and Football Club, është themeluar në vitin 1893 nga disa shtetas britanikë me banim në Xhenova. Pozicioni gjeografik i qytetit, në të cilin ndodhet porti më i rëndësishëm në Itali, favorizon lëvizjen migratore të njerëzve nga kontinente të ndryshme, sidomos për motive tregtie. Nga një grup i kësaj kategorie personash, me kombësi angleze, u formua më 7 shtator 1893 klubi i Genoa-s dhe nga emri origjinal dallohet qartë karakteri i tij shumësportësh. Vendi i krijimit është selia e konsullatës britanike në rrugën Palestro, adresë e cila është e shkruar në një banderolë qëndrore që shpaloset në stadium në tribunën veriore (curva Nord) nga tifozët xhenoanë. Unione Calcio Sampdoria lind në vitin 1946, nga bashkimi i dy skuadrave të atëhershme xhenoveze, Sampierdarenese dhe Andrea Doria. Dy klube që përfaqësonin dy lagje të mëdha të qytetit bregdetar. Genoa numëron 9 tituj kampionë në Itali. Të parin e fituar në një turne njëditor në vitin 1898, ndërsa të fundit në sezonin 1923-24. 22 vite më vonë do të krijohej edhe rivalja e saj lokale, Sampdoria, e cila kulmin e ka njohur me titullin e fituar në sezonin 1990-91 dhe pjesëmarrjen në finalen e Champions League një vit më vonë, duke u mundur nga Barcelona. Tifozët dorianë krenohen me palmaresin europian të Sampit, pasi skuadra e tyre ka arritur të fitojë Kupën e Kupave, në edicionin 1989-90, duke mundur në finale belgët e Anderlecht.

Qyteti Xhenova është një qytet bregdetar që ndodhet në veriperëndim të Italisë. Me një popullsi prej 1.510.000 banorësh, është një prej 15 metropoleve të gadishullit Apenin. Portii qytetit, ekonomikisht më irëndësishmi në Itali, bën që Xhenova të jetë një zonë tregtare me një fuqi financiare të konsiderueshme dhe një hapësirë në të cilën vërehet një lëvizje e madhe njerëzish dhe mallrash. Simboli arkitektonik është fari (it. la lanterna), 117 metër mbi nivelin e detit dhe i dukshëm për anijet në mbi 30 kilometra distancë. Ky simbol i jep emrin edhe derbit Genoa-Samp, që njihet edhe si derbi i farit (it. il derby della lanterna). Ata që vizitojnë qytetin, pervec pjesës së bregdetit, akuariumit të Xhenovas dhe anijes antike, nuk mund të mos vizitojnë një tjetër krenari të popullit xhenovez, sheshin De Ferrari (it. Piazza De Ferrari). Në qendër të tij ndodhet shatërvani, uji i të cilit javën e derbit merr ngjyrën e skuadrës pritëse: të kuqe kur në “shtëpi” luan Genoa ose qëndron i kaltër nëse në Luigi Ferraris pret Sampdoria.

Stadiumi Pas një aperitivi në Piazza De Ferrari me mikpritësit tanë Mario dhe Ana, kur kamarierja na bëri me dije se do të ishte edhe ajo e pranishme në stadium, kurioziteti për t’u afruar në atë pjesë të qytetit u rrit edhe më shumë. Stadiumi Luigi Ferraris ndodhet në lagjen Marassi, natyrisht zona më e populluar e Xhenovës në ditën e derbit.I ndërtuar në vitin 1911 në një terren icili më parë shfrytëzohej si pistë garash me kuaj, stadiumi ka një kapacitet që vërtitet nga 36.348 në 36.599 vende. Ngjitur me të ndodhet edhe burgu i Marassi-t, madje gjatë kontrollit të biletave para hyrjes në stadium, dalloheshin në dritaret e kateve të larta, personat që vuajnë dënimin në atë institucion. Një rast i rrallë, ndoshta unik duke parë afërsinë mes lirisë së tifozëve që drejtoheshin për në stadium dhe mungesën e saj te ata njerëz që na shikonin nga dritaret e bllokuara me kangjella. Skuadra pritëse në këtë derbi ishte Genoa dhe pjesa më e madhe e stadiumit ishte e mbushur me tifozë kuqeblu. Me fatin e një bilete në zonën qendrore arrita të fotografoja atë që është edhe “ajka” e këtij spektakli, koreografinë e dy tifozerive. Përmbajtja e asaj të organizuar nga tifozët xhenoanë, të vendosur në tribunën veriore ishte: “Skuadra më e vjetër në Itali, klubi i vetëm në Xhenova, ndërsa ju (Samp) të fundit në Romë (duke ju referuar origjinës romane të presidentit të Sampdorias)”. Dorianët përgjigjeshin me një thirrje “ushtarake”: “Munde armikun, fitoje betejen”. Gjithsesi, thirrjet për betejë, armiqësitë ose rivaliteti mbetën të tilla vetëm në kuadrin sportiv. Para dhe pas ndeshjes nuk u regjistrua as edhe një incident i vetëm, të rinj e të reja me bluzat e Genoa-s dhe Sampdoria-s nëpër baret rreth stadiumit birrat i konsumonin së bashku. Gezuar!

Rivaliteti Pozicioni i biletës në stadium, përkoi ngjitur me atë të një tifozi të Genoas. Franco, një burrë rreth të pesëdhjetave, me syze miopi, i qetë në dukje dhe në komunikim, por sic do të tregonte më vonë, përbrenda “ziente”: ndeshja duhet fituar patjetër. “Kjo ndeshje ndikon në humorin tonë. Unë jam i abonuar, por vendi im izakonshëm është atje ku sot ndodhen tifozët kundërshtarë, ndaj klubi na pajisi me këto bileta në këtë sektor.” Pyetjes se sipas tij, cila skuadër gëzonte më tepër mbështetje në qytet, Franco, ndryshe nga sa pritej, i përgjigjet me nota pesimizmi: “Jemi klubi më i vjetër, por nuk fitojmë asgjë prej vitesh, ata kanë marrë një kampionat në vitet ’90.” Në bisedë e sipër ka kohë edhe për në batutë të fundit, para se të përqendroheshim te ajo cka ndodhte në fushë. “Nëse nuk fitojmë sot, duhet ta mbajmë gojën mbyllur deri në derbi derbin e radhës. 4 muaj pa folur janë shumë.” Ndeshjen e fitoi Sampdoria me rezultatin 1-0. Une jetova një eksperiencë tejet të bukur, ndërsa zoti Franco nga e diela në darkë, nis zyrtarisht heshtjen e tij 4-mujore.

Andi KASMI, Xhenova, shtator 2014

 

Leave a Reply